Në Kosovë të dielën u mbajtën zgjedhjet lokale. Gara zgjedhore u zhvillua në 38 komuna, ku u votua për kryetarët e rinj dhe përbërjet e reja të asambleve komunale.
Të drejtë vote kishin më shumë se 1 milion e 890 mijë qytetarë. Këtë të drejtë, sipas KQZ-së, e kanë shfrytëzuar 43.7 për qind e votuesve.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka konfirmuar se votimet janë zhvilluar në 899 qendra të votimit, me 2,505 vendvotime.
Për monitorimin e zgjedhjeve, KQZ-ja kishte akredituar rreth 33 mijë e 200 vëzhgues.
Në zgjedhje kanë marrë pjesë 91 subjekte politike, prej tyre një koalicion, 35 parti politike, 30 iniciativa qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur (qoftë për kryetarë komune apo për këshilltarë në Kuvendet Komunale).
KQZ-ja ka certifikuar 7,091 kandidatë, prej tyre 6,887 janë kandidatë për asambletë komunale, ndërkaq 204 kandidatë janë në garë për kryetarë komunash.
Prokurori i Shtetit: 5 persona janë ndaluar
Prokurori i Shtetit, ka njoftuar se gjatë ditës së zgjedhjeve, deri në orën 19:00, janë raportuar tri raste me pesë persona të ndaluar, lidhur me procesin zgjedhor.
“Dy persona janë ndaluar si të dyshuar për kryerje të veprës penale ‘Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin’”, si dhe “një person është ndaluar me dyshimin për kryerje të veprës penale, ‘Asgjësimi i dokumenteve të votimit’”, thuhet në komunaikatën e Prokurorit të Shtetit.
Dy persona të tjerë, sipas Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar si të dyshuar për kryerje të veprave penale “keqpërdorimi i detyrës zyrtare gjatë zgjedhjeve dhe keqpërdorimi i drejtës së votimit”.
Prokuroria apo ashtu njofton se në Mitrovicë të Jugut, janë ndaluar 6 persona, të dyshuar se kanë kryer veprën penale “Asgjësim i dokumenteve të votimit”. Këta të fundit, me vendim të prokurorit, janë liruar në procedurë të rregullt.
Policia: 14 incidente gjatë procesit zgjedhor
Policia e Kosovës, përmes një komunikate por medie, ka vlerësuar se “në aspektin e sigurisë në përgjithësi procesi zgjedhor ka kaluar i qetë dhe pa incidente madhore, të cilat në një mënyrë apo tjetër nuk kanë ndikuar në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor”.
Megjithatë, Policia e Kosovës ka njoftuar se në gjithë territorin e vendit “janë evidentuar disa raste penale, si dhe 14 incidente të natyrave të ndryshme, të cilat Policia e Kosovës i ka trajtuar dhe menaxhuar me sukses sipas procedurave të parapara ligjore”.
Lidhur me këto raste, në cilësinë e personave të dyshuar, me vendim të prokurorëve kompetentë, janë ndaluar pesë persona.
LDK në 4 Komuna, VV në 3 Komuna, PDK në 2, AAK në 2
Sipas exit pollit të realizuar nga “Klan Kosova”, LDK do të shkoj në katër Komuna të mëdha në balotazh, duke e përfshirë Prishtinën, Gjilanin, Ferizajn dhe Pejën. Lëvizja “Vetëvendosje” do të jetë në garë të balotazhit në Prishtinë, Gjilan dhe Prizren, PDK në Prizren dhe Mitrovicë, ndërsa AAK në Pejë dhe Gjakovë, raporton portali Zeri.info.
Edhe kandidatja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, do të jetë në garë të balotazhit në Gjakovë, madje duke prirë para kandidatit të AAK-së. Në Mitrovicë do të jetë në garë të balotazhit Agim Bahtiri i AKR-së.