Privatizimi i Vllaznisë, ja kompania gjermane që ka mbërritur në Shkodër, aksionere dhe tek Borussia Dortmundit

26 Janar 2018, 10:08Sport TEMA

Nisja e procedurave për privatizimin e Vllaznia sh.a ka bërë që numri i të interesuarve për të marrë përqindjen më të madhe të aksioneve të jetë në rritje.

Në pragndeshjen Vllaznia-Kukësi në Shkodër ka mbërritur një përfaqësues i një kompanie nga Gjermania e interesuar për të privatizuar këtë klub. Bëhet fjalë për firmën Ramej në Gjermani e cila ka aksione tek ekipe si Nurembergu apo Borusia Dortmund por edhe disa skuadra të tjera në Gjermani dhe jashtë saj. Kjo kompani ka treguar seriozitet në ekipet që menaxhon apo ku ka përqindje aksionesh. Prej disa muajsh kanë paraqitur edhe një kërkesë zyrtare në bashkinë Shkodër duke shprehur interesin e tyre për Vllazninë.

Një prej përfaqësuesve më të lartë të kësaj kompanie ka ardhur në Shkodër teksa ka marrë pjesë në stërvitjen e Vllaznisë tek fusha stërvitore në Golem përpara ndeshjes që kuqeblutë kanë me Kukësin. Përfaqësuesi gjerman ka parë edhe mjedise të tjera të kuqebluve.

Po ashtu mësohet se po analizojnë të gjitha detajet e mundshme lidhur me situatën tek Vllaznia që nga ajo teknike e deri tek ajo ekonomike e sportive për të patur në fund një ofertë konkrete kur të hapet tenderi i privatizimit. Komapnia gjermane si krahun e djathtë në Shkodër kanë përzgjedhur përgjegjësin e akademisë Vllaznia Alban Hasani i cili i ka shoqëruar kudo gjatë qëndrimit të tyre në Shkodër. Nga sa mësohet kjo kompani ka zhvilluar disa takime me kryetaren e bashkisë Voltana Ademi dhe po tregohen tejet serioz në çdo marrëdhënie.

Pavarësisht kësaj sipas burimeve mësohet se gjermanët nuk janë e vetmja palë e interesuar nga jashtë. Momentalisht është edhe një kompani shumë e njohur turke e cila po përgatit të gjithë dokumentacionin e duhur për të bërë edhe ajo një ofertë konkrete për Vllazninë. Edhe turqit janë duke pritur momentin kur të hapet tenderi duke parë se sa janë përqindjen e aksioneve që do të dalin në shitje dhe se sa është vlera e aseteve të Vllaznisë.

Nga sa mësohet edhe kompania turke ka aksione në disa skuadra të rëndësishme brenda Turqisë por edhe në Europë ndaj mendojnë që të vijnë në Shkodër për të bërë një skuadër serioze dhe krejt ndryshe nga kjo aktualja. Përveç të huajve ai që ka shprehur edhe publikisht interesin është edhe ish-presidenti i Vllaznisë Valter Fushaj që gjithashtu po pret momentin kur të hapet tenderi ashtu siç nëse do e shohë të përshtatshme do të jetë i gatshëm siç edhe ka deklaruar.

Momentalisht këta janë tre mundësitë për privatizimin e Vllaznisë ndërkohë që deri në tetor apo edhe pak më vonë kur mund të hapet tenderi mund të ketë edhe kompani apo individë të tjerë që mund të shprehin interesin e tyre për Vllazninë. Ajo që të ngroh është se të tre palët e interesuara kanë seriozitet dhe kanë treguar me prova për suksesin e tyre.(Shkodranews)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje