Kukësi është skuadra e momentit në futbollin shqiptar. Rezultatet janë pozitive dhe vendi i dytë, por edhe finalja e Kupës së Shqipërisë, duken shumë pranë.
Por ajo që bie më shumë në sy në këto javë të fundit sa i takon këtij ekipi, ka të bëjë me lëvizjet e shpeshta që bën trajneri austriak.
Në ndeshjen e djeshme me Laçin ai befasoi me aktivizimin e Idrizit si sulmues krahu, kur ai është mbrojtësi i djathtë. Në portë këtë herë preferoi Koliçin, i cili, pas disa ndeshjesh në stol, tregoi një formë të mirë dhe nuk pësoi gol. Në qendër të mbrojtjes ishte Hoxha përkrah Shametit.
Nuk ishte kjo e vetmja ndeshje, ku trajneri Pakult bën rotacion në formacion, edhe pse të pjesshëm. Më parë ai ka preferuar në ndonjë rast Maldin Ymerajn si sulmues krahu, herë tjetër Ethemin.
Po ashtu, për mesfushën ka preferuar në raste të caktuara Imamin titullar në qendër. Edhe gjatë ndeshjes trajneri i Kukësit guxon jo pak me lëvizjet që bën, duke u dhënë mundësi të shprehen edhe lojtarëve më të rinj, siç ishte rasti i Ebipit në Vlorë.
Trajneri austriak nuk stepet aspak të bëjë lëvizje, nuk është fanatik në zgjedhjet e tij, ndryshon diçka gjithmonë, na varësi të asaj që sheh në fushën e stërvitjes dhe deri tani duket se ka pasur të drejtë, pasi rezultatet i kanë dhënë të drejtë. Një shembull për t’i ndjekur, pasi Kukësi i tij po luan mirë dhe po arrin rezultate.