Nga Pëllumb Kulla
E kaluara, me vlerat dhe bukuritë e saj, me dramat e tragjeditë që patën ndodhur, me përpjekjet e betejat, me vringëllimat e shpatave, me zhurmën e topave dhe mitralozëve me trokun e kuajve, me jehonat e hurrave, me të vdekurit e saj të lavdishëm dhe banalë, nuk gjen që nuk gjen dot prehje në përjetësinë që i takon!Sikur të gërmonim në fusha të tjera, aq sa gërmojmë në të kaluarën tonë, kushedi ç’minerale, kushedi ç’ujë dhe naftë, kushedi se ç’vend i begatë do të bëhej Shqipëria!
Kur njerëzit nuk janë në gjendje të ndreqin të tashmen dhe të venë themelet për të ndërtuar të ardhmen, kthehen dhe me zell të ndezur ndreqin të kaluarën.
Meremetimi i të kaluarës është tepër joshës, për nevojtarët. Kjo vjen ngaqë e kaluara jonë ka qenë aq e shëmtuar, aq sa tani të gjithë nxitohen të punojnë në të: të zhdukin, të fshehin, të dëshmojnë, të përkujtojnë, vetëm e vetëm që të zbukurojnë! Prishen e rikonstruktohen muzerat, pastrohen arkivat, qërrohen dosjet, dëshmitë e filmuara…
Shkojnë në karton librat e vjetra të historisë, abetaret, rafte të tërë bibliotekash. Vetë autorë librash heqin fashikuj të plotë nga vepra e tyre, ndërhyjnë në paragrafe dhe fraza të veçanta. Ata e duan pasaportën e qytetarit legjitim të Europës dhe mendojnë se, për të rregulluar të tashmen, duhen futur duart në të kaluarën.
Nevoja për të operuar me të kaluarën pjell shoqata, lëvizje, protesta. Propozimet për dekorata, urdhëra e medalje vërshojnë lumë në drejtim të Presidencës. I shpjenë në komision të dekorimeve gra të veshura në të zeza për burrat e tyre të vdekur, bij hijerëndë që me kursimet e pakta kanë botuar ditarët e baballarëve, – baballarë më së shumti njerëz të zakonshëm, – që bijtë kursimtarë mundohen t’i nxjerrin në dukje pa qënë ata kurrë më parë, në dritë në të gjallë të tyre.
Libra, libra, libra!
Kot u bien më qafë firmave të ndërtimeve! Tek ne epërsinë e kanë marrë ndërmarrjet e botimeve!
Të mrekullon zelli i ca individëve që kaluan dhjetëvjeçarë, rehatuar në prehërin e regjimit hoxhist dhe tani, siç edhe pritej, jo vetëm ndreqin të shkuarën e tyre, por janë kritikët e përshkruesit më të ashpër dhe më egërshanë të diktaturës. Bile, deri në ato shkallë që ajo nuk ka i ka pasë zbritur. Ata e ngarkojnë dhe e rëndojnë prehërin ku u përkundën duke “kujtuar” për veshët dhe sytë e të rinjve të sotëm, në të vërtetë duke shitur për heroizma leximet fshehurazi, të Fishtës, Frojdit, Niçes, Dostojevskit e deri nganjëherë dhe Shekspirit! Shteti komunist vërtet nuk i duronte dot këta emra, por mijëra e mijëra shqiptarë, pa puthjen e lamtumirës me mamatë e tyre shkonin dhe i gjenin lehtë këta autorë të papëlqyer të regjimit.
Kish plot njerëz që pa shumë drojë të thonin përmendsh 100 vargje të Fishtës. Unë mbaj mend që lexoja Frojdin në pikë të djellit shtrirë në rërën e plazhit të Vlorës, studentët e shkollës teatrale “A. Mojsiu” përkthenin, dramatizonin dhe përgatisnin për provimet e Mjeshtërisë së Aktorit copëza nga Karamazovët e Dostojevskijt. Për të mos thënë, pastaj, që Teatri Popullor vinte radhë tragjeditë dhe komeditë e anglezit të pavdekshëm.
Janë të shumtë ish komunistët, që me zell marrin hua jetën e kinezëve të revolucionit kulturor dhe e transplatojnë në Shqipërinë e Hoxhalisë. Nxitojnë ta bëjnë këtë se e duan që ta tundin si persekutimin e tyre intelektual, se persekutim tjetër nuk patën. Nevojat paskomuniste stërstërnxijnë realitetin dhe ndohtin të vërtetën historike, inflacoionojnë dëshmitë e tmerreve që gjithsesi ajo kohë i pati me bollëk.
Përpunimi i të kaluarës tek ne, në fakt, nuk është një shpikje e re e nevojave të ditëve sot. Nuk është se meremetimi i historisë po ndodh vetëm tani, pasi u përmbys diktatura. Ky vesi i meremetimit të historisë është trashëgimia më e pastër e saj.
Qëkur diktatura shaloi jetët e shqiptarëve, historia u bë toka më e lëruar e më e mbjellë se hapësirat e Myzeqesë. Diktatori vetë ishte punëtori më i zellshëm dhe bujku më i dalluar. Ngjarje të ndryshme vlerësoheshin dhe zhvlerësoheshin sipas nevojave dhe mendjeshkrepjeve të tij. Persona të gjallë e të vdekur ngriheshin në qiell, pas vitesh flakeshin për tokë dhe nuk vononin të ngriheshin prapë, pa skrupullin më të vogël. Priteshin shirita manjetofonësh me fjalime që nevoja nuk ua deshte më. Gërshërët e fotografëve, qërronin nga mbledhjet festive të luftës, pranitë e Sejfulla Malëshovës, Abaz Kupit, Popoviçëve, Tuk Jakovës, Mehmet Shehut, Nako Spirut e plot të tjerëve, nga ata, që pas tridhjetë vjetësh do të pushkatoheshin. Arrihej e u vihej gërshëra anëtarëve të Byrosë Politike të Stalinit dhe krerëve të ftuar nga shtete të tjerë, ngaqë në tribunën në Sheshin e Kuq, të gjorëve, ua patën caktuar vendet mes kreut të Moskës dhe Enverit tonë, që kish nevojë të dukej sa më afër carit të Kremlinit.
Emërtime sheshesh e rrugësh të qyteteve shqiptare viheshin dhe hiqeshin sipas drithërimave të trurit të Sëmurit të Madh.
Besnikët dhe bashkëpunëtorët e tij pasqyronin në shkrimet e tyre memorialistike tërë ndryshimet që, në një çast të caktuar, ndërmerrte i pari i tyre. Askush nuk habitej dhe nuk ngrinte zërin, kur një komandant, për të njëjtat merita lufte merrte Medaljen e Trimërisë, e pastaj, pas ca vjetësh merrte Urdhërin e Flamurit dhe, kur mbushte 50 vjetët, shpallej Hero i Popullit! Edhe pse meritat tashmë qenë po ato, të asaj medaljes së parë.
Dukej sikur bëhej një herë lufta, e pastaj bëhej heroizmi për atë luftë!
Ja pra, e kaluara, me vlerat dhe bukuritë e saj, me dramat e tragjeditë që patën ndodhur tek ne, me përpjekjet e betejat, me vringëllimat e shpatave, me zhurmën e topave dhe mitralozëve me trokun e kuajve, me jehonat e hurrave, me të vdekurit e saj të lavdishëm dhe banalë, nuk gjen që nuk gjen dot prehje në përjetësinë që i takon!
Dhe historia lëpin plagët dhe rënkon.
ktij muhabeti I thojn “histori vari kart”!
dhe ktij mileti I thojn “debila historic”
kurse shqiptarve “rrota kari emblematic”
Po ti o Kulla,a nuk po ben te njejten gje?
Cfare te reja na solle ti sot,kur keto sharje e shpifje i kemi degjuar per 27 vjet?
Kuptohet,se perderisa nuk ke se cfare te mburresh ne keto 27 vjet,doemos qe do shash te shkuaren!
Ti ke qene nje nga jeniceret e diktatures,qe tallje ballistet ,ndersa tani tall partizanet!
Turpi te mbulofte!
ore ti i zemblakut , ata emra qe permend, komunizmi i analizonte me te mirat dhe te metat e tyre . ata ishin figura letrare te njohura .Komunizmi te ka nderuar dhe ty, bile dhe numuri nje i tij ne shqiperi me shpresen se ishe i ri dhe do i sherbeje atij , pra vendit . Por mesa shoh ..aha..!.. Vec ta dish , korca e di mire historine , por me shume na duhet uniteti , vellazeria me njeri tjetrit . Kam njohur shume nga patriotet e tu dhe kisha respekt pasi ishin njerez te mire. Nuk me ka pelqyer lufta e klasave ..!Pas rrezimit te komunizmit , jam aktivizuar ne krijimin e Partise Komuniste te Hysni Milloshit , pamvaresisht se nuk isha komunist me dokument ne kohen e Partise se Punes, ne kohen kur ju” caheshit” per tu bere komunista , kam qene dhe ne zemblak , ne kinemane e saj , ku gurret e simpatizanteve te pseudokomunistit Berisha , thyenin qaramidhet per te na penguar ne krijimin e organizates baze .Por ne e ngritem , pasi me te idete e pluralizmit kane kuptim , me te te ngrehur behen analiza politike dhe krahasime ku ishim dhe ku jemi etj etj ..Komunizmi eshte ide e pavdekeshme qe ekziston kudo ne bote , qe mbron shtresat e popullsise te ndereshme ..Kete e shoh dhe ne vendin Europjan ku jetoj per rreth tridhjet vjet ..!