E majta e reformuar, dhe e djathta e radikalizuar

19 Shtator 2017, 19:41Blog TEMA

Nga Artur Ajazi

Ndryshimi i emrit dhe i sistemit politik në Shqipëri 26 vjet më parë, e ka identifikuar shpesh PSSH, me emrin e dikurshëm të PPSH, dhe jo vetëm kaq. Kjo për faktin se pavarsisht nga ndryshimi emrit, duket se ka ndryshuar mentaliteti, forma, përmbajtja dhe mekanizmat e funksionimit të kësaj force politike, përveç faktit se „socialistët“ nuk janë të dikurshmit, pasi ata janë sot politikanë karriere. “Ka ndryshuar filizofia e drejtimit, ka ndryshuar edhe praktika e zhvillimit dhe funksionimit të partisë“- ka thënë ish-lideri historik i PSSH Fatos Nano, pak muaj pasi doli nga burgu i Bënçës 20 vjet më parë.

E majta në Shqipëri i ka fillimet e saj qysh para 81 vitesh, dhe përgjatë rrugëtimit të saj, ajo ka patur shpesh zigzaket e reformimit dhe mosreformimit të saj. Në Shqipëri kush mbahet mend si “lider“, si mbret apo udhëheqës, e ka patur shumë të vështirë reformimin karakterial, dhe kryesisht atë politik të tij. Kjo ka ndodhur fillimisht edhe me mbretin Zog, i cili reformim të tij quajti lidhjen e pensionit të ndonjë kundërshtari politik, apo dhënien e ndonjë medalje “trimërie“ ndonjë atentatori të paguar ndaj tij.

Mbreti i vetëshpallur, pas një manovrimi juridik në Asamble, në vitin 1929, pavarësisht nga pakënaqësitë e vogla, mundi të krijojë disa aleatë mbështetës, për të përvetësuar pastaj gjithë pushtetet e mundëshme për 15 vjet me rradhë. Duke u kthyer afro 8 dekada më vonë, shohim se në realitetin e sotëm, një nga anët më negative të karakterit të politikanëve shqipëtarë mbetet “harresa” e cila vepron dhe shprehet hapur si njëlloj mekanizëmi elektronik, për shumë emra të rinj që duan t’i hyjnë politikës.

Ata lehtësisht përdorin manovrën e njohur, “fshirjen nga kujtesa” për të hequr tepricat nga programi dhe zanafilla e tyre politike. Mungesa e reformimit të politikës në Shqipëri, e ka dëmtuar seriozisht historinë e djeshmen, ashtu dhe të sotmen duke patur një efekt të rrezikshëm potencial për të ardhmen e forcave politike. Kjo për faktin se pavarsisht se e majta në Shqipëri, rezulton se e ka mbajtur shumë më gjatë pushtetin se e djathta, ka treguar së fundi se e ka nisur rrugëtimin e reformimit të saj, në ndryshim nga e djathta, e cila sa vjen dhe rradikalizohet. Klasat politike në Shqiperi, kanë nevojë për maturim dhe reformim esencial, por kjo po ndodh kryesisht tek e majta, ku padyshim rolin kryesor e ka Rama. Por në terrenin institucional, ndodhin përplasjet midis pushteteve për kompetenca dhe roli i të majtës në Shqiperi mbetet vendimtar, pasi ajo aktualisht ka shumicën.

Pa ardhur akoma në pushtet afro 4 vjet më parë, kjo e majtë, çdo gjë e shihte si shkatërrim, çdo arritje e shikonte si regres, madje edhe debatet konstruktive midis ekzekutivit dhe organeve të drejtësisë, duke i etiketuar “shkelje ligjore, apo tjetërsim kompetencash”. Realiteti flet qartë edhe sot, ku njëri pushtet nuk i bindet tjetrit, dhe kjo padyshim tregon se gjërat akoma nuk janë konturuar sipas ligjit në Shqipëri. Pavarsisht se është në pushtet prej 4 vitesh, (dhe ka fituar edhe një tjetër mandat qeverisës) e majta vazhdimisht fajëson Berishën, i referohet atij, për shkak të “presionit që po u bën pushteteve të tjera”.

Kurse tek e djathta, kryesisht tek individë të caktuar, ka akoma paragjykime të së kaluarës sipas të cilës “po qe se humbet pushtetin humbet gjithçka”. Ide e vjetëruar, sepse e djathta (PD) duket se i ka “harruar” se si vendosi brënda pak javësh nën zotërimin e saj shtabet e pushteteve të tjera. Por ka një gjë të rëndësishme që nuk duhet harruar, respekti ndaj Kushtetutës dhe garant i saj nuk është vetëm Presidenti, por duhet të jetë edhe klasa politike. Nga ana tjetër përplasjet institucionale dhe ndonjëherë edhe personale midis ekzekutivit dhe pushteteve të tjera, si Prokurori dhe Gjykata, kanë patur shpesh motive të dyzuara dhe të dyshimta.

Maturimi dhe reformimi vjen gjithmonë përmes zgjidhjes së konfliktit dhe ngërçit ligjor duke zbatuar Kushtetutën, pasi nuk mund të zgjidhet një problem duke paragjkuar, ngritur zërin, që të mbulohet diçka tjetër më e madhe, si kapja e shtetit dhe institucioneve të tij nga krimi apo korrupsioni. Padyshim që prej mungesës së reformimit e majta, ka më shumë gjasa ta humbë pushtetin.

Disa individë që po e mbajnë peng të djathtën (si në rastin e PD) të cilët kanë pushtet absolut mbi të, duket se janë edhe pengesa kryesore e reformimit të saj,duke penguar seriozisht luftën për ç’montimin e klaneve. Edhe shpresa e fundit që ishte mbi reformimin dhe ribashkimin e PD pas humbjes katastrofale të 25 qershorit, u shua pas “fitores” së hidhur të një kryetari që e ka kthyer partinë në pronë private.Basha asnjëherë nuk është parë në PD si një “reformator idesh apo programesh”, aq më tepër si një politikan karriere, por ai thjesht ka qenë paracaktuar si “trashëgimtari i Berishës” në krye të partisë qysh nga krijimi i KOP. Veç faktit të rradikalizimit të formave dhe metodave më të paskrupullta, kryetari vetëzgjedhur, nuk ka sjellë asgjë të re në PD, dhe as pritet të sjellë edhe në 4 vitet e tjera veç humbjes, dhe pastaj sërish “ringrirjes së tij”.

2 komente në “E majta e reformuar, dhe e djathta e radikalizuar”

  1. Kujtimi says:

    Basha eshte nje llapaqen qe nuk ka te arthme
    Basha eshte nje IC NE PD
    URIME

  2. Lili says:

    Aman bre,se na lodhet me idiotsite per te ´djathten shqiptaré kur ne fakt flisni vetem per ishkomunistat shqiptar!
    Cfare e djathte munde te perfasoje nje ish sekretar i partise apo nje ish spiun?
    Mos lini nam se te gjithe po e shohim tash lojen.
    Mos perzini te djathtet me mutin e juaj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje