Me lëvizjet që klubi vlonjat bëri ditët e fundit të vitit 2017, u kuptua qartë se do të kishte largime nga Flamurtari.
Tre nga katër blerjet e bëra nga trajneri Shpëtim Duro, Nedeljkoviç, Gafuri dhe Muarem, janë për sulmin, që do të thotë se dikush duhet të ulet në stol apo të largohet.
Dhe të gjitha rrugët të çojnë te brazilianët Alvesh dhe Zhufo. Madje, Danilo Alvesh, nga më të paguarit në ekip, mund të shitet, nëse ka oferta serioze. Për të interesohet Partizani, por gjithçka është ende në kuadrin e fjalëve.
Mbrojtësi Ivan Jakovljeviç, të cilit i përfundoi kontrata në fund të 2017-ës, është larguar përfundimisht nga Flamurtari.
Trajneri Duro e ka nxjerrë jashtë liste dhe aktualisht për mbrojtësin serb po interesohen Vllaznia dhe Kukësi, por kërkesat financiare të këtij lojtari janë të larta.
Mesfushori Haxhi Neziraj ndërkohë është spostuar të të rinjtë, kurse për Lejdi Liçajn, i cili ishte gati të kthehej te Luftëtari, drejtuesit e klubit vlonjat po mendohen për momentin dhe ende nuk kanë vendosur çfarë do të bëjnë. Flamurtari e ka mbyllur merkaton dimërore me 4 blerje.