Skënderbeu, Muzaka mungon në duelin ndaj Lushnjes

6 Maj 2018, 16:41Sport TEMA

Në kampin korçar është prishur humori pas dy humbjeve radhazi në kampionat, në shtëpi me Kukësin dhe dje në Laç.

Tashmë diferenca me vendin e dytë është 8 pikë dhe në Korçë vazhdojnë të mos e diskutojnë titullin, por trajneri Daja ka shpërthyer pas humbjes së fundit.

Skënderbeu luan të mërkurën në Lushnjë dhe ka shansin të kthehet te fitorja dhe të sigurojë ndoshta edhe matematikisht titullin.

Ndeshja është e lehtë në letër, por trajnerit Daja i është shtuar një tjetër dëmtim, ai i Gjergji Muzakës, i cili u zëvendësua në Laç. Një ndërhyrje e kundërshtarit i ka kushtuar mesfushorit kryeqytetas, që ka probleme dhe do të qëndrojë në infermieri.

Probleme ka edhe portieri Orges Shehi, që u zëvendësua pas pjesës së parë. Kthehet në këtë ndeshje mbrojtësi Gledi Mici, i cili ishte i skualifikuar, ndërkohë që mbetet për t’u parë gjendja e Osmanit, i cili gjithashtu mungoi në Laç për shkak dëmtimi.

Bruno Dita pritet të jetë titullar edhe në ndeshjen e së mërkurës në “Roza Haxhiu”, bashkë me Lilajn, kurse vendin tjetër në mesfushë mund ta zërë Nimaga, nëse Osmani nuk do të luajë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje