Tirana u ngjit në Superiore dhe fitoi titullin e Kategorisë së Parë, duke pasur në krye të saj trajnerin brazilian Ze Maria, për qëndrimin e të cilit lajmet e kohëve të fundit kanë qenë kontradiktore.
Në një moment ai ishte thuajse i larguar, por më pas është folur për vazhdimin e bashkëpunimit, si nga presidenti, ashtu edhe nga vetë trajneri brazilian. Edhe dje ata janë takuar me njëri-tjetrin, por nuk kanë arritur ende një akord, duke e lënë gjithçka të hapur.
Do të ketë një takim të radhës ditën e hënë, por është e çuditshme që marrëveshja për të punuar sërish bashkë shtyhet.
Ze Maria ka kërkesat e tij për një Tiranë kompetitive dhe ndoshta këtu ngec puna, pasi në këtë drejtim ka vërtet vështirësi.
Të mendosh që futbollistët e Tiranës nuk paguhen prej katër muajsh…
Pritet takimi i nesërm për më shumë detaje, por kështu si po shkon puna, gjasat janë që trajneri brazilian të “dorëzohet” dhe të deklarojë largimin. Ndoshta edhe kostot e larta të stafit teknik i rëndojnë shumë presidentit Halili.