DETAJET: 8 persona të plagosur nga shpërthimi i telekomanduar, shënjestër i "forti i Shkodrës"

13 Janar 2018, 15:46Kronika TEMA

Një shpërthim i fortë tronditi qytetin e Shkodrës paraditen e sotme duke plagosur të paktën 8 persona.

Policia raportoi se shpërthimi i eksplozivit ndodhi në lagjen Rus, pranë tregut të qytetit.
Mësohet se shënjestra e dyshuar e këtij atentati është shtetasi Lulzim Kulla i cili ka marrë plagë të rënda në trup.

Kulla është një person me precedentë të mëparshme penale dhe i skeduar nga policia e Shkodrës. Në qershor të vitit të kaluar ai u arrestua nga policia për kultivim të lëndëve narkotike në zonën e Dukagjinit, por u lirua sërish pas disa muajsh.

Ndërsa pas vitit 1997, Kulla është njohur edhe si i forti i Shkodrës, pasi dyshohet se ka qenë pjesë e disa grupeve kriminale në atë kohë.

Grupi hetimor ka konkuduar se lënda shpërthyese, rreth 300 gram tritol, ishte vendosur në një motor i cili ishte parkuar mes banesës së Kulles dhe mjetit të tij të parkuar pak çaste para shpërthimit.

Aktivizimi i lëndës plasëse, që dyshohet se është realizuar me komandim në distancë, ndodhi kur Kulla u afrua për tu futur në banesë, çka sipas policise ngre dyshime se lëvizjet e tij janë survejuar nga organizatorët e atentatit.
Ndërkohë veç provave materiale në vendngjarje, kanë nisur verifikimet e kamerave të sigurisë që ndodhen rreth vendngjarjes për të identifikuar së paku personin që ka parkuar motorin bombë. Dëshmitarë okularë tregojnë momentin e shpërthimit.

Burime nga stafi mjekësor konfirmojnë se 7 të plagosurit e tjerë kanë marrë dëmtime pa rrezik për jetën.

Njoftimi nga Policia 

Sot rreth orës 10:45 në lagjen ‘Partizani’, Shkodër, ka ndodhur një shpërthim me lëndë plasëse. Menjëhere kanë shkuar forca të shumta policie ku konstatuan se në një mjet tip motor dyshohet se ishte vendosur lendë eksplozive.

Si pasojë e shpërthimit janë plagosur shtetasit L.K. 42 vjeç, banues në Shkodër, pronar i objektit dy katësh, i cili po hipte në mjetin e tij dhe ndodhet në gjendje të rëndë, D.M, 32 vjeç, banues në Shkodër, ndodhet në gjendje të rënde dhe G.C., 40 vjeç, banues në Shkodër, jashtë rrezikut për jetën.

Të tre këta shtetas u derguan në Spitalin e Traumës Tiranë për mjekim te specializuar. Lendime me të lehta kanë pesuar dhe 5 shtetas të tjerë që ndodhen në spitalin rajonal Shkodër për ndihmë mjekesore.

Në vendngjarje ndodhet grupi i posaçem hetimor nën drejtimin e Prokurorisë Shkodër dhe po punohet për zbardhjen e autoresisë së kësaj ngjarje. Policia ka ngritur pika të shumta kontrolli në pikat hyrëse dhe dalëse të qytetit.

Forcat e Rendit dhe FNSH e Shkodrës kanë kryer shoqërime dhe po marrin deklarime nga persona që mund të kenë dijeni për rrethanat e ngjarjes.

Agjentet e Krimeve kanë sekuestruar pamje filmike me vlerë për hetimin. Në Shkodër kanë mbërritur dhe eksperte të Krimeve nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë dhe drejtuesi i FLO. (TemA)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje