Pas Sabien Lilajt, në konferëncën për shtyp në Antalia foli dhe mbrojtësi i Empolit në Itali, Frederik Veseli.
Qëndërmbrojtësi kuqezi u shpreh se takimi i nesërm përballë Turqisë do të jetë një test shumë i rëndësishëm për ekipin.
“Miqësorja me Turqinë është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Kemi pasur një javë kohë për ta përgatitur dhe besoj se do të japim maksimumin tonë për të marrë më të mirën. Nuk duhet ta vlerësojmë thjesht si miqësore. Kundërshtari është i fortë dhe duhet të jemi të kujdesshëm. Në grumbullimet e mëparshme kemi pasur më pak kohë për stërvitje, këtë herë kemi punuar shumnë mirë.
Tani jemi bashkuar edhe më shumë si grup, por kemi pasur mundësinë për të njohur edhe trajnerin pak më tepër”.
Veseli ka folur ndërkohë edhe për paraqitjen e tij me Empolin në Serinë B, por edhe për ofertat që ka pasur:
“Për sa i përket aspektit personal, po kaloj një formë të mirë, kam luajtur çdo ndeshje nga 90 minuta. Rezultatet kanë qenë të mira deri tani, po kohët e fundit kemi pasur disa humbje. Shpresoj të kthehemi në Serinë A.
Kam pasur oferta nga disa klube të Serisë A dhe kampionateve të tjera europiane, por presidenti i Empolit bëri të pamundurën për të më mbajtur. Kam kontratë dhe shpresoj që Empoli të ngjitet me mua në Serinë A”, tha Veseli.