Transferimi i Elis Bakajt drejt Shakhter Soligor nuk është bllokuar nga klubi i Kukësit.
Sqarimi për këtë çështje është bërë pak minuta më parë në faqen zyrtare të Agjencisë “EFA” që menaxhon futbollistin kryeqytetas dhe që është përgjegjëse për transferimin e Bakajt drejt Bjellorusisë.
Agjencia “EFA” përgënjeshtron lajmin e publikuar sot në gazetën “Panorama Sport”, e cila shkruante se kalimi i Bakajt drejt Bjellorusisë është bllokuar për shkak se klubi Shakhter Soligor nuk ka kaluar paratë e blerjes së kartonit të lojtarit në llogarinë e Kukësit.
Sipas agjencisë së menaxhon Elis Bakajn, një gjë e tillë nuk është e vërtetë, pasi klubi bjellorus është treguar korrekt me pagesën.
SQARIMI– “Duke parË shqetësimin mediatik dhe “virozën” e shpërndarjes së lajmit për bllokimin e transferimit të Bakajt në Bjellorusi, si agjensia që menaxhojmë lojtarin dhe duke u marrë gjatë të gjithë kësaj kohe me këtë transferim, duam të sqarojmë opinionin publik se nuk ka asnjë pengesë në këtë lëvizje. Është thjesht çështje procedurash, pasi deri tani Shakhter Soligor ka qenë shumë korrekt në çdo hap të hedhur”, shkruhet në faqen zyrtare të Agjencisë “EFA”.