Aktorja e madhe shqiptare Hajrie Rondo ka humbur betejën me një sëmundje të rëndë duke u ndarë nga jeta në moshën 66-vjeçare.
Prej kohësh Rondo vuante nga një sëmundje e rëndë për të cilën edhe ishte gjithë kohës në trajtim por nuk arriti t’ia dilte me gjithë premtimet e saj se do bënte gjithçka për të qenë në jetë dhe për t’u ngjitur sërish në skenë.
Ajo njihet jo vetëm nga brezi i vjetër por edhe të rinjtë për rolet e saj të shumta si në filma ashtu edhe në komedi ku dha gjithë shpirtin e saj dhe duke u shkrirë me personazhin.
Hajrie Rondo lindi më 1 mars 1951 në Delvinë. Një aktore me diapazon të gjerë, ajo ka interpretuar në të gjitha gjinitë. Rondo ka luajtur rreth 120 role në teatër dhe rreth 40 role në filma. Deri në vitet e fundit ajo jetonte në qytetin e Fierit.
RIKTHIMI ME “TRE DHËNDURËT” PAS RIKUPERIMIT
Hajrie Rondo, edhe pse ndenji për një kohë të gjatë në heshtje skenike, në një moment, vendosi të rishfaqet, ashtu energjike siç është në karakter, në Teatrin e Metropolit në Tiranë, me dramën “Tre dhëndurët” të dramaturgut të njohur shqiptar, Dionis Bubani. Hajrie Rodo ka sfiduar sëmundjen që e mbajti prej më shumë se pesë vjetësh larg nga skena dhe ekrani, për të luajtur rolin e Zenepes. Për aktoren e mirënjohur Hajrie Rondo, pjesëmarrja në këtë shfaqje e ka bërë të ndihet mirë. “Erdha në kohën e duhur dhe vendin e duhur, sepse gjeta ekipin e duhur, njerëzit e duhur dhe institucion me dinjitet. Pashë që në këtë institucion punohet dhe dinjitetin ta jep puna, dhe unë njerëzit e punës i dua dhe i respektoj. Pashë një drejtoreshë tjetër, jo nga ato tipiket, puna e saj është maratonë.
Më janë krijuar kushtet dhe më është lehtësuar puna. Gjithashtu, edhe një regjisore të talentuar, egzigjente, punëtore dhe bashkëpunuese të mirë. Falënderoj dhe gjithë ekipin e aktorëve për komoditetin që më kanë krijuar”, pati thënë Rondo, duke e parë këtë edhe si një largim nga realiteti në të cilin ajo, do apo jo, me gjithë forcën, kujtohet përditë! “Arrita t’i bëja paralelisht të dyja: edhe terapitë mjekësore, edhe terapinë shpirtërore, që është teatri. I vendosa në peshore dhe ia dola”.
MEDALJA E MIRËNJOHJES “SIMBOLI I QYTETIT”
Ndërsa shfaqte komedinë “Tre dhëndurët”, e cila shërbeu si mundësi që Tirana të shprehë vlerësimin për kontributin e saj si një nga aktoret më të dashura për shqiptarët, aktorja Hajrie Rondo u prit disa muaj më parë në një takim të veçantë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, i cili i dorëzoi asaj Medaljen e Mirënjohjes, në shenjë vlerësimi për kontributin e dhënë ndër vite në teatër dhe në film, duke u shndërruar në një model frymëzimi për brezat e mëvonshëm të aktorëve.
Rondo, duke falënderuar Bashkinë, foli për sëmundjen e vet dhe theksoi se vetëm me punë dhe vullnet mund të arrihet çdo sukses, duke përballuar edhe sfidat që sjell jeta. “Faleminderit që kontributi dhe jeta ime ka qenë në vë- mendjen tuaj. Në jetën time kam pasur si lajtmotiv që ta shoh dhe ta përjetoj me ngjyrat më të bukura. Një nga këto ngjyra është ajo e profesionit që kam zgjedhur.
Ne kishim premierën në Teatrin e Metropolit dhe unë jam pjesë e asaj shfaqjeje. Kur dy zonjushat e nderuara, drejtoresha dhe Sonila, më bënë ofertën, isha në dilemë: ta marr apo jo? Të rri në shtëpi, të mbyllem dhe të bashkëbisedoj e trishtuar me sëmundjen, apo t’i them asaj def, ik tutje, sepse kam punë?
Zgjodha këtë të dytën, bëra mirë dhe ia dola. U lodha njëçikë, por stafi, drejtoresha, regjisorja dhe kolegët ma amortizuan dhe ma lehtësuan sëmundjen. Betohem dhe të jap fjalën se do të luftoj, do të luftoj fort t’i ngjit prapë ato shkallë, ajo është shtëpia ime”, u shpreh aktorja Rondo.
Filmografia
Ballkan Pazar (2011)
Ne dhe Lenini (2009), Semihaja
Dhimbja e dashurisë (2008) serial
Tifozët (2004) – (TV), Frosa
Borxhliu (1999) – (TV), Fija
Dashuri në krisma – (1997) (TV), Zenepja
Gjithë fajet i ka paraja – (1996) (TV)
Pesha e kohës – (1988), Evanthia
Një vit i gjatë – (1987), Donika Saro
Përrallë nga e kaluara – (1987), Tana
Kush vdes në këmbë – (1984), Lina
Një emër midis njerëzve-(1983)
nëntori i dytë – (1982), Lima Kepiego
Agimet e stinës së madhe, – (1981), Xifja
Vëllezër dhe shokë – (1980), Mara
Nderimet me te sinqerta per ikonen Hajrie Rondo dhe ngushellime familjareve per humbjen e njeriut te tyre te dashur
NJe humbje e madhe per artin shqiptar, Nje aktore e madhe qe personalisht me ka pelqyer shume ne te gjitha rolet e saj, ndjese paste dhe ngushellime familjes se saj!!
U prehte ne paqe!