Sot të gjithë deklarohen “armiq” të korrupsionit, të gjithë rrahin gjoksin duke u mburrur se “do ta luftojnë dhe do ta zhdukin korrupsionin”. Lufta ndaj korrupsionit gjithmonë ka patur tek ne oshilacione të pashpjeguara ligjore, duke penguar seriozisht betejën e pamundur.
Sot (ai) korrupsioni është ngritur në sistem, dhe është më rezistent ndaj ndryshimeve ligjore dhe politike. Korrupsioni është i pandarë nga aktiviteti jetik i çdo shqiptari, zyrtari politikani, etj dhe ka dalë fitues mbi betejat e “armiqve”.
Sot në Shqipëri korrupsionit i kanë shpallur luftë të gjithë, qytetarët e politikanët, intelektualët dhe qeveritarët, shoqëria civile dhe të gjitha sektet fetare, por ai ka ditur dhe vazhdon të mbijetojë. Të gjithë janë vetëshpallur si “armiq” të korrupsionit, kryeminitra e deputetë, ministra e presidentë, gjyqtarë e prokurorë, policë e drejtorë, biznesmenë e fermerë. Por të gjithë janë aktorë dhe faktorë të korrupsionit. Të gjithë janë viktima dhe xhelatë të korrupsionit.
Të gjithë marrin dhe japin, të gjithë e joshin dhe e forcojnë sistematikisht korrupsionin. Në Shqipëri edhe para viteve ’90, ekzistonte një farë korrupsioni, që kufizohej tek vlera të vogla monetare apo tek pulat dhe gjelat që dërgoheshin natën vonë në banesat e zyrtarëve të lartë. Por pas viteve ’90, korrupsioni nisi të ngjizej me hapa vigane, nisën rrugën e tyre mitmarrja, gjobëvënia, lufta për poste të blera me para, lufta për tu renditur në lista deputetësh në partitë politike ku natyrisht edhe kjo bëhej me para, gara e emërimeve dhe shkarkimeve ,etj. Korrupsioni u bë “shtëpia” dhe profesioni i dytë e çdo shtetari, politikani, gjyqtari, prokurori, avokati, noteri, ministri, e drejtori, gjithçka nisej, diskutohej dhe vendosej, pasi ishte rënë në ujdi për paratë.
Gjithkush e di se ndarja e posteve ka vite që është kthyer në biznes, me moton “gjithçka për para ”. Askund nuk mund të trokasësh dhe të kërkosh një favor në rast se ti nuk ke dijeni sa para duhet të japësh, pasi në të kundërtën të etiketojnë “budalla dhe jashtëtokësor”. Ky realitet denigrues ka shkatërruar institucionet, njerëzit, moralin, individin, zyrtarin, familjarin, edukimin dhe formimin e brezave të rinj, sistemin shkollor dhe shëndetsor, drejtësinë dhe gjithçka tjetër në këtë vend.
Nuk ka nismë dhe projekt-ligj, nuk ka platformë apo edhe parti politike, nuk ka shoqatë dhe qeveri vendore dhe qëndrore, që të mos ketë si kryefjalë “luftën ndaj korrupsionit”. Por fakti është se pas referateve dhe kumtesave, sërish ata kthehen tek korrupsioni, pasi e shohin si burimin e vetëm nga ku mund të bëhet dhe rritet pasuria e tyre. Nuk ka gjë më qesharake tek dëgjon “armiqtë” e kollarisur të korrupsionit, tek çirren për “luftë pa kompromis ndaj tij”. Nuk ka gjë më të shëmtuar tek dëgjon referues e lektorë tek flasin me orë të gjata për “sfidat e luftës ndaj korrupsionit”, kur prej vitesh janë nën hetim për mitmarrje, abuzime financiare dhe vjedhje parash nga fondet e shtetit.
“Armiqtë” e korrupsionit sot në Shqipëri, janë aktorët dhe aleatët e tij më të sigurtë dhe strategjikë. Janë ata që e krijuan deri në sistem, janë ata që mbajnë dhe perfeksionojnë tentakulat e tij, duke e bërë atë e keqja më e madhe e këtij vendi. Reformimi i strukturave të sistemit të drejtësisë dhe zbatimi pa asnjë vonesë e Vettingu-t, ndoshta do të zbehte disi fuqinë e paparë të korrupsionit në këtë vend, e fenomenit më negative që ka mbërthyer gjithçka morale, njerëzore dhe institucionale në Shqipëri.
Ne sistemin kapitalist korupsioni eshte i pa shmangshem ai eshte pjelle e ketij sistemi ka lindur me kapitalizmin dhe do te egzistoje per aq kohe sa do egzistoje sistemi kapitalist c’do perpjekje per ta luftuar ate eshte e kote.
Asnjë i korruptuar nuk ka frikë se ndëshkohet pasi nuk ka kush t’i ndëshkoj. Ministra, deputet, shtetar janë bërë si karkaleci, të ruajnë.
Rama do vazhdoj me ministrat e korruptuar.
Mjerë populli, mjerë ne.
Bravo, bravo, bravo… .Duhen shume breza qe te ndodh ndryshimi.
Edi Rama Kryeminister i Shtetit Shqiptar shpresa e fundit qe dota bej Shqiprin Shtet Ligjor
.