Angela Merkel: Ky është ilaçi im kundër mendjemadhësisë dhe varësisë nga pushteti

30 Tetor 2017, 14:50Bota TEMA

Në një intervistë me revistën gjermane «Der Spiegel» kancelarja gjermane flet hapur për mënyrën se si e sheh politikën dhe përse ende dëshiron t’i shërbejë vendit.

«Po ia fillojmë menjëherë». Me këto fjalë kancelarja gjermane Angela Merkel i ka pritur gazetarët e «Der Spiegel» në intervistë.

Shumica e mediave në Gjermani shtrojnë pyetjen nëse është i drejtë vendimi i Angela Merkel për të kandiduar për herën e katërt për postin e kancelares.

Fizikania Merkel, e brumosur me etikën protestante të punës, i tha «Der Spiegel» se deri në nëntorin e kaluar kishte menduar nëse do të kandidonte sërish dhe në fund kishte ardhur në përfundim se «jam si deri më tani kureshtare – ndaj njerëzve dhe mbi atë se si po ndryshojnë jeta dhe vendi, dhe ndaj detyrave, të cilat i parashtron politika. Mendoj se kjo është më e rëndësishmja: që të mos besosh se i di të gjitha».

Në pyetjen e gazetarëve se çfarë mekanizma shfrytëzon për t’i ikur mendjemadhësisë dhe varësisë nga pushteti, Merkel u përgjigj shkurt: «Lexoj artikuj kritik në shtyp». Në vijim ajo shtoi: «Si kancelare unë jam nën vëzhgim të përhershëm të opinionit publik dhe të mediave – dhe kështu duhet të jetë.

Për mua me rëndësi janë bashkëpunëtoret dhe bashkëpunëtorët, të cilët qartë më thonë se si i shohin gjërat.

Një indikator tjetër i rëndësishëm është atmosfera në qarkun tim zgjedhor. Kur jam atje – dhe atje jam shpesh -, askush nuk është i emocionuar apo i habitur që po takon kancelaren. Aty menjëherë më tregojnë se çka po ecën mirë dhe çka jo».

Këtë të diele Merkel do të marrë pjesë në duelin televiziv me sfiduesin e saj nga Partia Socialdemokrate, Martin Schulz.

Kancelarja është e bindur se ky format televiziv është i rëndësishëm dhe rast për miliona shikues që ta kenë të qartë se «çfarë politike ofrojmë Martin Schulzi dhe unë në katër vitet e ardhshme». Zgjedhjet parlamentare në Gjermani do të mbahen më 24 shtator. Anketat parashohin një fitore të partisë konservatore CDU të kancelares Merkel. (E.R.)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje