Ekipi i Flamurtarit e ka humbur sfidën e sotme ndaj kryesuesve të Skënderbeut me rezultatin 1-0. Muzaka ka ndëshkuar skuadrën e Duros në minutat e fundit të takimit, duke e “vrarë” kampionatin në një farë mënyre.
Në një intervistë për “Supersport”, futbollisti i Flamurtarit, Franc Veliu është shprehur se në momentin e golit të Skënderbeut, ka një pjesë të fajit edhe nga arbitrat.
“Të dhëmb pak kjo humbje ndaj Skënderbeut. Ne do të ishim kënaqur edhe me barazim ndaj këtij ekipi, pasi e zhvilluam lojën në atë mënyrë.
Për mua nuk kishte kontakt në faullin që erdhi goli i Skënderbeut. Kam dyshimet e mia se Xhejms që ishte protagonist në këtë gol, ai ishte në pozicion jashtë loje.
Kur flasim për një ndeshje këtij niveli, gabimet duhet të jenë sa më të vogla, pasi episodet vendosin fatin e takimit. Në këtë humbje unë shoh një pjesë të fajit edhe të arbitrave. Për pjesën e mbetura të ndeshjeve në këtë sezon, do të luftojmë për të qenë sa më afër Skënderbeut por edhe për zonën europiane”, është shprehur Veliu.