Një shtet me muskuj, stomak…por pa tru!

22 Shkurt 2018, 17:16Politika TEMA

Nga Skënder Minxhozi

Në spazmat dhe pasionet politike e mediatike që ka provokuar debati për Teatrin Kombëtar, është sjellë në qendër të vëmendjes edhe projekti më i ri artistik i kryeqytetit, i cili mban emrin intrigues “Turbina”. Fjala është për një modifikim të hapësirave të mëdha të ish-Laboratorik të Hidraulikës që dikur i përkiste Institutit Hidrologjik, i cili po shndërrohet në një numër sallash e ambjentesh për ekspozita, performanca artistike etj. Qeveria ka shpenzuar shumë kohë e energji, për ta përdorur këtë projekt të ri, si një valvul shfryrjeje e tensioneve që krijoi debati mbi godinën historike të Teatrit Kombëtar.

Deri këtu kjo histori tingëllon krejt normale, apo edhe absurde nëse doni, sipas këndvështrimit të palëve të interesuara. Për teatrin ka pasur tradicionalisht zhurmë, por jo zgjidhje. Çeshtja është se kriza e rradhës e teatrit zbulon një tjetër krizë të fshehur dhe të heshtur. Një nënshtresë për të cilën pakkush interesohet, megjithëse është ndoshta më e rëndësishme sesa fati i skenës kombëtare teatrore.

U desh të bëhej sherri i rradhës, u desh që Ndrenika e Asqeriu të buçisnin studiove, e që qeveria t’u jepte përgjigje në të gjitha televizionet e Tiranës, që shqiptarët të merrnin vesh nëpër rreshta, se në atë cep të Tiranës paskësh egzistuar dikur laboratori i Hidraulikës i Institutit të Hidrometeorologjisë. Dhe jo një vend dokudo, por platforma ku kanë marrë formë të gjitha maketet e digave të hidrocentraleve të Fierzës e lumenjve të tjerë, të cilat vazhdojnë të na mbajnë me energji edhe pas 40 vjetësh.

Tjetërsimi i kësaj strukture, pjesë thelbësore e sistemit të institucioneve shkencore të këtij vendi, i përbashkohet në absurdin e vet krizës së artit e kulturës, si një lakmues unik i bjerrjes dhe shkatërrimit që kemi ndërtuar me duart tona pas rënies së komunizmit. Në vitin kalendarik 2010 Shqipëria u përmbyt jo pak, por pesë herë. Shirat e vërshimet sollën daljen nga shtrati të të gjithë lumenjve dhe përrenjve të vendit. Në mes të kësaj krize, teksa njerëzit i mbanin sytë e veshët tek diga e Fierzës (çfarë absurdi, një vend që vigjëlon digat e hidrocentraleve!), ish-drejtuesit e institutit të Hidrometeorologjik u paraqitën pranë redaksisë së revistës “Java”, për të paraqitur shqetësimin e tyre për gjendjen. Ata na shpjeguan se me prishjen e institutit, disa qindra aparate matëse të shpërndara në të gjithë basenin e Drinit, të cilat jepnin të dhëna në kohë reale për prurjet e lumit, lagështinë, temperaturat etj, kishin mbetur pa zot. Një strukturë tejet e vyer për krizën që po kalonte Shqipëria, ishte braktisur në mëshirë të fatit.

Ka një arsye përse ky episod i nëntë viteve më parë të mbetet në kujtesë dhe të duket përjetësisht aktual e i freskët. Sepse një vend me përmbytje të përsëritura, me ndërtime në grykëderdhjet e lumenjve apo zonat fushore, me prerje masive pyjesh e shkatërrim të hatashëm të mjedisit, e pa me vend që t’i hiqte vizën institucioneve që merreshin me këto problematika. Ashtu siç prishi e zhbëri strukturat e specializuara që studionin tërmetet apo tokën, megjithëse jemi një vend me risk të lartë sizmik. Shqipëria nuk ka fuqi të investojë për shkencën e niveleve të larta. Me atë punë merren SHBA, Europa dhe Japonia. Por ne kemi qenë të papërgjegjshëm që i vumë kazmën institucioneve të shkencave të aplikuara, duke tjerrur për 27 vjet rresht debatin shterp për Akademinë e Shkencave, të cilës i ka mbetur vetëm emri.

Debati për Teatrin dhe gjendjen dramatike ku ndodhen institucionet shkencore në Shqipëri, vijnë sot në një situatë emergjence të plotë për fondin e artit, shkencës e kulturës shqiptare. Ky vend në 27 vitet e fundit humbi praktikisht të gjithë listën e gjatë të institucioneve artistike, akademike dhe qendrave të argëtimit, shumica e të cilave mbajnë statusin “kombëtar”. Pra, janë një dështim i qeverive qëndrore të të dyja anëve. Akademia e Shkencave dhe fati i saj vazhdon të prodhojë sherr gazetash, por jo zgjidhje, Piramida vijon të mbetet e rrënuar, Muzeu Historik ka nevojë urgjente për ndërhyrje. Të njëjtën nevojë ka edhe Pallati i Kongreseve dhe Biblioteka Kombëtare, e strukur nëpër bodrumet e Pallatit të Kulturës. Një tjetër objekt ky i fundit, që vetëm para pak muajsh nisi më në fund ristrukturimin.

Nëse ju qëllon të kaloni në rrugën e Kavajës, do të kujtoheni instiktivisht për Lidhjen e Shkrimtarëve, një tempull i vërtetë kulture ku shkeli Kadareja, Agolli e dhjetra shkrimtarë plot emër, të cilit sot i ka mbetur vetëm “zhgualli”. Për të mos folur pastaj për objekte të tilla si kinematë, institucionet e argëtimit për fëmijë, Parkun Botanik, Kopshtin Zoologjik – që të gjitha institucione unikale të llojit të tyre, të cilave sot po ju marrin frymën ndërtimet, ose që janë zhdukur totalisht nga inventari i kryeqytetit.

Është ky inventar i munguar ose i kafshuar barbarisht nga tranzicioni, i cili na paraqet sot para botës si një vend me muskujt e biznesit, stomakun e shoqërisë që kërkon të “nginjet” me sofrën plot, por pa trurin dhe diturinë e kultivuar për të cilën investon çdo shoqëri normale. Prandaj kemi, prej 30 vjetësh, artistë e shkencëtarë të varfër që bërtasin në boshllëk dhe shitës frigoriferash e mobiljesh të pasur. Pa i fyer aspak këta të fundit, duhet ta pranojmë se jemi një vend që mendojmë me bark, por jo me kokë.

8 komente në “Një shtet me muskuj, stomak…por pa tru!”

  1. MAJAKOVSKI says:

    Bukur Skender Minxhozi Exelent. Nuk ka me cte analizosh. Thene apo shkruar gjerat aq thjeshte sa vetem bufi nuk mund ti kuptoje demat e shakatuara pas 1990. Ai sistem diktatorial investoi ne gjerat me te rendesishme ne kete vend .U investua me djersen tone te popullit per popullin. Pra eshte populli aq u vetevra nga nje pakice kriminele e pas ’90 qe trafikoi shkatroi dhe drogoi kete popull. Prandaj o popull qe akoma nuk ke vdekur hap syte se djersa jote mundi yt u injorua nga kjo pakice kriminele. Lexo artikuj te tille, thirri mendjes qe ta kane lare e shplare duke i bere lavazh keto partira kriminelesh biznesmene.

  2. undefined says:

    E mor Minxhoz ti lufton ne prapavije dhe jo ne front.

  3. pronari says:

    Gjithcka qe shkruan z.Minxhozi eshte me se e vertete.Zbriten nga malet dhe u bene udheheqesa dhe shkaterrimi eshte i gjithanshem. Krahaso shkollat ne kohen e merhumit perjashto ideologjine dhe mendo se sa intelektuale punojne sot ne perendim. kurse sot ne shkolla eshte perqindja shume e ulet . Me tej u ndertuan plepat dhe universitetet private qe shisnin diploma sikur shisnin patate dhe shembull ke Lymo katundar murrizi deputet sot per PD qe cirret per drejtesi. Kurse hajduteria eshte ngritur ne sistem nga lart poshte.

  4. Lil Toronto says:

    Bill Clinton tha: “It’s the economy, stupid”

  5. astroboj says:

    Skender, mos perdor fjale te peshtira qe kane dale boje, si psh. “tranzicion”. “Tranzicion” do te thote dicka qe evoluon, kalon nga nje stad te tjetri. E shumta, tranzicioni nga komunizmi ne sistem demokratik, te tregut, a ku mutin e dime ne, mbase do te shkonte nja 5 apo 7 vjet, po jo 26 vjet. Perdorimi i fjales “tranzicion” per nje periudhe 26-vjecare eshte tentative per te rregulluar pamjen e qelbesires qe ka mberthyer Shqiperine qe nga viti 1991. Perdorimi i fjales tranzicion eshte nje tentative skuthe, totalisht e pasinqerte per te zbukuruar pamjen e frikshme qe ka sot Shqiperia.
    Behu djale i ndershem, me mire thuaj “kjo kohe erresire, barbarie, skutherie, Salerie, qenerie, shtazeriae”, dhe mos thuaj kot “kjo kohe tranzicioni”, sepse tingellon si genjeshtar dhe skuth.

    1. Maelga says:

      Te drejte ke.
      Epo, tranzicion 27 vjecar nuk eshte pare ndonjehere.

  6. Bujku says:

    Artikull qe ne titull i sakte! Kur ndodhin permbytjet dalin deputet, analiste, police, pushtetare, etj dhe japin mend si ku duhet pastruar apo hapur kanali, plas dhe sherri me studio, por asnjeher nuk dalin inxhinier profesionist (ata qe kane ngelur) te japin mendim.

  7. @autori says:

    E po, nuk behet stan me lepuj..

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje