Të vrasësh dhe të vritesh për … dashurinë

9 Qershor 2018, 19:27Blog TEMA
Të vrasësh dhe të vritesh për … dashurinë

Ilir Yzeiri

Nga Ilir Yzeiri

 

Nuk do të kisha shkruar për ngjarjen tronditëse të këtyre ditëve po të mos kujtohesha se edhe para disa muajsh, në afërsi të Fakultetit të Mjekësisë, një i ri vrau të dashurën dhe vrau edhe veten. Edhe ditën e premte një djalë vrau një vajzë dhe pastaj edhe veten. Në të dyja rastet është ne mes dashuria, pasioni që, siç e dimë të gjithë, kur e përfshin njeriun, e djeg atë mendërisht dhe i fshin të gjitha lidhjet me arsyen dhe ndez tek ai verbërinë e hakmarrjes për ndjenjën e lënduar apo të vrarë dhe, në këtë e sipër, ai zgjedh vdekjen si alternativë për atë që i ka vrarë ndjenjën dhe për veten e tij gjithashtu. Të vrasësh dhe të vritesh edhe vetë për dashurinë është një tragjedi e llahtarshme që u shkakton prindërve dhe të afërmve të viktimave një dhimbje po ashtu të pamatë. Tragjedi të tilla duhen bërë objekte të debatit mes profesionistëve dhe psikologëve e filozofëve. Çfarë ndodh në mendjen e atij që vret dhe që vritet ? Pse një mashkull nuk e pranon ndarjen dhe zgjedh t’i japë fund jetës së tij dhe të së dashurës. Çfarë ka ndryshuran në psikikën e mashkullit që nuk e pranon më refuzimin ? Sa i vjetër është ky fenomen dhe çfarë natyre ka në Shqipëri ? A ka studime për këtë fenomen ? A ka libra të shkruara nga psikiatër ? A ka psikiatër ky vend dhe përse ata nuk janë pjesë e debatit publik ?  Mirëpo, për fat të keq, ne shqiptarët dhe mediat tona që nuk kanë asnjë filtër erudicioni i përcjellin këto ngjarje me mendjelehtësinë më të madhe dhe i bëjnë sport kolektiv duke i rrëfyer me të njëjtin stil siç rrëfehen kronikat e krimeve të zakonshme. Si të mos mjaftonte kjo, në disa raste zgjidhen edhe psikologe apo psikologë që jo vetëm nuk shpjegojnë anën e errët të vetëdijes së njeriut në një gjendje të tillë, por e bëjnë edhe më banale marrëzinë kolektive dhe  rrëfimet patetike të gazetarëve që raportojnë për një vdekje e paraqesin atë tragjedi sikur ajo të ishte një spektakël cirku. Dhe kulmin e naivitetit dhe të paditurisë e mediokritetit të ngritur në sistem, e arrin një psikologe e ftuar në një Tv e cila thotë : « Kemi të bëjmë me një dashuri patologjike në kushtet e një dashurie të theksuar. Nëse ne vrasim në emër ta pasionit dhe vrasja në vetvete konsiston dhe do të thotë një dhunë e vazhdueshme që ka ekzistuar në çift .»  Nëse një student do të kishte shkruar një përgjigje të tillë për një pyetje si ajo që ka bërë gazetarja, cilido pedagog do ta kishte vlerësuar me notën mbetëse. Mirëpo këtu te ne, ky lloj ligjërimi dhe promovimi i mediokritetit dhe banalitetit në televizion, është bërë një normë. Vini re si shprehet ajo që gazetarja e quan psikologe : « Kemi të bëjmë me një dashuri patologjike në kushtet e një dashurie të theksuar !!!!» Personalisht e kam shumë të vështirë të kuptoj diçka që po e shtjelloj më poshtë. Për vite e vite me radhë, ne, shqiptarët e Shqipërisë, në pjesën më të madhe, jemi rritur e jemi formuar me shijet dhe me kulturën e transmetuar nga televizioni italian. Nuk e kam fjalën këtu për emisionet e lehta të tipit të Barbara D’Ursos, por e kam fjalën për komentet, analizat, bisedat e llojeve të ndryshme që, sido që të jetë, kishin në kohën tonë dhe kanë edhe sot një tis kulture të dallueshme. Edhe ndërtimi i një edicioni lajmesh prej tyre është një shkollë për të gjitha televizionet tona sot. Ndërsa sa i përket argumentit të shkrimit, prej kohësh kam vënë re se Canale 5, fjala vjen, sa herë që në Itali ndodh një krim pasioni apo çdo lloj krimi tjetër me sfond psikologjik të rënduar, i drejtohet një psikiatri të njohur, një profesori të shquar me emrin Vittorino Andreoli, i cili e rrëfen dhe e analizon ngjarjen e rëndë si një shkrimtar, si një mjek dhe si një psikiatër i dorës së parë. Ajo që dua të pyes është kjo : me kë maten sot televizionet tona ? A e dinë këta se shqiptarët, në pjesën më të madhe, për të dëgjuar lajmet ndjekin ose kanalet italiane ose ato anglosaksone, për muzikën po ashtu, filmat i transmeton Digitalbi gjithë ditën e kështu me radhë. Po këta gazetarë nuk shohin televizionet e huaja. Nga i marrin modelet këta ? A e kuptojnë këto mediat tona se duke promovuar nga mëngjesi në darkë mediokritetin  dhe analfabetët funksionalë, jo vetëm që fyejnë të vdekurit, por largohen gjithnjë e më shumë nga ata që i ndjekin dhe krijojnë kështu përshtypjen se në këtë vend jetojnë njerëz që nuk dinë as shkrim dhe as këndim, se ky vend popullohet nga turma që kanë zbritur prej maleve dhe nuk kanë lexuar asnjë libër. Në fakt, një farë të drejte e kanë. E kini vënë re se në këta 30 vjet demokraci, i vetmi institucion që është lënë si një leckë këmbësh, si një peshqir i ndyrë për të fshirë djersët që rrjedhin nga konsumizmi vulgar shqiptar është Biblioteka Kombëtare. Në Tiranë është bërë gjithçka me shumë luks e me shumë klas. Nevojtore, hotele, restorante, bare dhe i vetmi institucion që është bërë edhe nevojtore edhe shurrtore dhe që po degradon në mënyrë të frikshme sidomos tani që është kthyer edhe si një sallë studimi për konviktorët e shkollës së rezervave materiale, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, pra,  është shenja që tregon se ne jemi një vend idiot me dëshirën vetëm për të bërë lekë dhe për të shitur mend, për t’u mburrur si karaducë, siç thonë shkodranët. Vetëm ne shqiptarët nuk po ndiejmë nevojën që veprimet tona t’i argumentojmë me dijen dhe me librat. Ndaj edhe një ngjarje tragjike si vrasja dhe vetëvrasja për dashurinë e për pasionin shpjegohet edhe me fjalët e një psikologoje që thotë se dashuria patologjike është dashuri e tepruar.

Për ta përmbyllur kam zgjedhur një intervistë të hershme të profesor Andreolit dhënë Hafington Post në vitin 2013 ku ai thotë : « Italia është një i sëmurë mendor. Nga pikëpamja psikiatrike, do të thosha që duhet shtruar në spital. Mirëpo , çmendinat nuk ekzistojnë më ».  Po e lë më poshtë të plotë nëntitullin e gazetës që citova duke menduar se për të shpjeguar Shqipërinë dhe atë që ndodh në këtë vend, ndoshta një psikiatër nuk mjafton.

“L’Italia è un paziente malato di mente. Malato grave. Dal punto di vista psichiatrico, direi che è da ricovero. Però non ci sono più i manicomi”. Il professor Vittorino Andreoli, uno dei massimi esponenti della psichiatria contemporanea, ex direttore del Dipartimento di psichiatria di Verona, membro della Neë York Academy of Sciences e presidente del Section Committee on Psychopathology of Expression della Ëorld Psychiatric Association ha messo idealmente sul lettino questo Paese che si dibatte tra crisi economica e caos politico e si è fatto un’idea precisa del malessere del suo popolo. Un’idea drammatica. Con una premessa: “Che io vedo gli italiani da italiano, in questo momento particolare. Quindi, sia chiaro che questa è una visione degli altri e nello stesso tempo di me. Come in uno specchio“.(06/08/2013 15:11 CEST | Aggiornato 04/03/2018 12:02 CET HFP)

 

4 komente në “Të vrasësh dhe të vritesh për … dashurinë”

  1. Alban Dega says:

    VRASJA PER DASHURI APO SHTAZERI !?

    – This is the question …

    1. Une... ti... ne te gjithe... says:

      S’po ze as ajo monika na nje dashnor qe ta hiqte qafe!! Do ishte mire qe te mpleksej me spartak brahon se ai eshte i vjeter tani e nuk ka problem pse i fut edhe nje vetes.

  2. zi says:

    Duke mos thene asgje, kerkon,shqetesohesh,ngaterohesh,por prape asgje.
    Nuk flitet per litar ne shtepine e te varurit,
    imagjino!Qe cdo shtepi prej nesh ka nje te varur,
    te flasesh per litar!Apo pe te varurin?
    Eshte aq e thjeshte per tu kuptuar dhe aq e nderlikuar per ta speguar
    aq e dhimbeshme per ta ndjere dhe aq e lehte per ta anashkaluar,
    koha rjedh si nje lume i rrembyeshem dhe gjethcka reth tij duket kaq e mbrekulluar.

  3. ALBAN DEGA says:

    From: [email protected]
    Date: February 11, 2011 at 11:55:17 AM EST

    ULE ATE GRYKE PUSHKE VELLA… ULE !

    – Nga Alban Dega, Nju Jork

    Ule… ule ate gryke pushke vella. Hidhe tutje ate pushke. Ajo vret. Vret jeten e tjetrit. Vret edhe jeten tende.
    Nuk ka pushke me te forte ne bote se truri. Ke zjarmi ne tru vella. Hidh nje dore uje te ftohte fytyres. Hidhi nje cope akull trurit te zjarmuar vella. Mos i merr jeten tjetrit.
    Jeta jepet vetem nje here. Detyra me e shenjte e njeriut eshte ta ruaje jeten. Jeten e vet por edhe jeten e tjetrit.
    ” Ah sa do te jepja … krejt boten do ta jepja vec te mos kisha vrare…: therret koka e ftohte vetem pak caste pasi i ke marre jeten tjetrit. Sheh fytyren e tij si limon, sheh ngjyren e vdekjes ne fytyren e tjetrit dhe e jotja merr ngjyre vdekje.
    Gjithmone kur vritet njeriu nga njeriu ka te pakten dy viktima, dy te vdekur: njeri i vdekur per se vdekuri, tjetri i vdekur per se gjalli.
    Jo vetem dy viktima. Shume me teper. Familje te tera mbyllen ne kulla guri, ne nje varr pa varr. Fise te tera ngujohen per vite e vite te tera ne nje sketerre prane parajses qe eshte jeta.
    Nga nje vrasje e njeriut prej njeriut vdesin te vdekurit por vdesin edhe te gjallet. Ne cdo hap i ndjek hija e vdekjes, ngjyra e vdekjes, kercenimi i vdekjes.
    Hej, ule ate gryke pushke o vella. Zjarrmia jote, dufi jot eshte vetem sa eshte kufiri midis jetes e vdekjes.
    Trimeria jote, fuqia jote eshte vetem nje fraksion milimetri, aq sa eshte hapi i shkrehjes se carkut.
    Arma eshte vdekje kur vdes njeriun, kushdo qofte ai. Ndaj ule … ule ate gryke pushke vella.
    Mos hyre ne hasmeri me jeten. Mos hyre ne hasmeri me vetveten. Mos vrit familjen tende. Mos vrit vellain tend, Mos vrit nusen a te dashuren tende. Mos vrit femijet tu! As femijet e femijeve. Ule ate gryke pushke vella.
    Lerua Kanunin maleve ne Toke e Zotit ne Qiell! Cfare Kanuni!?
    Cili nen i tij lejon vrasjen e gruas!? Cili rregull i tij lejon vrasjen e femijes 10-11 vjec!?
    Cili blin i tij lejon perdhosjen e kufomes!? Cila pjese e tij shote vraje vellain, kusheririn, te afermin tend per kot se koti !? Cili …..
    Ky lloj kanuni eshte barbari !? Ky lloj kanuni eshte egersi! Ky lloj kanuni eshte kanibalizem!
    Leruani kanunin egersirave, bishave neper male! Jo njerezve…
    Njeriu ka vetem nje kanun, ai eshte ligji ne Toke dhe Zoti ne Qiell!
    Hej mos harroni: jeta jepet vetem nje here si per ty edhe hasmin tend, si per ate edhe per ty!
    Mos e vrit jeten vella. Hej, ule ate gryke pushke , ule bre vella pa e shkrepur…
    Eshte trimeri te falesh! Barbari eshte te vrasesh! Vret tjetrin per se vdekuri, por ke vra edhe veten per se gjalli!
    Hej, hej ule ate gryke pushken o njeri, o
    vella, o hasem, o dashamir! Falja pushken jetes!
    Duaje jeten… iki vdekjes!
    Hidh nje dore uje te ftohte shpirtin! Hidhi nje
    cope akulli trurit te zagushitur!
    Dhuroja pushken Zotit ne Qiell dhe Ligjit ne Toke ! Zoti te dhuron jeten. Vetem ai ka te drejte ta marri ate! Tenden, timen…. te te gjitheve. Nje dite te gjithe do te vdesim, te gjithe…
    Eshte thirrja e nje populli!
    Eshte kushtrimi i nje kombi… I vetmi ne bote qe pershendet Tungjatjeta! Jo Tungjatvdekja!
    Tungjatjeta vella! Ndaj ta ruajme jeten !
    Ta ruajme jeten si Jeten!
    Tungjatjeta!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje