“Gazzetta dello Sport” publikoi disa muaj më parë pagat e të gjithë lojtarëve të skuadrës së Juventusit. Normalisht, aty nuk figurojnë pagat e nënshkrimeve të sezonit të ri futbollistik. Por, me siguri mund të bëjë përshtypje dhe të komentohet paga e Cristiano Ronaldos, nëse transferohet nga Real Madridi te Juventusi, siç po përflitet në mediat ndërkombëtare, e cila do të jetë rreth 30 milionë euro.
Për shifra të tilla stratosferike (pagë vjetore) nuk është folur kurrë në Itali, jo më të bëhet realitet. Në këtë drejtim, ylli portugez do të krijonte një hendek të madh me lojtarët e tjerë të bardhezinjve. Aq i madh konturohet ky hendek, sa CR7 do të përfitojë edhe më shumë se 5 futbollistët më të paguar të momentit, të marrë bashkë, të “Zonjës së Vjetër”.
Argjentinasi Gonzalo Higuain ka pagën më të lartë për momentin te kampionët e Italisë (7.5 milionë euro në sezon), i ndjekur nga Paulo Dybala (7 milionë euro), Douglas Costa (6 milionë euro), Miralem Pjanic (4.5 milionë euro) dhe Sami Khedira (4 milionë euro). Sikurse mund të llogaritet, të pestë këto lojtarë marrin 29 milionë euro në vit, 1 milion euro më pak nga sa thuhet se do të marrë Cristiano Ronaldo.