Luftëtari, Lika: Ta mbyllim me sukses për pjesëmarrjen në Europë

18 Maj 2018, 15:23Sport TEMA

Luftëtari është shumë pranë realizimit të një ëndrre, pjesëmarrjes në Europa League. Bluzinjtë në aktin e parafundit të këtij edicioni do të përballen me Skënderbeun, që tashmë e ka konkretizuar titullin kampion.

Pavarësisht se korçarët me shumë mundësi nuk do të zbresin me forca të plota në stadiumin e Gjirokastrës, trajneri i Luftëtarit, Hasan Lika, nuk u zë besë bardhekuqve dhe e cilëson si mjaft të vështirë duelin me juglindorët

“Ndeshja e fundit është përballë tifozëve tanë dhe me një kundërshtar shumë të fortë që e ka fituar titullin. Pavarësisht se do të vijnë me ndonjë mungesë, do të jetë e vështirë, por ne si gjithmonë do të japim maksimumin tonë. Duam të dalim me sukses jo vetëm në këtë ndeshje, por edhe në takimin e fundit, për të realizuar objektivin tonë, pjesëmarrjen në Kupat e Europës.”

Luftëtari ka një diferencë prej 3 pikësh ndaj Laçit e Partizanit dhe për këtë arsye një fitore eventuale përballë Skënderbut mund të mos ishte e mjaftueshme për të prenotuar biletën europiane, megjithatë tekniku i bluzinjve thekson se skuadra duhet të përqendrohet tek vetja, pasi është vetëm Luftëtari që e ka në dorë realizmin e objektivit

“Ne jemi të përqendruar te vetvetja, çdo gjë varet nga ne. Nëse marrim rezultatin e duhur, s’kemi pse shohim nga kundërshtarët. Duam ta mbyllim sezonin me rezultate pozitive.”

Megjithëse suksesi në sfidën e radhës mund të jetë vendimtar, trajneri Lika, ndoshta edhe për të reduktuar ngarkesën emocionale, deklaron se gjithçka do të vendoset në takimin e fundit ndaj Lushnjës.

“Për ne kampionati mbaron në sfidën e fundit. Sigurisht që jemi përqendruar te Skënderbeu.”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje