Data 22 qershor 2018 do të jetë shumë e veçantë për Granit Xhakën, Xherdan Shaqirin dhe futbollistët e tjerë me origjinë shqiptare që luajnë në përfaqësuesen e Zvicrës. Në atë datë, helvetët do të luajnë përballë Serbisë duelin e tyre të dytë në fazën në grupe të Botërorit 2018.
Disa vite më parë, kur Shqipëria ndeshej me Serbinë në kualifikueset e Europianit, të gjithë këta futbollistë nuk ngurruan të deklaronin se u “hanin këmbët” të ishin në fushë në ato duele.
Tani, do të kenë mundësinë të tregojnë veten në sfidat ku nuk do të mbajnë veshur fanellën kuqezi, por do të përfaqësojnë atë që shpeshherë në vitet e fundit është quajtur si “Shqipëria B” për shkak të numrit të madh të shqiptarëve që ka në përbërje, raporton “VipSport”.
Përveç të tjerave, sfida do të jetë e veçantë pasi është edhe e para që luhet mes dy vendeve që pas shpërbërjes së plotë të ish-Jugosllavisë. Për herë të fundit, dy përfaqësueset janë ndeshur me ekipet A në vitin 2001, në kualifikueset e Botërorit 2002, kur ballkanasit mbajtën për herë të fundit emërtimin Jugosllavi.
Por që kur emërtohen si Serbia në aktivitete ndërkombëtare, Zvicra nuk është përballur asnjëherë me këtë përfaqësuese, që do të thotë se për Xhakën e Shaqirin, ashtu si edhe futbollistët e tjerë shqiptarë të saj, kjo do të jetë hera e parë.