Gjergji Muzaka ishte heroi i fitores së Skënderbeut në sfidën e sotme kundër Flamurtarit.
Mesfushori realizoi golin e fitores që i dha suksesin korçarëve të cilët tashmë janë 11 pikë larg vendi të dytë.
Pas përfundimit të ndeshjes Muzaka u shpreh se ky gol me 90% mbyll kampionatin dhe ia dedikon vëllait të Osmanit i cili u rrëzua nga tribuna pas festimit dhe ndodhet në spital.
“Jam i lumtur jo vetëm për golin, por edhe për 3 pikët. Unë do thoja që avantazhi i pikëve na jep luks të administrojmë pa rrezikuar. Nuk kemi pse sulmojmë shumë. Jemi të qetë në lojë. Krijuam raste dhe shfrytëzuam.
Goli dhe pikët vulosën kampionatin me 90% prandaj festova aq shumë. Jemi prej gjaku prandaj kemi emocione. Nuk jemi ende fitues, por kemi eksperiencën të administrojmë pikët që kemi. Nuk ka rëndësi të kem foto në stadium, por të marrim titullin.
Çdo moment dua ta shfrytëzoj dhe dua të jem i dobishëm. Do doja të luaja më herët me Dajën. Është eksprerienca që më jep mundësi të luaj në shumë pozicione. Nuk besoj se do të jem golashënues te Skënderbeu. Nuk e di sa gola kam shënuar prandaj për ne ka rëndësi të fitojmë, jo se kush shënon. Fryma në grup është shumë e madhe dhe këtë kemi si çelës suksesi. Golin ia kushtoj vëllait të Osmanit që pati një aksident dhe shpresoj të shërohet”, tha Muzaka.