Drejtori i Përgjithshëm i Partizanit të Beogradit, Milosh Vazura, është shfaqur para shtypit serb për të folur rreth situatës aktualisht në kryqytet para ndeshjes së rëndësishme kundër Skënderbeut.
Një nga temat sigurisht që ishte frika serbe për një tjetër fluturim droni mbi stadium. “Sa u përket dronëve, është detyrë e policisë. Ata kanë mjetet e tyre për t’i rrëzuar dhe është marrë çdo masë sigurie. Kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me policinë, do të jenë rreth 1500 policë të pranishëm, pa harruar këtu civilë apo shërbimet speciale. Unë pres të mos kemi probleme dhe të kemi maksimumin e masave të sigurisë”, tha ai.
Për gazetarët serbë përbënte shumë interes të dinin nëse vëllai i kryeministrit Edi Rama, Olsi, ishte i pranishëm në stadium. Në Serbi ai u akuzua në vitin 2014 se ishte personi i cili kishte drejtuar dronin mbi stadium.
“A ka ardhur Olsi Rama? Jo, ai nuk ishte as në Elbasan. Kam folur me drejtuesit e tjerë të skuadrës. Ata ndjehen të sigurt këtu, presidenti Takaj nuk ka mbërritur. Ka humbur pasaportën, nëse ia del ta marrë me procedura të përshpejtuara do të jetë i pranishëm në ndeshje. Ambasadori ynë ishte në stadium atje, me shumë mundësi i shqiptarëve do të vijë në stadium gjithashtu”, shpjegoi Vazura sa i përket popullimit të tribunës VIP.
Në fund, nuk mungoi një përgjigje edhe për premion që u ishte premtuar lojtarëve. “Nuk ka asnjë ndryshim nga ndeshjet e tjera. 130 mijë euro për fitore dhe 50 mijë euro për barazimin”, deklaroi ai.