Kreu i Partisë Agrare Ambjentaliste Agron Duka ka rrëfyer detajet e para të të ashtëquajturit “boshti i tretë” i politikës në vend.
Ai thotë se bashkë me 10 parti të tjera politike do të vijë me një platformë konkrete në muajin janar.
“Në mbyllje të këtij viti, i cili ka qenë mjaft i ngarkuar për politikën shqiptare; dhe si pasojë e dinamikave që morën ngjarjet, dhe efektet që ato patën mbi partitë alternative, vendosëm të hedhim disa hapa të cilat do të konkretizohen duke nisur nga janari i ardhshëm.
Mund të them se rezultati i parë do të jetë krijimi i një boshti prej 10 partish, parlamentare dhe jo, dhe bashkërisht do të prezantojmë një platformë me propozime konkrete; sigurisht, guri i themelit i këtij bashkimi është “Reforma Zgjedhore”.
Lançimi i kësaj ideje politike, e kësaj alternative, do t’i bëjë mirë shoqërisë shqiptare dhe vetë jetës politike në vend, pasi kërkon që procesi zgjedhor të lejojë përfaqësimin e sa më shumë shtresave të popullsisë.
Ideja e një poli të tretë apo të qendrës, në thelbin e saj ka edhe një efekt tjetër pozitiv, limiton mazhorancat e plota nga një forcë e vetme; eksperiencat kanë treguar që mazhoranca, sidomos aktualja, sillen me arrogancë dhe për të frenuar këtë sjellje është e rëndësishme të ketë një ekuilibër në çdo mazhorancë të ardhshme.” tha Duka në “Koha Jonë”.
Gjatë kësaj jave, lideri i PAA-së publikoi disa fotografi të një takimi që zhvilluat në Durrës me Bamir Topin, Ben Blushin, Dashamir Shehin, Nard Ndokën dhe Vangjel Dulen.(TemA)