Dalipi: Partizani lufton për vendin e dytë

31 Mars 2018, 14:07Sport TEMA

Partizani luan nesër në fushën e Kamzës dhe objektivi i vetëm është fitorja për të mbetur në pretendimet për një vend në Europë. Këtë radhë trajneri Klevis Dalipi e ka të plotë kontingjentin e lojtarëve, por, siç pranon edhe vetë, nuk do ta ndryshojë formacioni.

Në konferencën për shtyp, trajneri Dalipi theksoi se Partizani do të luftojë fort për vendin e dytë në këto 10 javë të mbetura të kampionatit:

“Ndërprerja e kampionatit në fillim nuk na shërbeu, pasi vinim nga një seri rezultatesh pozitive dhe donin të mbanim ritmin, por mendoj se na ka shërbyer në aspektin e rikthimit të lojtarëve, pasi kemi të gatshëm edhe Telushin e Fejzullahin. Zhvilluam një ndeshje miqësore me Partizanin B, ku morën shumë sinjale pozitive, fakt që na e bën më të vështirë zgjedhjen e lojtarëve. Por, duke pasur konkurrencë besoj se zgjedhjet do të jenë të duhurat, pasi çdo lojtar që do të luajë do ta justifikojë veten 100%. Sa më shumë zgjedhje të kemi, aq më mirë është për trajnerin, sepse skuadra ka shumë kualitet.

Edhe ata lojtarë që kanë pasur pak minuta, do të japin më të mirën për të qenë pjesë e formacionit. Dua të theksoj paraqitjen shumë pozitive të Abdurrahimit dhe Çanit në testin e zhvilluar me ekipin B, pa përjashtuar Lukasin dhe Ramadanin.

Mendoj se formacioni që ka qenë në fushë në 3 ndeshjet e fundit, nuk do të ndryshojë. Gjatë mbarëvajtjes së ndeshjes, sigurisht lojtarët  që do të aktivizohen, jam i sigurt se do të japin maksimumin.

Kalendari? Të gjitha ndeshjet e mbetura janë të rëndësishme, duke filluar nga përballja me Kamzën. Jemi përgatitur për vështirësitë e sfidës, pasi Kamza ka treguar se është një skuadër që di të luajë futboll dhe sigurisht pikët për këtë skuadër janë jetike. Jemi përgatitur shumë që ndaj Kamzës të marrim fitore. Kam shumë besim se skuadra do të shfaqë të njëjtën performancë si në javët e fundit.

Nesër do të jem kundërshtar ndaj Kamzës, por jemi profesionistë dhe do të mbrojmë ngjyrat e fanellës që kontribuojmë. Në këtë moment delikat do të shkojmë për të marrë maksimumin dhe të vazhdojmë rrugën tonë përpara. Besoj që kjo javë do të përcaktojë disa gjëra në aspektin e pikëve. Ne duhet të japim maksimumin në fushë për të fituar pikët tona.

Skënderbeu? Patjetër që do luftojmë për vendin e dytë. Gjithsesi, më vjen keq kjo që ndodhi me Skënderbeun, sepse nuk i shërben futbollit shqiptar ne si drejtues dhe gjithë ekipeve të Superiores, por është diçka që nuk na takon ne.

Kemi punuar shumë si skuadër, jo vetëm në repartin e mbrojtjes. E rëndësishme është të mos shkojmë me mendimin për të mos pësuar gol, por për ta fituar takimin. Një skuadër me mentalitet fituesi duhet të hyj në fushë për ta fituar ndeshjen.

Është shumë pozitive, që tashmë e kam kontigjentin e plotë, por janë edhe 10 javë për t’u luajtur dhe të gjithë lojtarëve që do t’u jepet mundësia për të luajtur, duhet të përgatiten që në momentin që do të aktivizohen të japin gjithçka”, – është shprehur trajneri i të kuqve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje