“Keidi Bare, më i mirë se Modriç”

24 Gusht 2017, 17:48Sport TEMA

Trajneri i kombëtares shqiptare të 17-vjeçarëve, Xhemal Mustedanagiç vlerësoi ngjitjen e shpejtë të Keidi Bares në futbollin europian.

Talenti që po spikat me Atletikon e Madridit ishte objekt i vlerësimit të teknikut që e ka patur më parë në seleksionet e moshave. Sipas Mustedanagiç, Bare është madje më i mirë se Luka Modriç, një lojtar që e ka stërvitur te Dinamo e Zagrebit.

“Unë kam stërvitur si Keidi Baren, ashtu dhe një talent si Luka Modriç dhe mendoj se në moshën aktuale, Bare është më i mirë se Modriç. Ai është një reklamë e mirë për futbollin shqiptar”, tha Mustedanagiç.

Trajneri nga Bosanski Novi kërkoi më shumë vëmendje për ekipet që furnizojnë ekipin A: “Për kombëtaren e 17-vjeçarëve nuk është ende ajo rëndësi e mjaftueshme, por këtu duhet vëmendje sepse hidhen themelet për kombëtaren A. Kazakistani është një turne i fortë sepse këto shtete investojnë shumë për brezat e rinj. Në këto momente kemi pak probleme pasi 4-5 futbollistë nuk janë lejuar nga klubet që të luajnë me Shqipërinë. Por, këtë e quaj një shans më shumë për të provuar lojtarë të rinj që mund t’i përdor edhe në kualifikuese”.

Ndeshja e parë e 17-vjeçarëve shqiptarë në eliminatore do të jetë në Kroaci: “Kroacia ka futbollistë që luajnë më tepër se 4-5 vite bashkë, madje mbi 10 prej tyre luajnë me Dinamon e Zagrebit, pra njihen shumë mirë mes tyre. Për Spanjën është e kotë të flasim, pasi dihet cilësia e kësaj skuadre dhe të gjithë lojtarët janë në majat e futbollit”.

Shqipëria bën pjesë në grupin e dytë, së bashku me Spanjën, Kroacinë dhe Lihtenshtejnin. Ndeshjet e këtyre kualifikueseve të Kampionatit Europian U17 do të zhvillohen në datat 19, 22 dhe 25 tetor 2017 në vendin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje