Federata Shqiptare e Futbolli ka publikuar para pak minutash një reagim në lidhje me akuzat e trajnerit të Flamurtarit, Shpëtim Duros, i cili tha dje se dy nga gjyqtarët me stemën e FIFA-s, Xhaja dhe Hamiti, janë të korrukptuar dhe se skuadrën e tij nuk duhet ta gjykojnë më.
Ja dhe reagimi i plotë i Shoqatës së Arbitrave:
“Duke marrë shkas nga një prononcim i trajnerit të Flamurtarit, Shpëtim Duro, në mediat sportive, Shoqata e Arbitrave, reagon ashpër në lidhje me këtë deklaratë denigruese. Në citimet e tij në daljen publike, cënohet integriteti i anëtarëve të kësaj shoqate dhe për më tepër, kur personat e përmendur janë dy arbitra të FIFA-s. Deklarata të tilla nuk i shërbejnë aspak garës, dhe në përgjithësi, lojës së futbollit.
Është e disata herë, që trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro, përdor një gjuhë dhe fjalor ofendues në adresë të arbitrave dhe kjo sjellje, duhet të ishte pjesë e komisioneve përkatëse. Ne kemi shpresuar në një reflektim personal të z.Duro, por që nuk ka mbërritur, për më tepër është rënduar sulmi verbal i tij karshi arbitrave.
Askush nuk mund t’i japë të drejtë vetes të ofendojë një zyrtar ndeshjeje (në rastin konkret, arbitrave), edhe në rastet kur këto gabojnë në vendimarrjet e tyre në fushën e lojës. Është komisioni i vlerësimit, i cili bën vlerësimin e vendimeve të arbitrit, vendime të cilat në shumë raste edhe kur personi në fjalë i ka kontestuar, ato kanë qenë konform rregullores së lojës.
Shoqata e Arbitrave “BASHF” edhe një herë kërkon nga të gjithë aktorët e lojës së futbollit, që të ketë sa më shumë fair–play, jo vetëm në fushë ndërmjet lojtarëve, por, edhe nga zyrtarët e ekipeve. Ata duhet të tregojnë një sens mirëkuptimi, në adresë të vendimeve të arbitrave të cilët gjatë gjithë lojës mbajnë mbi vete tensionin e ndeshjes, presionin e lojtarëve, të spektatorëve dhe të gjithë atyre që ndjekin një ndeshje futbolli.
Për rastin në fjalë, shoqata kërkon me forcë nga komisionet përkatëse, të mbahet një qëndrim konform rregulloreve të disiplinës, sepse deklarata të tilla, prishin jo vetëm imazhin e figurës së arbitrit, por krijojnë nëpër shkallët e stadiumeve, një klimë jo miqësore e cila krijon premisa për situata të pa pëlqyeshme për një ndeshje futbolli”.