Trajneri i Teutës, Stavri Nica, foli pas barazimit të marrë në “Niko Dovana” kundër Lushnjes.
Tekniku durrsak tha se e ka marrë skuadrën në një gjëndje shumë të keqe duke theksuar se pret nga presidenca që të jetë më aktive në organizimin e ekipit.
“Çdo trajner kërkonë që të ketë lojtarë. Lushnja ka dy sulmues që dinë çfarë bëjnë me njëri-tjetrin, dinë të zhbllokojnë rezultatin. Shpresoj që presidenca të jetë më aktive, për organizimin e skuadrës. Nuk mund ta përtyp që të kemi vetëm një sulmues, do të kërkoj me ngulm. Nuk kam skuadër, o burra ta ndërtojmë.
Nuk jam i kënaqur, e mora ekipin në një gjendje shumë të keqe. Të marrësh ekipin në një gjendje të tillë është përgjegjësi e madhe. E shoh këtë edhe nga stadiumi, që është shumë i boshatisur. Duhet marrë më shumë përgjegjësi për ta ndërtuar skuadrën, për më shumë lart.”
Kurse, trajneri i Lushnjes Hysni Dedja tha:
“Të them të drejtën objektivi ka qenë i arritshëm për këtë ndeshje të parë në 2018. Mund të merrnim edhe më shumë se kaq me pak guxim. Patëm pak shpërqëndrim kur policia mori tifozët tanë. Ishim pothuajse të shthurur dhe mirë që ishim në fund të pjesës së parë. Me pak guxim ne mund të merrnim edhe fitore.
Kemi shënuar në pothuajse të gjitha ndeshjet. Kam menduar të bëj një lojë më shumë sulmuese duke parë edhe vendin në renditje. Tifozët kishin pakënaqësi ndaj gjyqtarit. Dhe tashmë ata janë në komisariat. Ne do të shkojmë bashkë me skuadrën që ata të kthehen me ne në Lushnje”, përfundoi Dedja. (TemA)