Me mbrojtësin Fisnik Zuka vlonjatët e kanë mbyllur merkaton e dimrit dhe tani duken “top” për vazhdimin e kampionatit, ky synojnë një ecuri më të mirë, sigurisht, nëse do të lejohen nga “xhaketat e zeza”.
Trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro, në një intervistë për “Vip Sport”, pohon se merkatoja e dimrit mund të quhet e mbyllur. Ai velrëson faktin që është rritur ndjeshëm konkurrenca në grupin e lojtarëve dhe flet për objektivin e sezonit.
Profesor Duro, keni marrë edhe lojtarin e katërt në merkaton e dimrit. A e ka mbyllur Flamurtari merkaton?
Besoj se po. Me ardhjen e lojtarit Zuka, them se e kemi mbyllur merkaton e dimrit. Madje, e pranoj se edhe 4 lojtarë të afruar janë shumë në një merkato dimri. E kemi forcuar ekipin, ndërkohë që na rikthehet edhe mbrojtësi Veliu nga dëmtimi.
Tani është radha e ndonjë largimi…?
Unë nuk heq njeri, por do të shohim. Mund të ketë ndonjë huazim, pasi ka skuadra që na kërkojnë lojtarë të ndryshëm. Këtu bëhet fjalë për lojtarë të rinj, pasi nuk mund të huazojmë lojtarët që janë në moshë të madhe. Nuk mendojmë për largime, por do të shohim, pasi ka edhe disekuilibër për ndonjë lojtar në lidhje me pagesën dhe rendimentin e tij në fushë.
A do të rinovojë mbrojtësi Ivan Jakovljeviç?
Këtij lojtari i ka përfunduar kontrata dhe ende nuk kemi vendosur. Do të shohim ditët e para të muajit të ardhshëm.
Keni marrë lojtarë me karakteristika gati të njëjta dhe të gjithë për sulmin. Në çfarë gjendje janë ata aktualisht?
E kam parim në punën time që nuk marr lojtarë që nuk kanë luajtur rregullisht. Marr vetëm lojtarë që i njoh mirë. Po t’i shikoni, të gjithë kanë qenë në aktivitet. Kemi marrë lojtarë për sulmin, sepse aty Flamurtari ka pasur më shumë nevojë në këto 16 javë. Nedeljkoviç luan në të dy krahët e sulmit, ashtu si dhe Muarem dhe Gafuri. Por edhe Zuka luan edhe në të majtë të mesfushës, përveçse në mbrojtje. Mbrojtja ka qenë reparti më i mirë. Kemi pësuar më pak gola dhe shumicën me penallti. Prapavijën e kemi të blinduar.
A jeni më i qetë tani që edhe stolin e keni shumë të mirë?
Ne kemi pasur stol, por tani jemi më mirë. Do të thosha se jam i kënaqur që në ekip do të ketë më shumë konkurrencë, që do t’i bëjë mirë ekipit.
Faza përgatitore në Turqi?
Po, do të shkojmë dy javë në Turqi. Nuk e kishim në plan, por kur mësuam shtyrjen e kampionatit nga FSHF-ja, vendosëm të stërvitemi dy javë në Turqi.
Me siguri do të luani edhe miqësore, i keni gjetur kundërshtarët?
Po, kemi planifikuar 3 ndeshje miqësore dhe unë, si trajner, kam fiksuar datat, për kundështarët vendosin të tjerët.
Profesor Duro, deri tani nuk ka pasur një objektiv konkret, por pas 16 javësh është e qartë se çfarë mund të bëjë ky Flamurtar?
Nuk kemi folur për objektiv konkret, sepse presidenti, z.Sinan Idrizi nuk na ka kërkuar objektiv. Ai është i kënaqur kështu dhe qëllimi ynë është që të bëjmë diçka të mire këtë sezon, që të jenë të gjithë të kënaqur, gjithë opinioni në Vlorë, drejtuesit dhe ekipi. Rezultatet janë pozitive, edhe pse ndoshta shpenzimet janë më të ulëta se më parë.
Por Skënderbeu i pari dhe Flamurtari më pas sikur kanë krijuar një shkëputje nga të tjerët…
Pikërisht ky është pengu im te Flamurtari këtë sezon. Kam shumë respekt për Skënderbeun dhe gjithçka që ka bërë këtë sezon, por Flamurtari duhej të ishte shumë më pranë tij me pikë. Nuk na kanë lënë dhe ky është një rast i rrallë. Janë shumë raste kundër dhe asnjë pro. Nuk e di se kur do të gjuajmë një penallti. Kulmi ishte ndeshja e fundit me Laçin, ku ne u penlizuam hapur, siç e pane të gjithë.