“Drita e arkivave, dritë mbi arkivat!” Vëmendje mbi historinë, studiuesit mblidhen në Tiranë

13 Dhjetor 2017, 11:05Kulturë TEMA

“Shêjzat – Pleiades” në vijim të nismës për vlerësimin e burimeve arkivore të historisë sonë kombëtare, organizon më 15 dhjetor 2017 konferencën shkencore “Drita e arkivave, dritë mbi arkivat”.

Mësohet se në këtë konferencë janë të ftuar studiues të huaj dhe vendas që do të referojnë për rëndësinë e studimit të arkivave, si burime parësore për historishkrimin tonë.

Studiuesit e huaj dhe vendas kanë shpresur interes të vazhdueshëm për arkivat dhe fondet e veçanta ku janë përpunuar dhe ruhen materiale me rëndësi për historinë tonë.

Është njoftuar se në konferencë do të kumtojnë 14 studiues, ndër të cilët: Lucia Nadin, Italo Sarro, Persida Asllani, Ardian Ndreca, Pranvera Dibra, Marenglen Kasmi, Andi Rembeci, David Hosaflock etj., të cilët do të flasin për kërkimet e tyre në arkivat e Vatikanit, Venedikut, në Arkivin e Shtetit, në Arkivat Ushtarake gjermane dhe italiane, në Arkivin e MEPJ, në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë etj.

Organizatorët fjykojnë se prania e realiteteve të ndryshme në këtë aktivitet tregon se ekziston mundësia për të gjetur shtigje të reja bashkëpunimi për rakordimin e punës kërkimore mes intitucioneve dhe historianëve.

Risi e këtij aktiviteti është fakti se Aktet e konferencës do të prezantohen të botuara me “peer review” po atë ditë që do të mbahet konferenca.

“Mbështetja e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme është tregues i interesit që diplomacia jonë e sotme tregon për paraqitjen sa më objektive të historisë sonë kombëtare në botë.

Mbështetja e Ministrisë së Kulturës e një iniciative të tillë, me reliev të spikatur kulturor, tregon ndjeshmërinë e këtij institucioni themelor në promovimin e vlerave parësorë të kulturës dhe shkencës sonë.

Bashkëpunimi i ngushtë me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, është tregues i sinergjisë pozitive që ekziston mes institucioneve dhe studiuesve të cilët punojnë që drita e arkivave të kthehet në burim për shkrimin sa më objektiv të historisë sonë, larg intepretimeve të politizuara dhe atyre romantike,” shkruhet në njoftim.(TemA)

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje