Igli Tare ka fituar çmimin si drejtori sportiv më i mirë në kampionatin italian.
Drejtori sportiv i skuadrës së Lazios, ka dalë i parë në votimet e “TMW” duke marrë 34,99% të votave.
Në pronocimin e tij për “TMW”, ish lojtari i kombëtares shqiptare i falenderoi të gjithë për këtë çmim që pa kontributin e tyre nuk do ta kishte arritur këtë rezultat.
“Pa të gjithë komponentët, është e pamundur të arrish një rezultat. Duhet t’i bëj komplimente stafit tim, pastaj me Simone Inzagin kemi fatin që jemi një grup i cili punon bashkë prej më shumë se 12 vitesh. Kemi luajtur bashkë, pastaj ai është rritur në sektorin e të rinjve dhe tani është në ekipin e parë. Ai përfaqëson vlerat e klubit, skuadra luan një futboll entuziazmues dhe meritat janë të gjitha të tijat”, tha Tare.
Pas shqiptarit në vendin e dytë u rendit, Marko Xhianiti i Frozinones dhe Davide Vanjati i Spal që u klasifikua në vendin e tretë.
Ndërkohë, drejtori i Milanit, Mirabeli u pozicionua në vendin e pestë. (TemA)