Mes piktorëve të tjerë që ilustruan veprat voluminoze të udhëtarëve të mëparshëm britanikë që udhëtuan në Shqipëri ishte dhe Edward Lear (1812-1888), peizazhist, piktor dhe poet i periudhës Viktoriane në Britani. Pavarësisht sepse është i përmendur më shumë sot për “vargjet e tij origjinale e pa kuptim për fëmijët në letërsinë angleze”( Andre Hammond. The uses of Balkanism: Representation and Power in British Travel Writing,1850-1914. The Slavonic and East European Review, Vol.82,No.3(Jul.,2004) faqe 606), Lear në fushën e studimeve ballkanike përmendet për ditarin e vet “Journal of a Landscape Painter in Albania” i botuar për herë parë më 1851. Ditari është pasqyrim i mbresave dhe shënimeve të udhëtimit që Leare ndërmori në Shqipëri më 24 shtator –4 nëntor 1848. Janë të shumtë udhëtarët dhe piktorët të nxitur dhe të joshur nga ekzotizmi i veprave të Byron dhe veprës së Hobhauzit “A journey through Albania and other European provinces of Turkish Empire” që vizituan dhe skicuan Epirin dhe Greqinë por asnjëri prej tyre nuk vizitoi veriun e Shqipërisë dhe ish-kryeqendrën e rezistencës shqiptare në shekullin e XV, Krujën. E veçanta e Lear-it nuk është vetëm fakti se ai hyri nga lindja e Ballkanit( porti i Selanikut) por se udhëtoi gjatë e thellë në drejtimin jug-veri. Vetë Lear ndihet krenar për udhëtimin e ndërmarrë pasi thekson në ditarin e vet se është i “vetmi anglez që jep të dhëna për disa vende si pjesa e maleve Akrokerane, Kruja e rrethinat e Ohrit”(Afrim Q. Karagjozi. “Eduard Liri”. Botimet Enciklopedike. Tiranë: 1997. faqe 20)Në 2 tetor të vitit 1848 ai arriti deri në Shkodër ku u prit nga Zvkonsulli Britanik Spridon Bonnati. Edëard Lear kishte letra rekomandimi për z Bonnati dhe ai e rregulloi të flinte në shtëpinë e një farmacisti venecian të quajtur Marko. Pasioni i Lear-it ishte piktura dhe gravurat. Një nga karakteristikat e udhëtarit britanik në gjysmën e shekullit të XIX ishte se ai zakonisht e zgjidhte kauzën të cilën dëshironte të përkrahte përpara se të fillonte udhëtimin.( Barbara Jelavich. “The British Traveller in the Balkans: the Abuses of Ottoman Administration in the Slavonic Provinces” The Slavonic and East Review, Vol.33, No. 81(June.,1955) faqe 396). Lear bënte pjesë në këtë kategori udhëtarësh, pasi duke qenë para së gjithash një peizazhist dhe ilustrues me një ambicie të madhe,ai vazhdimisht ishte në kërkim të piktoreskes dhe sublimes të inspiruar nga panoramat e Mesdheut.( Andre Hammond. The uses of Balkanism: Representation and Power in British Travel Ëriting, 1850-1914. The Slavonic and East European Review, Vol.82,No.3(Jul.,2004)
faqe 606-607). Për këtë arsye pas vizitave të kortezisë te Pashai i Shkodrës dhe drekës së shtruar për nder të tij, ai nxitoi që të nesërmen të pikturonte pejsazhet e mrekullueshme të Shkodrës. Përveç pejsazheve Lear skicoi dhe portretet e të njohurve të rrethit miqësor të Spiridon Bonattit që ai takoi në Shkodër.
Ditën e katërt të qendrimit në Shkodër Lear-i e kish planifikuar për të pikturuar për miqtë. Që herët shkoi në shtëpinë e Konsullit përt të vizatuar një kapedan gegë, Abdullah Beun, i veshur aq mrekullisht në ato kostume në të kuq e me ar.( Afrim Q. Karagjozi. “Eduard Liri”. Botimet Enciklopedike. Tiranë: 1997. Faqe 33). I mrekulluar nga kostumet popullore shqiptare , Lear pikturoi Elena Bonnatin, vajzën e dytë të zvkonsullit britanik ne Shkodër, z Spiridon Bonatti, të veshur me kostum tradicional shkodran. Familja Bonatti kishte ardhur nga Korfuzi dhe ishte vendosur ne Shkodër. Me parë i ati i Elenës, kish shërbyer në Prevezë si konsull britanik. Ai shërbeu për një kohë të gjatë në Shkodër si zvkonsull i Britanisë së Madhe. Nga viti 1842-1847 pranë nënkonsullatës britanike punoi edhe Pashko Vasa si sekretar i kësaj nënkonsullate. Mesa duket në këto vite ai është njohur me Katerina Bonnatin(Ninën), motra e Elenës me të cilën ai u martua më vonë në 1860. Ata patën sëbashku katër vajza dhe një djalë, ndër të cilët tri vajza dhe djali vdiqën në moshë të njomë, ndërsa vajza e katërt vdiq më vonë, por edhe ajo e re, në moshën 28–vjeçare.
Gjurmimi i personazheve historikë që shfaqen në kronikat, akuarelet dhe tablotë të udhëtarëve dhe piktorëve të huaj në shekullin e XIX mund të fillojë të rindërtojë mozaikun e një Shqipërie të dikurshme që koha e ka dëmtuar dhe prishur. Epoka Viktoriane , periudha e vonë otomane në Shqipëri, Edward Lear, fisi Bonatti nga Korfuzi i vendosur në Shkodër dhe Pashko Vasa janë epoka historike e kulturore në të cilat jetuan personazhe historikë e kulturorë fati i të cilëve ndërthurrej sëbashku duke prodhuar, art, orientalizëm dhe imazh.
Shkodranja e sat eme: Po kush eshte trapi qe Ia vuri kete titull? Tjetra ishte angleze apo dhe britaniket jane shqiptare