Ardi Veliu nga Shkodra: Kemi goditur dy grupe kriminale, ja prioritetet për vitin 2018

17 Shkurt 2018, 13:28Kronika TEMA

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu tha se gjatë vitit që lamë pas policia e Shkodrës ka përparuar si në luftën kundër kultivimit të kanabisit ashtu edhe në luftën nga grupeve të krimit.

Pas analizës së Policisë së Shkodrës ku mori pjesë edhe ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, kreu i policisë tha se janë goditur dy grupe kriminale në Shkodër dhe se po punohet për të bërë më shumë në këtë drejtim.

Gjithashtu Ardi Veliu foli dhe për vetingun në polici, ku u shpreh se një nga shtyllat e saj është edhe verifikimi i pasurisë së punonjësve të policisë.

Sipas Veliut, qëllimi është që punonjësit e policisë të implikuar në veprimtari kriminale të largohen nga strukturat e policisë.

“Gjatë vitit 2017 keni arritur rezultate të prekshme, qoftë sa i përket uljes së numrit të bimëve narkotike të kultivuara, gjithashtu edhe në goditjen e grupeve kriminale.

Vendosëm prioritetet dhe objektivat për vitin 2018, që s’do t’i ketë vetëm drejtoria por edhe Policia e Shtetit.

Goditje pa ndërprerje grupeve kriminale nga forca e ligjit, goditja që do i bëhet evidentimit të personave që kanë ushtruar aktivitet të kultivimit të bimëve narkotike si dhe minimizimin e sipërfaqeve të mbjella.

Këtu në Shkodër ka persona që ushtrojnë aktivitet kriminal por policia është duke i goditur. Deri më tani janë goditur dy grupe.

Po punojmë çdo ditë, por duhet të dini se për të goditur një grup kriminal duhet edhe kohë edhe maturi edhe gjetja e provave.

Qëllimi i Vettingut në polici është që struktura të jetë me integritet dhe vettingu është ndërtuar mbi tre boshte kryesore: profesionalizmin, integritetin dhe mbi pjesën e pasurive.

Patjetër në vetting do të kalohen të gjithë strukturat nga unë deri te punonjësi më i fundit.

Qëllimi është që punonjës që kanë qenë të implikuar apo shkallë të ulët profesionalizmi, largohen nga strukturat e policisë së shtetit.

Do vazhdojë pa ndërprerje goditja e strukturave kriminale, prioritet i dytë lufta dhe goditja që do t’i bëhet evidentimit të numrit të personave që janë evidentuar gjatë viteve të kaluar si persona që kanë ushtruar aktivitetin e kultivimit të bimëve narkotike dhe minimizimin në maksimum të sipërfaqeve të mbjella me bimë narkotike”, tha Veliu.(TemA)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje