Tifozët e Partizanit kanë braktisur ndeshjen e skuadrës së tyre kundër Vllaznisë në minutën e 65-të të ndeshjes.
Shkak për këtë largim nga stadiumi është bërë prania e ekzagjeruar e forcave policiore në tribunën ku ishte vendosur grupi i tifozëve kryeqyetetas si dhe largimi i disa prej tyre.
Pas një debati që u ndez në tribunë, forcat e policisë shoqëruan jashët stadiumit dy tifozë e më pas vazhduan të konfliktoheshin me tifozët e tjerë të pranishëm.
Në shenjë proteste, “Ultras Guerrils” dhe mbështetësit e tjerë të skuadrës së kuqe vendosën të largoheshin nga tribuna për të mos ndjekur minutat e fundit të ndeshjes.
Tifozeria e Partizanit ka protestuar vazhdimisht kundër forcave policore në vitet e fundit duke kërkuar që në tribunat ku gjenden ata të mos ketë “skafandra”. Kjo ka sjellë vazhdimisht përplasje me forcat e rendit, të cilat shpeshherë nuk kanë ngurruar të ndërhyjnë dhunshëm ndaj tifozerisë.