PARADOKSI: Rrënuesit e Hotel Dajtit të mbërthyer nga dashuria për gërmadhën e Teatrit Kombëtar

23 Korrik 2018, 08:32Kulturë TEMA

Gandizmi disajavor për mbrojtjen e godinës së Teatrit Kombëtar mori një kthesë të “papritur” ditën e fundit, kur shefi i opozitës politike në vend kërcënoi me minëvënie për prishësit e saj dhe ndërtuesit e disa kullave të supozuara në të ardhmen pak a shumë në të njëjtin territor.

Fajtore për këtë qasje të ashpër të çasteve të fundit nuk është sigurisht vapa përcëlluese e korrikut, por mendimi infantil shqupian se peshku ra në rrjetë.

Kjo është kauza e re e opozitës, tashmë e pafshehur nën emra aktorësh apo regjisorësh të vendosur për t’i dalë përpara trimërisht “buldozerit” qeveritar për prishjen e një godine në shkatërrim.

Kauzë e rrëmbyer nga të dashuruar të vonë pas së shkuarës historike të Tiranës, kontribues të hershëm të pas ’90-tës për kioskizimin makabër të së njëjtit qytet, kryeqytetit të kthyer asokohe në një qebaptore gjigande.

E nëse vërtet e shkuara e afërt nuk do të na ndriçonte, pezmin e shtirë dhe kërcënimin po aq të shtirë të kryetarit të opozitës do ta merrnim medoemos për dashuri të kulluar për një bina aspak tërheqëse, për dashuri të kulluar për historinë kulturore disadekadëshe të krijuar brenda mureve të saj.

Këtu na vjen në ndihmë “mëkati i parë” i babait të tij shpirtëror, njeriut që pak vite më parë i vuri vulën shkatërrimit të një prej simboleve të Tiranës.

Në nisje të kësaj dekade, kryeministri i atëhershëm i vendit do të firmoste një shitje të çuditshme të Hotel Dajtit për Bankën e Shqipërisë, për t’i dhënë fund përfundimisht një godine të mbërthyer vërtet nga historia.

I konceptuar dhe i ndërtuar si një prej godinave unike të Tiranës së re nga emra të njohur të arkitekturës së fqinjit përtej detit, Hotel Dajti do të ishte në ditët e para të tij jo veç një fenomen shqiptar, por dhe ballkanik, për gjigandizmin dhe luksin për kohën.

Ai nuk do ta humbte shkëlqimin as në vitet e mbretërimit të sistemit komunist. Deri në momentin që dara e terrorit diktatorial të Enver Hoxhës do të shtrëngohej fort, Hotel Dajti do të ishte qendra e mbledhjes së njerëzve me sqimë të kohës, teksa ende në të luhej muzikë xhaz e vallëzohej mbrëmjeve. Ato pak të huaj që mbërrinin në Shqipëri do ta kishin aty vendpushimin, ndërsa vetë hoteli do të bëhej bërthama e turizmit të vendit. Një varg hotelesh në qytete të ndryshme nisën të quheshin ndryshe dhe si degë të Hotel Dajtit.

Fatkeqësia e Hotel Dajtit do të mbërrinte bashkë me tranzicionin “demokratik”. I lënë për vite në harresë qëllimshëm, i degraduar po qëllimshëm, një prej emblemave të Tiranës do të kishte për fat të vetin llamarinat rrethuese. Qeveria e Berishës do të firmoste fundin tragjik të tij, duke e shitur për ca miliona te një institucion shtetëror! I mbështjellë me qefin, Hotel Dajti humbi rrugës, mbetur gërmadhë në mes të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Sot, vite më vonë, shkatërruesit e kësaj ndërtese çirren për mbrojtjen e një tjetër godine, aspak të krahasueshme me të parën.

A mundet t’u djegë vërtet xhani për godinën e Teatrit Kombëtar? Mjafton fati i Hotel Dajtit si përgjigje! (tesheshi)

8 komente në “PARADOKSI: Rrënuesit e Hotel Dajtit të mbërthyer nga dashuria për gërmadhën e Teatrit Kombëtar”

  1. Liza says:

    Shkrim me te bukur nuk ka. Ai hotel eshte histori e te gjitha koherave. Me vlera qofte ne aspektin arkitekturor apo historik. Ai ka qene simboli i Tiranes ne te hjitha koherat. Ai flet perseri me gjithe ate shkaterrim. Ai eshte mondan dhe aristokkrat. Te lumte pena, tetri nuk vlen asnje lek para Hotekl Dajtit. Dhe eshte turp per ne shqiptaret qe nuk e mbrojtem

  2. naimi says:

    shkrimi shume i bukur, por ato kjoskat pa leje te dikurshme sot i kemi edhe me leje, biles cdo stacion autobusi ka dy te tilla. apo mos ke edhe ti mero ndonje grup te tyre..

  3. alphade says:

    U kujtoj shqupasve nje kenge labe te dikurshme ,fjalet e
    se ciles po i shkruaj ketu poshte: I referohej prishjes se
    maredhenieve me Kinen e Mao Ce Dunit:
    “Nuk jane shkaqe por sebepe,turpin e paci per vete…”
    Keshtu eshte kjo bande mafioze ! E lire ne miell dhe e
    shtrenjte ne krunde .
    Artikulli i mesiperm eshte nje pergjigje asgjesuese ndaj
    bandes jenicere te Monstres se Vicidolit.,,

  4. dana says:

    E “shiti”” tek Banka e Shqiperise, jo tek “Fusha” per ti vene Tritolin. Ndryshim i madhe, si ” keku me plencin”.

    1. Goni says:

      Per ” Dana. “,
      Sali Berisha per mendimin tim eshte
      ” Qelbi I Qelbit Shqiptar ” qe ka shkaterruese
      qellimisht dhe vazhdimisht per 28 vjet .

    2. Zigur Qarri says:

      Sa pak fjale mjaftojn per te thene te verteten!Kur u rikonstruktua Banka Kombetare,vite me radhe u kryen sherbimet
      afer Sheshit Avni Rustemi,ne nje ndertese skandal marre me qera,qe as ne Afrike nuk do te denjonin ta perdornin,sepse
      nuk kishin tjeter.Te krahasosh nje objekt biznesi me nje objekt kulturore,vetem antishqiptaret e”rilindjes”mund ta bejn.

  5. ardian says:

    Nese ka vertet nje shkaterim te vlerave si kulturore por edhe civile (aq me pikatore sa jane) Dajti eshte vertet kryevepra e shkaterimit te vlerave. Nese sot behet zhurm e potere per nje ngrehin gjys qerpici rafsh me token si te jete lokal ordiner vetem e vetem se aty eshte luajtur teater nga halli qe ne vetvhte nuk di pse quhet vlere, apo ngaqe jemi mesuar qe vlere quajm edhe ku ka fjetur filan ilegal apo ka lindur filan komisar.
    Hotel dajti eshte nje histori e vertet, nje veper e vertet, piknisja e modernizimit te Tiranes si dhe mos te harohet qe eshte aq i famshem sa ka edhe nje film me te njejtin emer “HOTEL DAJTI” prodhim Italian por qe ne kte katrauren tone askush nuk i jep as ze e as vler, ……por tashme kemi ca zyra apo me mire do kemi ca zyra ne vend te nje krenarie qytetare dhe kombetare.
    PS: mos haroni edhe KINOSTUDION…apo ajo s’quhet, ne kemi pas vetem teater dhe aspak kinematografi????? ku jane ata aktoret e medhenj apo edhe kta regjizoret e rinj , apo edhe kta zhurmusit qokaxhinj nga “shoqeria civile” ???????????

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje