Në Vlorë luhet nesër një nga ndeshjet më të rëndësishme të javës së 17-të. Flamurtari i vendit të dytë pret Partizanin, që është në kërkim të identitetit të tij.
Tifozët janë të interesuar të shohin skuadrën e zemrës pas ndryshimeve të bëra në merkaton e dimrit dhe kjo ndeshje pritet të ndiqet nga një numër i lartë sportdashësish në stadiumin e Vlorës.
Po si kanë ndryshuar këto dy skuadra? Më shumë lëvizje ka bërë Partizani, që thuajse ka ribërë mbrojtjen, por edhe sulmin. Vendin e Malotës dhe Krasniqit e kanë zënë Belica dhe Gojkoviç, kurse për sulmin janë afruar Lukas Kardozo, Emran Ramadani dhe pritet edhe Abdurahimi.
Tani mbetet për t’u parë se cilët prej tyre trajneri Starova do të hedhë në fushë si titullarë që në ndeshjen e parë. Trashi është i dënuar, ndërkohë që i sigurt është debutimi i vlonjatit Bruno Telushi kundër ish-skuadrës së tij. Të sigurt në mesfushë janë edhe Batha dhe Progni.
Flamurtari ka më pak ndryshime. Mund të jenë dy ndryshimet në formacion dhe të dyja në sulm, ku Nedeljkoviç dhe Gafuri mendohen titullarë, në krah të kapitenit Bushiç. Pjesa tjetër e ekipit mbetet po ajo, me Pollozhanin në qendër të mbrojtjes, në krah të Bicajt.
Muarem Muarem, një afrim i bujshëm ne merkaton e dimrit, nuk është i gatshëm për këtë ndeshje për shkak dëmtimi, ndërsa Alvesh mund të nisë nga stoli. Trajneri Duro do të vendosë sot përfundimisht për 11 titullarët.