LETRA e panjohur: Kur të burgosurit politikë i çuan fshehtaz një letër Berishës dhe kryedemokrati nuk e botoi

10 Prill 2018, 09:36Politika TEMA

Është temë më vetë debati ajo se pse PD në fillimet e saj nuk i kishte fare “në hesap” të burgosurit e të përndjekurit politikë. Këtë e tregon një letër e rrallë që i është dërguar kret demokrat Berisha në dhjetor ’90-të nga një grup të dënuarish të burgut në Kosovë të Madhe, Lushnje.

Bëhet e ditur kjo nga njëri prej tyre, Fatos Lubonja, i cili qe ndër ata që vitet e fundit të dënimit i kreu aty, prej nga dhe u lirua më pas me ardhjen e erës demokratike.

Edhe vetë ai që bën me dije se kjo letër që iu dërgua Berishës, u “shpërfill” prej këtij të fundit.

“Më 19 Dhjetor 1990, pra vetëm disa ditë pas formimit të Partisë Demokratike, sëbashku me një grup bashkëvuajtësish i kam dërguar ilegalisht nga burgu Sali Berishës një letër me kërkesën që të botohet në shtypin e PD-së.

Arsyet pse ajo nuk e ka pa dritën e botimit nuk i di mirë, por pasi u zhburgova dhe pyeta se pse kjo letër nuk u botua, dikush më tha se asokohe ishte kompromentuese për PD-në të tregonte se kishte lidhje me të persëkutuarit politikë”, shkruan Lubonja në përmbledhjen e tij publicistike “Liri e kërcënuar”, botim i afro 20 viteve më parë.

Veç kësaj, pra aspektit denoncues të faktit se PD-ja e nisi moralisht jo mirë rrugëtimin e saj në raport me viktimat e komunizmit, letra ka brenda dhe vizionin e një pjesë të burgosurish mbi Shqipërinë post-komuniste, i mbingarkuar nga një idealizëm naiv, sidomos në funksion të asaj që ato vite do ishte kredo e kohës nga një pjesë e mendimit elitar shqiptar: nevoja për pajtim kombëtar.

Ngjan naiv parë me syrin e sotëm, por aspak nga ai i djeshmi, kur sheh sot se çfarë plagësh plus ka krijuar gjuha politike, ku burimin e ka nga e djeshmja nën komunizëm.

Letra sillet e plotë nga portali Tesheshi.com.

Letra e plotë:

Zotit Sali Berisha, Nismëtar për krijimin e Partisë Demokratike

                                                                                                            “Pas lotëve sytë shohin më mirë…”

                                                                                                                                                            Populli                                  

Nga burgu i Kosovës, që besojmë ta dini se ndodhet në një humbëritë mes Lushnjes dhe Elbasanit, po ndjekim dhe ne, me aq sa mundemi, kthesat dramatike që po përjeton Shqipëria, Atdheu ynë, dhe po i ndjekim jo thjesht si spektatorë indiferentë, as thjesht si të ngujuar që presin, me rastin e këtyre zhvillimeve, të zhburgohen prej këtej e të fitojnë lirinë individiuale, por dhe duke diskutuar e medituar rreth fateve të kombit tonë, rreth së kaluarës, së tashmes dhe të ardhmes së tij, rreth rrugëve dhe mënyrave optimale se si të arrihet sa më shpejt dhe sa më pa dhembje për popullin një demokraci e njëmendtë dhe e qëndrueshme, duke kërkuar pra, fundja më në fund, të gjejmë dhe në pozicionin dhe disponimin tonë ndaj rrymave dhe tendëncave politike që shohim e ndjejmë të ravijëzohen, ku haptas e kun ë mënyrë latente, ku paqësisht e ku vrullshëm, në bocetin pluralist të Shqipërisë.

Me aq sa mund të vërejmë e analizojmë prej këndej atë që mund të quhet tashmë opozita shqiptare ndaj partisë në fuqi, konstatojmë se mund të dallohen aty, ndonëse jo shkoqur dhe në vijë ndarëse të prerë, dy rryma kryesore: një rrymë të moderuarish, që duket se tenton të grupohet rreth Partisë tuaj Demokratike dhe një frymë, po e quajmë radikale, që e manifestoi vullnetin e vet politik më vrullshëm (edhe nëpërmjet ndonjë eksesi), në manifestimet e protestës së Tiranës, Shkodrës, Kavajës, Elbasanit, Durrësit (me aq sa dimë ne).  Mendojmë se, nëse është e vërtetë, sikurse besojmë, se ekziston një diferencë e tillë, e shfaqur apo latente, një akt apo në potencë, mendojmë pra se shkak i saj nuk është divergjenca e pikëpamjeve politike, të cilat në Shqipëri ende nuk mund të thuhet se janë kristalizuar, as dhe ndonjë diferencë e lehtë në shtresëzim social apo nivel intelektual, por ajo që nga partia në fuqi është quajtur politikë e goditjes, e mbështetur në parimin antihuman të luftës së klasave. Në mënyrë me eksplicite duam të themi se, ndërsa në pjesën më të madhe tuajën, që u bëtë nismëtarë të krijimit të Partisë Demokratike, nuk ka rënë direkt dhe pa mëshirë goditja e së ashtëquajturës “diktaturë e proletariatit”, madje shumë prej jush mund të jenë bij e farefis komunistësh, mbi krahanën tjetër, e cila fatkeqësisht ka qenë mjaft e madhe, kjo goditje ka qenë direkt dhe pa mëshirë, duke marrë hera-herës dhe trajta genocidi. Kjo diferencë kujtojmë se është një nga shkaqet thelbësore që bën të përjetohen në mënyra të ndryshme, qoftë emocionalisht, qoftë intelektualisht, qoftë moralisht kthesat dramatike në Shqipëri. Kjo diferencë bën që, ndaj partisë në fuqi, ju të jeni më shumë tolerantë dhe komprensivë se sa intrasigjentë, më shumë të prirur kah debate dhe dialogu se sa konfrontimi dhe konflikti, më shumë për frymën e pajtimin se sa armiqësimit, më shumë për ruajtjen e rindërtimin e atyre vlerave që janë ndërtuar në kohën e saj, se sa për shkatërrimin e gjithçkaje ajo ka ndërtuar. Kjo diferencë bëri që deri diku të thuhet e anasjelltas për një pjesë të krahanës tjetër, por mendojmë gjithashtu se njohja e kësaj diference kërkon më shumë komprension ndaj ndonjë fenomeni ekstremist të manifestuar prej kësaj pjese që duket më pak e disponuar për të bërë kompromisin mess ë shkuarës dhe së tashmes, kompromis që, për mendimin tonë, është një domosdoshmëri historike.

Le të shpjegohemi më tej rreth pozicionimit dhe disponimit tonë. Na e thotë mendja se ne, të burgosurit politikë, që kemi vuajtur më shumë se kushdo nga ky regjim, që konsiderohemi edhe për këtë si kundërshtarët më të skajshëm të partisë që ai përfaqëson, shumëkushi,  a priori, na vendon në anën më esktreme të krahanës apo rrymës që e quajtëm radikale; shumëkush sheh tek ne vetëm forca destruktive, të etura për revansh, hakmarrje dhe larje hesapesh. Kanë plot arsye për të mënduar kësisoj, por jo të gjitha arsyet. Është e vërtetë se ne burgimi n aka dhënë shumë vuajtje, dhunime, poshtërime, persekutime (për vete dhe familjet tona) të cilat afërmendsh të mbushin me urrejtje kur mendon se janë të padrejta, kur duket qartë si drita e diellit se burgimi ynë nuk i ka shërbyer ligjit, demokracisë dhe lirisë, përkundrazi, arbitraritetit, diktaturës dhe skllavërisë, por, me anë tjetër, burgu na ka falur, përmjet asaj vetie pastruese dhe fisnikëruese që i atribuohet vuajtjes, jo vetëm urrejtje por dhe ndonjë virtyt. Mbi të gjitha n aka bërë të kuptojmë deri në palcë se çështë dhunimi, poshtërimi, persekutimi, prandaj dhe çfarë krimi kryen njeriu kuru a shkakton atë të tjerëve, dhe, së dyti na ka dhënë mundësinë e madhe, këtu në vetminë dhe izolimin tonë, të mendojmë e rimendojmë më gjatë e më thellë për jetën dhe filozofinë e saj, të zhvillojmë më shumë atë që përbën diferencën specifike të njeriut nga kafsha: arsyen. E pra, arsyeja, ky fakultet suprem, privilegj i njeriut, që ka ndërhyrë gjithëherë në afeksionet e pasionet që kanë vrundulluar zemrën e tij për t’i frenuar, moderuar, përudhuar, shpesh dhe për t’i shuar, na bën të mendojmë dhe konkludojmë se, për hir të atyre voçrrakëve shqiptarë, të cilët presin prej nesh më shumë bukë, më shumë arsim, më shumë dashuri dhe jo mjerimin, injorancën, urrejtjen që sjell anarkia dhe lufta civile, është i domosdoshëm kompromisi dhe pajtimi kombëtar.

Arsyeja na ndihmon të mos e mbajmë kokën vetëm prapa, të mos shohim vetëm varret e së kaluarës (për t’u mbushur me ndenja urrejtjeje dhe hakmarrje), port ë shohim dhe përpara me gëzim dhe shpresë për jetën në liri dhe demokraci. Arsyeja në shtyn t’u referohemi historisë së popujve më të qytetëruar dhe të shohim se si, në situata të tilla të ngjashme, një Napoleon Bonopart – pajtonjës i kombit frëng pas një decade përçarjeje – bënte thirrje asokohe popullit të vet të falte sa qe e mundur, të fashiste urrejtjen, të kalonte fshirësen mbi 10 vjet krime e tmerre; të “pinte”, sikurse shprehet historiani me gjuhën e mithologjisë, “ujët e Letes”.

Arsyeja na bën t’i kthehemi dhe njëherë asaj thënies romake “Fiat justicia pereat mundus”, të cilën e kemi pasur aq për zemër, teksa kërkonim drejtësi dhe nuk e gjenim, e të mendojmë se ndoshta, për hir të interesave të kombit, është më mirë të themi: “Të bëhet pajtimi, le të cënohet drejtësia”

Dhe në fund, por jo më pa rëndësi, gjithëpo arsyeja në bën të themi se, kur flasim për kompromis dhe pajtim kombëtar, nuk kemi parasysh kompromisin dhe pajtimin me të keqen – sipas mendimit tonë, të keqen duhet doemos ta ekzorsojmë dhe dënojmë që të mund të ndihemi vërtet në liri -, por kemi parasysh se, mbi të gjitha, duhet të nxjerrim jashtë dhe të asgjesojmë frymën e saj, jo trupat fizikë që dashur pa dashur, me vullnet e pa vullnet, u bënë përçuesit e saj; aq më tepër kur dihet se përçuesit kryesorë të kësaj të keqeje, sinteza e saj, tashmë nuk ekzistojnë fizikisht. Gjithëpo në këtë ravë shtojmë se ekzorcizmi dhe dënimi i së keqes pritet të bëhet më së pari nga partia që e ka pasur dhe e mban ende atë në gji, çka është, mendojmë ne, kushti i domosdoshëm i pajtimit kombëtar.

Për gjithë sa thamë më lart e për gjithë sa ndjejmë dhe mendojmë, por s’qemë të zot t’i shprehim në këtë letër, krijimin e Partisë tuaj Demokratike ne e konsiderojmë jo vetëm si shpresën shqiptare për liri dhe demokraci, për rimëkëmbje ekonomike, për ballafaqimin dinjitoz me Europën, për zgjidhjen e problemit të Kosovës…por, dhe mbi të gjitha, si faktorin esencial që mund dhe duhet të realizojë pajtimin dhe kohezionin e popullit shqiptar, prandaj e përshëndesim atë fuqimisht dhe me zemër.

Të rrojë Partia Demokratike!

Kosovë e Madhe, 19.12.1990

8 komente në “LETRA e panjohur: Kur të burgosurit politikë i çuan fshehtaz një letër Berishës dhe kryedemokrati nuk e botoi”

  1. Neutrino says:

    Ju te persekutuar politik ende besoni se sekretari i partise do t´ju publikoi letren? Mashtrimi me i madh i njeriut eshte te genjeje veten. Ju besuat genjeshtrat e Saliut dhe vazhdoni te vuani nen sindromen e Stokholmit. Vazhdoni deri ne fund te vraponi mbrapa karroces se PD-se

  2. "BOHOTINA" says:

    E merrni vesh o njerez, qe akoma i shkoni mbrapa nje vampiri,qe eshte tallur r tallet akoma me shtresen tuaj. Kam nje liber te tere me bemat, gjemat e perbindshme te Salihut qe ju i beni temena ende dhe Shqiperia renkon. Ju padyshim kini pjesen tuaj te fajit. Me poshte do te dergoj vetem nje pjese te librit “BALASHET” (kupto Politikanet)

  3. "BOHOTINA" says:

    nje pjese e librit tim “Balashët” (Kupto politikanet).

    KAPARDISJA E DREJTUESVE

    Balashët shpesh marrin poste e pastaj poza. Drejtojnë shtete. Ja si tek ne. Ata, veç të tjerave, kanë për karakteristikë edhe kapardisjen. Kjo vërtet është një cilësi e përgjithshme njerëzore se gjendet kudo në botë, por tek këta tanët është e pleksur me gjithë ato tipare të mbrapshta duke u dhënë një theksim të veçantë veseve e jo virtyteve njerëzore.
    Këto i shikojmë të pasqyruara në vizionin për jetën, në mënyrën e sjelljes së tyre, tek ndasitë e ndryshme, tek të menduarit, të vepruarit, të zbatuarit të detyrave të marra përsipër publikisht, e gjer në gjëra të përditshme siç janë e folura pa rregulla gjuhësore (shpesh ku vënë kryefjalën nuk vënë kallëzuesin, duke mos i shquar fjalët e duke u dalë fjalia e vetë mendimi rrangulla-bërdangulla, pa ide e formë), e deri tek veshja allosua si të ishin kloun cirku dhe tek ecja e denjë për në shkrepa malesh.
    Çuditërisht, po të hetojmë me gjakftohtësi historinë e gjatë të popullit tonë, vërejmë se kapardisja ka qenë e pranishme në jetën e përditshme, madje edhe sot, por fatmirësisht kjo nuk është pasqyruar, aq sa pritej të ndodhte, në sferat drejtuese ku dëmtimet do të ishin të mëdha e vërtet fatale për kombin në të kaluarën, pra tek prijësit (drejtuesit), që sot u thonë “liderë”. Nuk dua të ndalem tek kapardisjet e princave e feudalëve shqiptarë në mesjetë, se sjelljet e tyre nuk ishin as më pak e as më shumë se të atyre fqinjë, evropianë e bizantinë, por dëshiroj të evidentoj vetëm heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastriotin-Skënderbeun.
    Ky kont shqiptar, që u ngrit befas në një lartësi marramendëse, që u rrethua me legjenda për së gjalli, që iu dhanë tituj e cilësime nga më të pabesueshmet, që do t’ i ëndërronte çdo princ i kohës, që u prit disa herë me triumf e nderime të mëdha në qendrat europiane e në Vatikanin e fuqishëm për kohën, e kishte pasur rrezikun që të binte në prehrin e vetkënaqësisë e kapardisjes me veten si rrallëkush tjetër. Nuk ndodhi kështu. Nuk u pa kurrë një gjë e tillë. Përkundrazi. Ai i tha popullit: “Lirinë nuk ua solla unë, atë e gjeta këtu, midis jush!”.
    Rilindësit e shquar si prijës të mendimit, por edhe ata të veprimit me armë për liri e pavarësi, nuk dhanë asnjëherë shenja të një kapardisjeje të zbrazët e të pakuptimtë. Motua e tyre ishte: “O vdekje, o liri!” dhe vetë ishin në krye të aksionit. Kjo parullë sakrifikuese ka vetëm një shpjegim. Ata ishin të përgjegjshëm për fatin e rëndë të popullit të tyre. Ata e kishin kuptuar se historia i kishte vendosur në krye të një populli të rrezikuar e të goditur rëndë, prandaj në kokat e tyre nuk kishte as mburrje, as ethe lavdie e as
    kapardisje, siç shohim rëndom sot tek “liderët”.
    Ngritësi i flamurit tonë, Ismail Qemali, që shpalli Pavarësinë Kombëtare, duke kryer një akt të jashtëzakonshëm historik, ndonëse vinte në një vend të vogël, nga poste të larta në një perandori të madhe për kohën, nuk u shqua asnjëherë për delire madhështie, mendjemadhësie, vetëkënaqësie, mosmirënjohje e kapadaillëku…
    Po kështu Fan S. Noli, pas tij, ndonëse qe i ndërgjegjshëm se ishte kryeministri më i kulturuar i Ballkanit për kohën e vet dhe një nga krerët e kulturës europiane, njohës i 13 gjuhëve të huaja, madje edhe i greqishtes e persishtes së vjetër, asnjëherë nuk shfaqi shenja të kapardisjes e të kryeneçësisë.
    Koha e kapardisjes së madhe të politikanëve e drejtuesve shqiptarë, ose më mirë të themi shtresës politike shqiptare, sipas mendimit tim, erdhi atëherë kur ajo pritej të ndodhte më pak, para e pas rënies së shtetit njëpartiak, në fillim të gjysmë së dytë të shekullit të njëzetë!…
    Por më e pafalshmja e kapardisjes ndodhi në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit të njëzetë dhe dekadën e parë të shekullit të ri. Atëherë kur nuk duhej në asnjë mënyrë të ndodhte. Fatale për drejtuesit. Fatale për popullin që morën përsipër për ta drejtuar. Nuk duhej. Ndodhi. Ja ku jemi!…
    Mund të themi pa doreza, se për 20 vjet njerëzit e politikës u mburrën e u ngrefosën më shumë se gjithë paraardhësit e tyre, gjatë 20 shekujve të marrë së bashku. Ç’ trishtim i madh! Një pjesë e mirë e tyre harruan krejtësisht se çfarë u besoi koha e historia. Harruan se ishim bashkvuajtës. Menduam se shpëtuam. Do vinte zhvillimi e përparimi, por u nxituam. Vendin e punëve të mëdha e zunë kapardisjet mediokre…
    Jeta i vuri para një detyre të rëndë, por historike për nxjerrjen nga prapambetja e nga tronditja psikike e një populli të tërë dhe u duhej të punonin ditë e natë për shëndoshjen shpirtërore e shëndetësore të gjendjes së gjetur, me një fjalë për normalitet sa më të shpejtë. Jo të shtonin stresin tek një popull i tërë, siç ndodhi në fakt. Të pajisur me një mendje të varfër, por edhe me karakter të dobët (shpesh pasojë e logjikshme e të parës), këta njerëz të rëndomtë nuk e përballuan e as nuk mund ta përballonin dot misionin madhor që u vuri koha e historia para tyre.
    Ndaj në vend që të ulnin kokën përpara dramës së popullit të lodhur e të sfilitur nga një regjim njëpartiak, pa rivalitet e diktaturë, të rraskapitur e të traumatizuar, këto natyra të varfra u dehën para kohe nga shija e pushtetit, nga veturat, rojet, pritjet e përcjelljet ngado, kamerat e televizioneve e intervistat e pafund, por boshe… Kjo u shoqërua nga një mllef i verbër ndaj kundërshtarëve politikë, duke sharë përditë shtetin monopartiak diktatorial dhe vetë bënin të kundërtën, duke u kapur fort pas karriges edhe tani që rregullat e lojës kanë ndryshuar me pluralizmin politik! Këtë e shoqëruan me një korrupsion të pafund e galopant dhe me një shpërfillje të plotë ndaj interesave dhe tragjedisë së vendit.
    Me gjithë këtë sjellje të papërgjegjshme, krekosja kishte përherë
    pjesën e saj. Njerëzillëku e thjeshtësia u bënë krejt të huaja e të papërfillshme për ta. Stili i jetës, tek një pjesë e tyre, ishte i papranueshëm për çdo kohë e çdo shoqëri. Pozat e tyre, dëshira për t’ u bërë “yje” (star), hidhësia prej grindaveci, rrezatimi i urrejtjes e gjer tek e folura “sensacionale”, gjoja me metafora, ndonëse nuk flasin qart as gjuhën e nënës që i lindi.
    Atëherë si është e mundur një ngrefosje e tillë? Me ç’ kurajë e bënë dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë? Po të paktën ta dinë se kapardisje, tundje-shkundje, shitmendje e kacagjelosje do të thotë verbëri, shurdhëri e shpërfillje e plotë për atë që ndodh me popullin që të ka zgjedhur e të ka vënë në krye.
    Me të tillë drejtues nuk mund të zhdukësh varfërinë, stresin në rritje, respektin në rënie, nervozizmin e popullit, mungesën e rendit, të ligjit, të dritave e të ujit. Me këto mungesa çdo krenari e zbrazët, çdo kapardisje, duhet të fluturojë në çast, për t’ i lënë vendin një brenge të thellë…
    Vë re me keqardhje se edhe pas tërë kësaj drame me shumë akte , përsëri nuk heqin dorë nga mburrjet. Shohim servilosje e tradhti ndaj vendit në takim me fqinjët. Zhgënjim. Pabesi. Gënjeshtër. Mosmirënjohje. Ngrehalucë. Gjelkokosha. Cicmicxhinj. Balashllëk. Të pandreqshëm!… Balashët tanë nuk janë as njerëzorë e as mirënjohës. Napoleon Bonoparti thoshte: “Unë mund të kem të gjithë veset e të metat e botës, por nuk jam mosmirënjohës”.
    Ndërsa drama e popullit që i ka nxjerrë, shton aktet, për t’ u bërë mbase, më e gjata dramë e shoqërisë njerëzore. Një dramë e bezdisshme, se jo vetëm është dramë njerëzore, që here-herë shkon drejt tragjedisë, por edhe mjaft e lodhshme për shkak të përsëritjes e të stërzgjatjes…
    Këta lloj drejtuesish janë të dashuruar kaq shumë pas vetes dhe fjalëve të tyre, sa vazhdojnë jetën si të dehur nga telefonatat celulare pa kufi, nga hipjet e zbritjet tërë hosanna nëpër avionë, nga duzina mikrofonash që u
    afrojnë gazetarët brenda e jashtë vendit, nga nderimet me të cilat i presin andej-këndej truprojat shtetërore, nga servilosjet e lolove, nga drekat e darkat e bollshme e cilësore, nga veturat jashtë serie e të blinduara(!)…
    Harron mendja e varfër e tyre se ai interesim e ato nderime nuk janë
    për ta, ndaj kot ngrefosen e fryhen si gjelat para “betejës” me njëri-tjetrin, por për popullin martir shqiptar, i cili e tregoi kulturën, arsimin, përgjegjësinë e patriotizmin e tij edhe me manifestimin e qetësinë për t’ u admiruar nëpër fushata zgjedhore, por edhe duke mos sjellë asnjë problem e shqetësim të huajve, me rastin e heqjes së vizave, në kundërshtim me atë që u mendua në fillim dhe që nuk e bënë e treguan si ne popujt e tjerë, përreth nesh!
    Opozitar nuk do të thotë “armik”, siç trajtohet tek ne për shumë vite. Duan të shqyejnë shoqi-shoqin! Ata që janë në pushtetin e radhës nuk lënë metodë e praktikë pa përdorur kundër “kundërshtarëve” politikë. Harrojnë se janë vërtet opozitarë, por vëllezër, se kemi një gjak, një gjuhë, një flamur, një himn , një komb, për të cilin duhet bërë gjithçka…
    Ky qëndrim i papërgjegjshëm shoqërohet me trille e me gjeste kinse të bujshme. Haraçin e këtyre kokëpërpjetëve e paguan shtrenjtë populli, që mjerohet, që digjet, që vritet e kullon gjak. Kurse balashët, ngrehalucët e gjelkokoshat nuk pësojnë asgjë asnjëherë, ndonëse s’ kanë lënë gjë pa bërë e janë shkaktarë të dramave e tragjedive, për 20 vjet!… Drejtuesi i radhës pasi vjedh e manipulon votat, bën njëmijë e një zullume, për të mbajtur pushtetin me çdo kusht e çmim dhe harron dramën që ka pushtuar popullin e vendin…
    Asgjë nuk i prek shpirtrat e tyre, veç smira dhe etja për pushtet dhe para. Ato janë e vetmja gjë që e gjallëron mendjen e tyre të varfër. Mendojnë pak a shumë se unë duhet të nderohem, të pritem e të përcillem me truproje nderi, të më hapen dyert e veturës, të pyetem e të jap mend, që duhet të vendos për gjithçka, të urdhëroj, të hipi në avion, të thirrem në gosti, të jem shef.
    E sikur të mos mjaftonin këto, nuk mungojnë rreth tyre edhe servilët, hipokritët, lolot, mosmirënjohësit, puthadorët, sejmenët, taksidarët, kusarët , lajkatarët dhe vrasësit, të cilët në çdo kohë argëtojnë shefin me lajka, për bëmat e tij, thurin deri legjenda të paqena, tregojnë fakte të neveritshme, të pabesa duke i servirur si heroike dhe ata kënaqen, ngrefosen, kapardisen e kacagjelosen më shumë. E tmerrshme! Këta mjeranë jo vetëm që s’ janë të tillë siç i paraqesin lolot që mbajnë afër, por do t’ i ndëshkojë historia shumë rëndë (se për ligjet as duan t’ ia dinë!). Pra s’ ka vend për kapardisje, por do të thosha se kanë nevojë të ngutshme të qytetërohen, se janë larg përfaqësimit që meriton populli i mençur e patriot shqiptar.
    Mësimi i parë që duhet të nxjerrin “liderët” është që të rrinë kryeulur përpara dramës e gjëmës që ende nxin në sytë tanë (dhe që këta e shtuan më tepër!), për të nxjerrë popullin nga mjerimi. Të rrish kokulur, nuk do të thotë se je pa dinjitet e personalitet dhe shpinëpërkulur. Përkundrazi pa dinjitet gjykohen ata, bie fjala, që në një ceremoni mortore zgërdhihen, në vend që të rrinë të ngrysur e seriozë para viktimës duke e nderuar atë.
    Drejtuesit tanë as duan t’ ia dinë që populli kullon gjak. Gjithandej vetëm gjak: vrasje, vetëvrasje, tmerre brenda familjes, shembje minierash, aksidente pa fund. Përditë! Çfarë bëhet kështu me ne? Duket sikur jemi futur në një rreth makabër që nuk ka të sosur. Askund dhe askush nuk e ka jetën të sigurt. Familjarin, mikun, kolegun, të njohurin nesër mund ta shohësh me portret në posterat e lajmërimeve të vdekjes.
    Ajo që të kall datën më frikshëm është qëndrimi totalisht i papërgjegjshëm dhe antinjerëzor i drejtuesve politikë të vendit. Ata e kanë mbushur kupën. Kupa nuk mban më. Shumë prej tyre ngjanë si vampirë. Duhet të ikin një orë e më parë bashkë me togfjalëshin: “erën e gjakut!”.
    Kombi ynë është para sfidave të mëdha e vendimtare për fatet e tij. Në qoftë se “liderët” janë të paaftë të kuptojnë peshën e përgjegjësisë që kanë, ata le t’ ua lënë vendin të tjerëve. Të mos “ngjiten” pas karriges se është kohë
    pluralizmi. Ky ndërrim i shpeshtë i pushtetit i çoi përpara mjaft vende të tjera të zhvilluara demokratike.
    Gjithmonë do të ketë njerëz që do ta kuptojnë më mirë këtë popull, ndjenjat e shpirtin e tij të pastër, human e krijues, mirënjohës e mikpritës, që do të kenë më shumë dhembshuri për të, me fjalë të tjera që do të prijnë siç duhet e jo të ngrefosen si gjelat kapadai, majë plehut…

  4. Grigor says:

    Nje komunist i devotshem dhe nxenes i zellshëm i Enverit si Saliu, nuk mund ta botonte ate letër.
    Tek ajo letër Saliu pa kercenimin me te madh qe I behej planit te tij per uzurpimin e PD-se dhe marrjen e lidershipit.
    Urdherat nga Serbia ishin: “Te kapet PD me çdo kishte dhe te behet Shqipëria shtet rrumpalle.”

    Të gjithë e dime see poo ta kishin marre pushtetin ish-pronaret e permbysur dhe te burgosurit politike, sot ne do ishim prej 10 vjetesh anetare te BE.
    Por e moren katunaret e PPSH me Saliun ne krye, dhe e shkerdhyen te ardhmen e Shqiperise.
    Dhe Saliu akoma vazhdon misionin e tij, i patrazuar, dhe me i pasur see kurre.
    Ndersa te burgosurit politike u perdoren si lecke pastrimi e PD.

  5. hiustoriani says:

    SALIU NE ATE KOHE LUANTE POLITIKEN E KURVES, OSE POLITIKEN ME DY PORTA SE NUK E DINTE NESE DO TE RREZOHEJ SISTEMI KOMUNIST NE SHQIPERI. DITEN DILTE SIKUR ESHTE ME PD NDERSA NATEN SHKONTE TE RAMIZ ALIA. KETE E BENTE QE NE RAST SE NUK FITONTE DEMOKRACIA DO TI THOSHTE KOMUNISTAVE ” UNE JAM ME JU. AJO ME PD ISHTE LOJE” KETE QENDRIM KURVASH KA MBAJTE GJITHE JETEN SALUSH KRIMINELI. DHE VAZHDON TA MBAJE EDHE SOT E KESAJ DITE. ATA QE VAZHDOJNE DHE I PUTHIN BYTHEN KETIJ KRYEKRIMINELI JANE KURVICA

  6. Malesori says:

    Të nderuar ish të burgosur, në zonat e veriut përdoret një shprehje popullore:
    “Qeni i keq t’a sjell ujkun në torishtë (vathë)”.

  7. fisheku says:

    Me vjen keq që ende disa nga ish të persekutuarit besojne qorrazi tek ish sekretaëet e partise, prandaj në vend ëe komentit po mjaftohem me nje batutë që mendoj është domethënëse:
    Baba e pyet djalin: Çfarë ke që po qan?
    Djali i pergjgijet, mu kujtua nana që ka vdekë.
    Pastaj djali e pyet baben, po ti pse je i mërzitur?
    Baba i përgjigjet, po më kujtohet nana jote se çfarë kopili më ka lanë.
    Pra juve po vazhdoni t’i besoni një kopili që e ka lanë nana parti e punës.

  8. GK says:

    Zoti Mero, Te respektoj dhe prej vitesh te simpatizoj per nivelin tuaj profesional. Here here disa njerez edhe te kritikojne e te shajne ,mbase edhe me te padrejte ndonjehere, por Juve me shume zgjuarsi disa pjerj tyre i botoni. Kjo ben qe Ju te fitoni ne opinion qe Juve jeni shume i hapur. Por ky shkrim ketu nga ” BOHOTINA ‘ eshte nga me te rrallat per nga vertetesia dhe ndershmeria e te argumentuarit te fakteve ne HISTORI. Kam vetem nje kerkese te lutem ky shkrim i ketij Zoterie te botohet me germa kapitale here pas here. TE LUTEM TE BOTOHET EDHE SI SHKRIM ME VEHTE. Juve Zoti ,komentuesi ” BOHOTINA ” pranoni falenderimet dhe urimet e mia me te mira. TE FALEMINDERIT PER KETE SHKRIM ANALIZE…………

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje