Sulmuesi kuqezi, Eros Grezda, në një formë të shkëlqyer këtë sezon me fanellën e Osijekut, por edhe në ndeshjet me Kombëtaren, ka shumë mundësi të bashkohet me gjigantët kroatë të Dinamos së Zagrebit.
Sipas shtypit kroat, Grezda ka tërhequr vëmendjen e ekipit më të madh në vend, që po kërkon një zëvendësues për algjerianin Soudani.
Për momentin nuk ka zhvillime konkrete, por emri i futbollistit kuqezi, i cili luan si sulmues krahu, po përmendet shpesh në merkaton e Dinamos së Zagrebit, ekipit që vitet e fundit është ndeshur dy herë me Skënderbeun në Europë dhe herën e fundit është eliminuar nga korçarët.
Nëse do të kalonte te Dinamo e Zagrebit, do të ishte një hap i madh përpara për futbollistin kuqezi, një nga më të preferuarit e trajnerit Kristian Panuçi.