Pas lajmit se një anije tregtare shqiptare e nisur drejt Maltës është ndaluar nga marina ushtarake e Libisë nën akuzën për transport të paligjshëm mallrash, ka reaguar edhe Ministria për Europën dhe Punët e Jashtëme.
Sipas MEPJ rasti po ndiqet intesivisht dhe se marinarët janë në anije dhe janë siguruar se nuk kanë asnjë problem.
“MPJ ka marrë të gjitha kontaktet e mundshme dhe kemi bërë ndërhyrjet tek libianët. Po e ndjekim instensivisht situatën. Po kërkojmë e përpiqemi për kthimin e tyre”, thuhet në njoftimin për mediat.
Por kush janë 5 marinarët e ndaluar në anijen “Envi 1”?
Mësohet se në anijen me ekuipazhin prej 8 anëtarësh janë edhe 5 marinarët shqiptarë Maliq Bushati, Avni Buzi, Artur Selimaj, Xhodet Celaj dhe Jurgen Balla.
Anija është në pronësi të një shqiptari dhe lundronte në det me flamur të Panamasë, ndërkohë që drejtohej nga kapiteni malazez, Marko Markoviç.
Autoritetet e Libisë e ndaluan atë në lundrim dhe e detyruan të ankorohet pranë një tjetër porti, atij të Zawyas. Anija ishte nisur bosh nga Porti i Durrësit më 5 shtator.