Nga Altin Ketro
Lëvizja Socialiste për Integrim duke se po e përjeton shumë rëndë mosqenien e saj në pushtet. Pas 8 viteve në qeveri, herë me të djathtën e herë me të majtën, kjo forcë politike që shpesh herë konsiderohej edhe si “kingmaker”, u trondit shumë kur numrat e saj në zgjedhjet e fundit nuk i dhanë mundësinë ta vijonte këtë lojë pushteti me përcaktimin e fateve të krijimit të mazhorancës së radhës. E ndodhur larg të qenit në qendër të vëmendjes, ky formacion politik duket se po gjen veten në krahun e radikalizmit, i cili bie ndesh me filozofinë e kahershme të ish kryetarit, sot President, që i kishte dhënë LSI-së frymën e një formacioni konstruktiv i cili shpërfaqej se sakrifikonte veten për të tjerët.
Sa herë dëgjoj artikulime politike nga kryetarja në detyrë, nga ish kryetari dymujor, apo nga një ish ministër i shkarkuar, shoh një lloj pezmi dhe të qenit pishman se përse nuk e rrëzuan me kohë qeverinë “Rama 1”. Jo vetëm kaq, po vënë në dukje se ishin këta që e mbajtën në pushtet Partinë Socialiste.
Duke u kthyer pas në kohë, më rezulton se nuk është ashtu siç mendon udhëheqja e LSI-së. Në rast se do i hyjmë debatit se cilët mbajti në pushtet LSI-ja, atëherë do na duhet të shkojmë në vitin 2009. Atë vit LSI ishte parti opozitare jashtë çdo aleance me PD-në. Kush ka pak kujtesë historike do kujtojë se e gjithë fushata e LSI-së dhe Ilir Metës u ngrit me parullën e antiberishizmit. Në çdo diskurs publik të komunikimit elektoral nuk kishte rast të mos e theksonin këtë, pikërisht faktin që kjo parti luftonte të nxirrte në opozitë Berishën pas situatave tronditëse që ndoqën mandatin e parë të tij midis të cilave veçohej tragjedia e Gërdecit. Por, ç’ndodhi pas zgjedhjeve?! Ishin pikërisht ato 4 mandate të arta që mori LSI-ja të cilat u bënë shkaku që Berisha të merrte një mandat të dytë qeverisës. Pra, të bësh fushatë kundër tij dhe pas zgjedhjeve të bëhesh shkaktari që e mban në pushtet, kjo po që është ajo që i shkon përshtat thënieve të sotme të Kryemadhit & CO; pra që LSI ka mbajtur në pushtet… PD-në.
Në rastin e PS-së ndryshon kryekëput situata. Sepse në prag zgjedhjet e vitit 2013, LSI-ja lidhi koalicion parazgjedhor me PS-në dhe u futën si një trup i vetëm nën siglën ASHE ndryshe “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”. Kjo lloj mënyre e të ardhurit në pushtet është forma më demokratike, sepse nuk e gënjen elektoratin si në vitin 2009, por i thua hapur se ja cilët jemi e me cilët do bashkëpunojmë pas zgjedhjeve.
Gjithsesi, kjo çështja e rrëzimit nga pushteti të Ramës prej LSI-së mbetet hipotetike. Vetë kryetarja Kryemadhi ka thënë kohë më parë se edhe po të iknin nga qeveria, Rama i kish numrat se kishte gjetur disa deputetë nga radhët e opozitës. Unë vërtet do kisha dashur ta kishin vënë Ramën dhe PS-në në një sprovë të tillë. Sepse personalisht do të isha kundër kësaj mënyrë të të qëndruarit në pushtet me vota renegatësh që ishin votuar për të qenë në opozitë. Ndonëse kjo situatë nuk ndodhi, kam bindjen se kryeministri Rama nuk do të binte në batakun që ra Berisha duke peshkuar për dy muaj qëndrimi në pushtet votat e Kaçit të Zi e të nja 2 zijoshëve të tjerë. Kjo do të ishte thjesht një zvarritje në pushtet dhe mbajtje peng të qeverisjes nga oreksi i disa ish opozitarëve që nuk do ndanin moral, por thjesht pazar.
Megjithatë, edhe në këtë rast, LSI-ja bën fallxhoren me teza hipotetike se nëse ajo do ta rrëzonte qeverinë, PS-ja do shkonte në opozitë. Rezultati i qershorit 2017 nuk e favorizon në këtë pritshmëri. Thjesht Shqipëria do të shkonte në zgjedhje të parakohshme të cilat do mbaheshin diku nga marsi, pra rreth 3 muaj përpara atyre të qershorit. Askush nuk mund të thotë që PD-së s’do të dilte edhe më keq se ç’doli, bile edhe LSI-ja mund të merrte edhe më pak, ndërkohë që PS nga 74 mandate mund të merrte edhe 84 të tilla. Opozita e asaj periudhe ka qenë tejet e çorganizuar, pa alternativë qeverisëse, pasojë e një gjumi të gjatë letargjik.
Fakti që nuk iku nga qeveria është sepse kishte hallin e pjesës së vet që ndante në tepsinë e pushtetit, për të cilat organizonte edhe takimet e përjavshme me kryeministrin në kryesinë e Kuvendit apo në Vilën 30, përpara se të jepte votën Pro në seancën plenare.
Çdokush politikan që kthen kokën pas e ka të lehtë të thotë “po sikur”, ndërkohë që liderët e mëdhenj maten për hapat që hedhin në kohën dhe vendin e duhur. Rama, p.sh., e bëri këtë në marrëveshjen e 18 majit kur lëshoi pushtet për të ruajtur stabilitetin e vendit. Dhe për këtë siguroi një mazhorancë të qëndrueshme i vetëm.
Nëse LSI-ja me tezat radikale për të braktisur Kuvendin apo për të bërë politikë nga rruga beson se do të shumëfishojë votat, gabon rëndë. Tashmë elektorati shqiptar është aq i pjekur politikisht sa që nuk u jep më besim formacioneve politike që sillen si ekstremistë.
Heqja dorë nga alternativat që shpalosen në institucione dhe kthimi në rrugë si mënyrë e të bërit opozitë, janë forma që kanë sjellë dështimin e aspirantëve për pushtet.
Historia na tregon se Berisha u rikthye në pushtet në vitin 2005 pasi hoqi dorë nga radikalizmi i rrugës. Këtë radikalizëm e tentoi Rama në vitin 2009, por nuk ia doli të ketë sukses. Të njëjtën gjë përsëriti edhe Basha në vitin 2017 dhe u shpartallua si parti.
Ai që ka sy të shikojë, vesh të dëgjojë e mendje të gjykojë, e ka të lehtë të mësojë nga pësimet e të tjerëve. Kur e bën me vetëdije radikalin e rrugës, nuk është më çështje pushteti, por sikleti. Se për çfarë, këtë do ta shohim prej zbatimit të Reformës në Drejtësi. Deri atëherë, udhë të mbarë drejt dështimit në radikalizmin e sapo shpallur opozitar.