Përplasje të forta për Demarkacionin në Kosovë, Haradinaj i ashpër me Vetëvendosjen: Qytetarët pa viza, marrë ju koftë

23 Shkurt 2018, 11:22Rajoni TEMA

Kuvendi i Kosovës ka filluar me seancën e jashtëzakonshme, të thirrur qysh ditën e enjte, me të vetmen pikë në rendin e ditës, ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Aktualisht, Kuvendi po ballafaqohet me problematikën e vendimmarrjes, pasi që nuk janë siguruar 80 votat e nevojshme për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje.

Në fillim të seancës, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli kërkoi deklarimin e grupeve parlamentare, duke ua bërë me dije deputetëve, se votimi mund të ndodhë vetëm në një rast dhe nëse dështon ratifikimi i marrëveshjes, Kosova do ta humbë liberalizimin e vizave.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se po të ishte një marrëveshje e mirë, Kuvendi do ta ratifikonte qysh në vitin 2015. Sipas tij, marrëveshja është e dëmshme, andaj ratifikimin e saj duhet ta bëjnë ato subjekte politike që e kanë nënshkruar atë.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti tha se marrëveshja duhet të ratifikohet dhe se votimi i saj nuk duhet të ndodhë, para se të arrihet një konsensus i brendshëm politik.

LDK është shprehur për ratifikimin e Marrëveshjes. Por, ky subjekt politik nuk e mbështetë ratifikimin e demarkacionit, nëse pjesë e tij është edhe raporti i Komisionit shtetëror për shënjimin e vijës kufitare, ku konstatohet se Marrëveshja e njëjtë është e dëmshme për Kosovën.

Një reagim të ashpër ndaj qëndrimit të LDK-së kishte kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Marr ju qoftë”, u është drejtuar disa herë Haradinaj deputetëve të LDK-së.

Ndaj fjalimit të tij, reagoi deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, duke i thënë Haradinajt se për tri vjet e ka mbajt vendin të bllokuar me kauza të rrejshme.

Të enjten, gjatë orëve të pasdites, partitë e koalicionit qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën kanë zhvilluar takim edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës, parti kjo në opozitë. Për lehtësimin e arritjes së një marrëveshjeje, në bisedime janë përfshi edhe përfaqësuesit ndërkombëtar, për në fund nuk kishte dakordim të plotë.

Mospajtimet ndërlidhen me faktin se Qeveria e Kosovës ia ka bashkangjitur Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit edhe një raport të Komisionit shtetëror për shënjimin e vijës kufitare dhe Deklaratën e nënshkruar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, përmes së cilës shprehet gatishmëria dypalëshe për korrigjimin e gabimeve eventuale gjatë procesit të Demarkacionit të kufirit.

LDK nuk e mbështetë ratifikimin bashkë me raportin e Komisionit shtetëror për kufirin, pasi që atë e konsideron si jo final dhe në kundërshtim me marrëveshjen me Malin e Zi.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti tha se të gjithë deputetët e kësaj partie politike do ta mbështesin ratifikimin e marrëveshjes, por pa raportin e Komisionit shtetëror, pasi që ai është kundërthënës.

Hoti tha se 27 deputetët e LDK-së do të votojnë për ratifikim, por qeverisë i mbetet t’i sigurojë votat nga partitë në koalicion, pasi që problemi është te koalicioni qeverisës.

Në anën tjetër, AAK ka deklaruar se do ta ratifikojë demarkacionin vetëm nëse Projektligjit i bashkëngjitet edhe raporti i Komisionit shtetëror.

Sidoqoftë, edhe nëse arrihet një marrëveshje mes PDK-së, AAK-së, Nismës dhe LDK-së me pakicat jo serbe, Kuvendi nuk do të arrijë të sigurojë 80 votat e nevojshme, pasi që subjekti më i madh opozitar, Lëvizja Vetëvendosje është pozicionuar kundër ratifikimit të kësaj marrëveshjeje, sikurse edhe Lista Serbe.

Ndërkohë, përfaqësuesit ndërkombëtar, ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie dhe ata të Bashkimit Evropian u kanë bërë thirrje të panumërta deputetëve që ta ratifikojnë demarkacionin dhe t’i hapin rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Komisioni Evropian e ka bërë të qartë se pa ratifikimin e demarkacionit, Kosova nuk do të mund të përfshihet në zonën e lëvizjes së lirë, brenda BE-së, pa viza.

Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë. Si e tillë, kjo marrëveshje ishte ratifikuar nga Kuvendi i Malit të Zi, por jo edhe nga ai i Kosovës.(REL)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje