Islanda ishte Kombëtarja që fitoi zemrat e të gjithë tifozëve në Europianin e Francës, teksa grupi i lojtarëve që drejtohet nga ana e Heimir Hallgrimson, i cili punon me kohë të pjesshme si dentist, arriti të tejkalonte pritshmëritë.
Tashmë kërkohet një tjetër sukses nga ana e Islandës në Botërorin e Rusisë, megjithëse janë shanset paksa më të vogla për të ndodhur diçka e tillë. Kjo pasi ndodhen në të njëjtin grup me Argjentinën dhe Kroacinë, dy nga Kombëtaret prej të cilave pritet shumë në këtë turne.
Megjithatë trajneri Hallgrimson është i qartë, kush mendon se një kualifikim i tillë do të ishte një mrekulli, atëherë këta tifozë nuk e njohin Islandën.
“E gjitha kjo ka të bëj me njohjen e forcës dhe dobësisë tënde. E di që kemi ndryshim nga shumë Kombëtare këtu dhe që luajmë në një mënyrë tjetër. Por nëse luajmë si një grup i bashkuar, atëherë gjithçka është e arritshme.
Nëse dikush do të jetë i surprizuar, atëherë ai nuk di shumë rreth Islandës. Ekipi ka qenë shumë i qëndrueshëm në vitet e fundit dhe ne e meritojmë të jemi këtu. Jemi në vendin e 20 te FIFA dhe kemi fituar shumë takime të rëndësishme. Gjithashtu kemi fituar grupin tonë kualifikues për të qenë pjesë e këtij Botërori.
Sa i përket Mesit, të gjithë i dinë vlerat e tij. Do të përpiqemi ta ndalojmë, por jo duke e markuar me disa lojtarë të veçantë, pasi kjo nuk do të ishte e ndershme”, ka thënë trajneri i Islandës.