Trajneri i njohur shqiptar kritika Kombëtares: Ekipi i shthurur, nuk pashë asnjë gjë të saktë

27 Mars 2018, 15:25Sport TEMA

Ish trajneri i njohur i futbollit shqiptar, Shkëlqim Muça, ka analizuar humbjen e pësuar nga Kombëtarja shqiptare kundër Norvegjisë me shifrat 0-1.

Në studion e RTSH-së, Muça u shpreh se loja e zhvilluar nga kuqezinjtë linte shumë për të dëshiruar duke mos sjellë asnjë sinjal pozitiv.

Muça shtoi se ishte për të ardhur keq që ekipi nuk luajti me motivimin e duhur sepse kjo ishte nga ato ndeshje që mund t’i shërbente grupit për të ardhmen.

“Loja linte për të dëshiruar dhe dukej qartë që do ta kishim shumë të vështirë me atë mesfushë. Nuk pamë asgjë pozitive, në asnjë aspekt. Për të ardhur keq që ekipi nuk luan as me motivimin e duhur sepse kjo ishte nga ato ndeshje që mund t’i shërbente grupit për të ardhmen. Të gjithë lojtarët lanë për të dëshiruar.

Nuk pashë asnjë gjë të saktë. Ekipi ishte i shthurur.

Kurse Mavraj dhe Ajeti ishin katastrofë. Sadikut i mungonte një lojtar pranë që të kapte zonat që ai linte bosh. Lojtarët e krahëve qëndronin shumë larg ekipit.

Grezda dhe Roshi nuk ktheheshin pas duke për të ndihmuar ekipin. Strakosha ishte më i miri, sepse na shpëtoi në shumë raste. Nuk është e thënë se çdo lojtar që luan jashtë është gati për të qenë pjesë e Kombëtares. Ishin disa lojtarë që nuk ishin në nivelin e duhur, si Ramadani, Bare, Lika apo edhe Qaka. Duhet të punojnë më shumë te Shpresat që të vijnë në Kombëtare”, u shpreh Shkëlqim Muça. (TemA)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje