Simbolika, 550 rrënjë ulliri në Petrelë për 550-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut

17 Janar 2018, 16:59Sociale TEMA
Simbolika, 550 rrënjë ulliri në Petrelë për

Veliaj: “Skënderbeu, figura që na unifikon të gjithëve; Do të kemi vitin më të  gjelbër që ka parë Tirana”

Në përkujtimin e 550-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, kryeqytetit iu shtuan 550 ullinj rreth Kalasë së Petrelës, si simbol i shpresës, miqësisë dhe i jetës. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me përfaqësues të komunitetit të arbëreshëve të ardhur nga Italia, iu bashkuan aksionit për mbjelljen e ullinjve të rinj, që do të jenë pronë e banorëve të zonës, si një trashëgimi e pasur që vjen që nga koha e Skënderbeut.

Veliaj vlerësoi se Heroi ynë Kombëtar është e vetmja figurë që unifikon të gjithë shqiptarët dhe përcjell tek brezat mesazhin e bashkimit. “Sot është 17 janari, viti dhe dita kur kujtojmë Skënderbeun, 550-vjetorin e vdekjes, dhe unë besoj se fabula e tij në fakt është një fabul bashkimi që flet gjithnjë e më fort. Në një moment kur ne shqiptarët e kemi zakon që të devijojmë, të humbasim fokusin, të përçahemi, të pengojmë njëri-tjetrin, Skënderbeu është ndoshta e vetmja figurë që na unifikon të gjithëve dhe për të cilin nuk kemi debat. Ndaj jam shumë i lumtur sot që të gjithë vëllezërit tanë arbëreshë nga jugu i Italisë, na u bashkuan sot jo vetëm për të përkujtuar vitin e Skënderbeut, por edhe për disa simbolika shumë të forta”, theksoi ai.

Duke ftuar qytetarët e Tiranës që t’i bashkohen nismës së Bashkisë së Tiranës për shtimin e gjelbërimit në kryeqytet me pemë të reja, Veliaj theksoi se në këto kohë një patriot i mirë është ai që kujdeset për vendin e tij. Në këtë vit jubilar, kryebashkiaku theksoi se mënyra për të qenë patriot i mirë është mbjellja e një peme ulliri, si një pasuri e cila u lihet trashëgimi brezave. “Skënderbeu ishte vetë i pasionuar pas ullinjve dhe fakti që inkurajonte çdo çift të dashuruarish të mbillte një rrënjë ulliri, do të thotë se pavarësisht se në ato mote kishte luftë, dashuria ndaj atdheut nuk tregohej vetëm me shpatë, por tregohej edhe me dashurinë për atë copë të atdheut që secili kishte në administrim, qoftë në kalanë e Petrelës, e Krujës apo kudo tjetër ku ishin shqiptarë. Sot patriotizmi nuk kërkon të krekosemi dhe të nxjerrim shpatat për të pasur të drejtën në mejdan, por për t’u siguruar që aty ku perëndia apo njeriu na ka sjellë të shërbejmë, ta administrojmë me të njëjtën dashuri që tregohej që në kohën e Skënderbeut”, u shpreh Veliaj.

Falë ritmit me të cilin po punohet për mbjelljen e fidanëve të rinj, jo vetëm në zonat rurale, por edhe brenda qytetit, 2018 do të jetë viti më i  gjelbër për Tiranën. Veliaj siguroi se deri në 21 mars, që përkon me Ditën Botërore të Pyjeve, në kryeqytet do të jenë mbjellë mbi 100 mijë pemë të reja. “Më vjen mirë që deri në datën 21 mars do të kapim dhe do të kalojmë rekordin tonë të 100 mijë pemëve. Jemi në mbi 75 mijë pemë vetëm në këtë sezon mbjellje. Nëse do të vazhdojmë me këtë frymë, me kompanitë, me vullnetarët, me dashamirës, me patriotë, me qytetarë të mirë, do të kemi vitin më të gjelbër që ka parë Tirana”, tha ai.

Aleksandër Kuço, arbëresh nga rajoni i Siçilisë në Itali, theksoi ky 17 janar shënon fillimin e një bashkëpunimi të gjatë dhe është prova konkrete e ruajtjes së lidhjeve me vendin amë. “Për ne është një nder shumë i madh dhe jam shumë i emocionuar. Ky do jetë fillimi i një bashkëpunimi që nuk do të mbarojë kurrë, por përkundrazi do të zgjatet përgjithmonë sepse ju jeni rrënjët e ne jemi “degët që s’u thanë”, siç thotë Vaçe Zela tek një prej këngëve të saj”, u shpreh Kuço.

Në kuadër të organizimeve për vitin jubilar të Skënderbeut, figura të larta shtetërore nga Shqipëria, Kosova dhe trevat e tjera shqiptare kanë ardhur në Tiranë për të marrë pjesë në aktivitetet e shumta në përkujtim të figurës dhe veprës së Heroit tonë Kombëtar.

2 komente në “Simbolika, 550 rrënjë ulliri në Petrelë për 550-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut”

  1. Laert says:

    Opo si nuk ka turp ky njeri xhanem?
    Ngeli duke mbjelle peme per dite!
    A e kupton ky njeri se nuk eshte brigadier kooperative,por kryebashkiak i kryeqytetit prej 1 milion banoresh?
    A i di ky njeri se sa pune ka detyra e tij,qe te kontrolloje edhe vartesit se si i kryejne detyrat e vtyre?
    Doemos qe nuk ia ka haberin se ky nuk di se cfare hallesh ka populli qe e votoi,se as ai e as rrogtaret v tij nuk duan t’ia dine per ankesat e popullit se nuk i degjojne!
    O kryebashkiak i mjere!
    A te thote ty njeri se keto qe ben ti jane pune koti dhe se te takon te rrish 24 ore ne krye te detyres qe te mundesh te besh sado pak pune?
    Po ti bredh neper Tirane sikur je rreshter,o mavri,kur ne fakt ke graden e gjeneralit!
    E ke kthyer Bashkine ne kasolle militantesh qe te bejne vty fresk se duan te marrin rrogen qyl!
    Dhe ty te pelqejne mburrjet,si padronin yt ne qeveri dhe te duket vetja gjeneral,kur ne fakt as per rreshter nuk je!
    Merru me hallet e popullit,o mavri dhe lerua pemet dhe bojatisjet e kopshteve vartesve te tu!
    Ty te takon te ideosh,te terheqesh mendimet e qytetareve,te japesh llogari para tyre,jo ne mbledhje keshilli,se aty te duket vetja gjel,por ne takime e pritje te perhereshme ku qytetaret te qajne hallet dhe te informohesh se si punojne vartesit e tu te pa afte!
    Leri pemet te tjereve se je bere me keq se Lenka Cuko ne vaktit!
    Je bere delirant i madh dhe te duket se je gjeniu i ketij vendi,por per mua je vetem nje reklamaxhi!

  2. anda says:

    Bravo Erion je yll

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje