Gjoka eviton kontaktin me gazetarët, flet për faqen zyrtare të Vllaznisë

9 Shkurt 2018, 13:02Sport TEMA

Ditët e fundit nuk kanë qenë aspak të qeta te Vllaznia, jo vetëm për shkak të rezultateve, por edhe për kontestimin që tifozët kanë pasur për lojtarë të veçantë gjatë ndeshjes me Skënderbeun, si dhe për një përplasje mes trajnerit Ernest Gjoka dhe gazetarëve shkodranë.

Trajneri i Vllaznisë ka preferuar ta shmangë kontaktin me gazetarët dhe mendimet e tij për ndeshjen e nesërme me Lushnjën i ka dhënë për faqen zyrtare të klubit shkodran, “vllaznia.al”.

Mes të tjerash, ai ka theksuar:

“Jemi munduar gjithë këtë javë të punojmë të gjthë për ta kapërcyer këtë situatë jopozitive ku ndodhemi. Besoj që të gjithë jemi të vetëdijshëm për këtë situatë dhe na duhet të bëjmë çdo gjë për të dalë nga ky makth.

Mungesa kemi dy dhe për mua janë të rëndësishme për skuadrën si Krymi ashtu dhe Çinari, sepse skuadra ka krijuar një fizionomi me këto lojtarë. Por gjithsesi unë mendoj që në këto momente çdo lojtar do të bëjë maksimumin duke treguar personalitet dhe dinjitet për të kaluar këtë moment delikat.

Për ne është shumë e rëndësishme. Mund të them që ne e shikojmë si jetike për vazhdimësinë. Duhet të kuptojmë përgjegjësinë dhe të tregojmë që jemi të aftë që dhe nën presion dimë t’ia dalim. Sepse unë besoj se në skuadër ka djem që kanë personalitet dhe dinë të marrin përgjegjësi në momente të rëndësishme.

Ne nuk kemi asnjë rrugë tjetër. Duhet të shkojmë për të marrë maksimumin edhe pse e dimë vështirësinë e ndeshjes. Por në këto momente duhet të ringrihemi për hir të vetes dhe për hir të qytetit i cili po e përjeton këtë situatë njësoj si ne. Dhe ne e kemi detyrë jo vetëm profesionale por dhe qytetare të ringrihemi. Unë besoj tek skuadra se do të arrijë të bëjë më të mirën për të dalë nga ky ngërç.”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje