Baladë për gruan e mirë, që dinte vetëm të punonte, jo të shitej!

25 Gusht 2017, 10:10Blog TEMA

Nga Flutura Açka

Ishte natë e vonë mbrëmë, kur mora lajmin e hidhur për ty, Arlindë, dhe ngaqë jam mësuar të të gjej gjithmonë kah drita, nuk desha të shkruaja natën.

Edhe më vonë, një mesazh i shkurtër i tët bije nëpër natë, thirrja e fikur e saj “Ah, ç’ë bëri!”, m’i bëjnë edhe më të vështirë këto rreshta.

Liria për të cilën ke shkruar shpesh edhe ti, liria për të cilën ke luftuar edhe ti, nuk më jep të drejtën të të gjykoj në vendimin tënd, por të gjykoj një Shqipëri që ka ajër gjithnjë e më pak për gra si ti.

Nëpër median shqiptare, ku je vërtitur shpesh mes pasionit dhe pasigurisë, këmbënguljes dhe drojës, dashurisë dhe hezitimit, ti ishe një specie e veçantë, ti dije vetëm të punoje, jo të shiteshe.

Ka plot gra si ty, por kemi nevojë t’i njohim, sepse ato kurrë nuk bërtasin, ato vetem i japim Shqipërisë dhe kurrë nuk i marrin.

Ty kurrë nuk të vinin ftesa për koktejle ministrore, për shëtitje turistike shoqëruese të tipit escort girl, nuk psherëtive kurrë për ndonjë çantë Hermes, as nuk u ankove se Tirana t’I thyente këmbë për të mbijetuar tu dhe familja jote, nuk bëre zhurmë kurrë për romanet e tu, edhe pse ishte një vajzë e talentuar, që nuk pati kohë – prej kësaj jete që po shpjegoj – as t’i ribotonte, nuk u përqave kurrë edhe pse e dite bukur mire se sa e vështirë është të rezistosh e papërlyer në kohë si tonat.

Ti dije të falje bujarisht, aq sa ndonjëherë kam mendur se kjo ishte një e “metë” e jotja. E lumja ti!

Por si ia dole e vetme, e pandotur, pritëse, përjetësisht e qeshur, pranuese, e pafjalë, e painat, e pamërzi, që të mbetesh ti, vetvetja, në kohën e tjetërsimit të madh që jetojmë?

Gati pesëmbëdhjetë vjet të shkuara, kur botuam bashkë romanin tënd të parë “Dashuri bjonde”, që u shit marramendthi, kemi qeshur shumë me faktin se do ta çudisnim dynjanë me titullin.

Disa herë pata këmbëngulur ta merrje seriozisht talentin tënd, por ti nuk kishe kohë për të, nuk të tepruan kurrë minuta të mendoje për të.

Ti, takëngrëna nga vrapi, ti mirësia Arlindë, je në paqen tënde tani, atje ku as moti, as stina, as koha, as fryma, as paraja nuk bëjnë sens, dhe mbase qesh me baladat e të gjallëve që kanë vendosur të vazhdojnë.

Por ata duhet të vazhdojnë, për të bërë një mjedis ku Arlindat të mos ndjehen të vetmuara, dhe ku bijat dhe bijtë e Arlindjave të mos ndjehen të braktisur nga fati, dhe shoqëria. Pushofsh në paqe!

13 komente në “Baladë për gruan e mirë, që dinte vetëm të punonte, jo të shitej!”

  1. Iris Bardhi says:

    Shkrim i ndjere , me dashuri te sinqerte te artikullshkrueses per Ate qe nuk kthehet me ! Ndonese nuk pata fatin te ju njoh personalisht (kam lexuar disa shkrime ), kjo nuk pengon te shkruaj dhimbjen time teksa lexoj se si shprehet kolegja juej !
    Dhimbja per njerez qe lindin me personalitet te fuqishem e te mbuluar ne virtyte , na shumefishohet : nderpreu jeten e Saj kaq shkurt , duke ”braktisur” familjen e adhurueshme ! Ne profesionin e Saj , i la koleget ”ne balte” , duke zvogeluar numrin e atyre qe lindin si ari ! Kishte kaq nevoje per Ju , AR-LINDE te mos te na largoheshit per te gjitha arsyet e botes , dhe kesaj kohe qe po jetojme .
    Ju ishit nje garanti , sepse ari nuk tjetersohet . Mirenjohje te madhe !

  2. brizida says:

    Faleminderit Flutura Açka.

  3. Posejdon.al says:

    Autorja e shkrimit cfaqet me emer dhe me mbiemer.
    Gruaja virtuale per te cilen ajo shkruan eshte nje anonime, nje Arlinda pa mbiemer, pa adrese, pa fakte jetesore dhe pa biografi dhe, ironikisht, edhe pa euologji.
    Flutura Acka, nga qe e ka njohur, kujton se e njeh gjithkush.
    Flutura Acka jeton ne boten e vet, per boten e vet dhe eshte e vetmjaftueshme.
    Duke respektuar vdekjen e Arlindes dhe duke mirebesuar si plotesisht te verteta per figuren e saj, te gjitha vlerat me te mira qe mund te kete nje vajze, nje grua, nje nene, nje moter, nje bashkshorte, nje partnere, nje mike, nje shoqe, nje kolege, nje bashkpuntoreapo nje fqinje, do ta konsideroja si shenje respekti per Arlinden nese, redaksia e gazetes, ti bashkengjise ketij shkrimi, 3-4 rreshta te dhena autobiografike per te.

    1. Grigor says:

      Respekte Posejdon
      Koment me vlera. Autorja e shkrimit ka bere dicka ne nje gjendje delirante, nje hartim, te cilin as ka menduar se do ta lexojne te tjeret. Ne fakt, ajo prandaj shkruan, qe ta lexojne te tjeret, por nuk ka respektin e duhur per lexuesit. Edhe redaksia po ashtu, perbehet nga diletante, qe jane zgjedhur me mik dhe jo me konkurs, apo nepermjet intervistave te paanshme. Arlinda t’a kete dheun e lehte atje ku eshte, dhe ditet qe ajo nuk jetoi dot t’u behen jete femijeve te saj, por ne nuk e njihnim para ketij artikulli, dhe nuk e njohim as mbas ketij artikulli.
      Edhe nje here respekte.

    2. shefi says:

      Vertet, nje biografi do vlente me shume se nje hartim face-book-u

  4. shoku says:

    Ketu ne Shqiperi te nxjerrin jashte orbite, me cilesite qe ka pasur Arlinda ( dhe vet shkrimi e tregon). Vetem ne vende me standarte ku respektohet njeriu per vleren qe ka, respektohet ligji, kultura, solidariteti vleresohen. Ketu duhet te shtiresh, te jesh mashtrues, hajdut, b.thlepires, injroant mundesisht pashkolle, por me dy- tre diploma, intrigrant, genjeshtar pse jo dhe vrases ( se te kane frik), ne menyre qe te levizesh brenda orbites. Ky eshte V.I.P i Shqiperise.
    Me keto cilesi ke perspektive te behesh dhe deputet.
    Ngushellime familjes per humbjen e madhe.

  5. Phoenix says:

    Ngushellime familjes! Nje lajm shume trondites. Me kujton te ndjerin Ardian Klosi qe pati te njejtin fat te keq. Me kujton dhe nje emision 2 ore rresht qe kam pare mbi demet qe ka bere pseudo-shkenca e psikiatrise. Ata i dyndin njerezit ‘pacientet’ me drogera ‘ilace’, te cilet me pas ose vrasin veten ose bejne masakra pa shkak sic ndodh rendom ne ShBA. Sepse ‘ilacet’ ua pershkruajne edhe nxenesve te shkollave.

  6. MAJAKOVSKI says:

    Shume e ndjere Flutura. Ngushullime per familjaret, te afermit dhe miqte. Ar-linda u prefsh ne paqe. Te njohem me shume nepermjet shkrimit te Flutures. Respekte.

  7. Gjini says:

    Duke gjurmuar titullin e romanit “Dashuri bjonde”, që e përmend autorja e shkrimit, Açka, del se e ndjera është Arlinda Cama. R.I.P.

  8. Konti Sbalta says:

    Nji shkrim i merituar per nji njeri te punes. Edh e pse “qyqia” nuk qau ,tashti qe fluturoi na beri ne te qajme ;bile jo vetem te qajme e te vajtojme per ata qe ikin kaq tragjikisht , por edhe te rrevoltohemi per shkaqet qe sjellin te tilla tragjrdi .
    Ngushellime fammiljareve .
    Fatmiri

  9. fieraku NGA ferrasi says:

    Bravo Flutura!
    Arlinda u prehte ne paqe.

  10. Kush ka mundur te njohi Arjlinden me krijitarine e saj ,nje model i Vajzes dhe gruas shqiptare,pa tjeter qe do ti duhen vellime te shprehe; sa dhimbien dhe cilesite dhe virtutet e asaj Ar-linde, lindur e perenduar -AR.
    Sot mora mandatin e kobshem, per ndarien nga jeta te Arlindes, mbresa lene mua, nje mesuesi, i dhene pas fansarve te shtypit e letersise.Ate njohur kur hidhte hapin e pare. Me intervisten e pare te saj,(do merte dipllomen),pashe kush do ishte Ajo.I faleminderit sa beri dhe, PAVDEKESi per Te. Ngushellime vajzes sa dashamiresve te saj.
    Nga tej oqeani dyfishuar dhimbia;(rroj une 82 vjecari dhe perciellim te tille-AR LINDA). Nje tufe lule per Te ,marre ate veshtrim tej shprehes. Si ish mesues,(pasion fotografin,pa tjeter me decidure), do te isha krenar te kisha nje nxenese,pasardhese si ARLINDA.
    I perjetshem Kujtimi saj-fiksuar jo nje here ne FOTO.(pasioni im nje jete.)
    Toronto 26-08-2017 Dh, Xhoga ( Guri Naimit D.)

  11. Pse O njerez na privoni te drejten per te nderuar kujtimin e kesaj te ndiere ARLlNDE ?! I pa vdekshem kujimi saj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje