Efekti “Matilda”

16 Gusht 2018, 09:11Blog TEMA

Që nga koha kur Matilda Joslyn Gage shkroi esenë e saj, mendimi se gratë nuk janë të përshtatshme ose të afta për punë shkencore nuk gjen më përkrahje. Por ende ka shumë për të bërë.

Nga Ani Bajrami

Në historinë e shkencës janë të shumta rastet kur kontributi shkencor i grave, në disiplina të tilla si biologjia, matematika, fizika apo informatika nuk është vlerësuar dhe për vite me rradhë është lënë në harresë. Arsyet lidhen me paragjykimet për shkak të gjinisë, etnisë, prejardhjes por dhe situatës politike. Efekti “Matilda” njihet si fenomeni i mosvlerësimit ose mohimit të kontributit të grave në shkencë. Ky fenomen e merr emrin nga Matilda Joslyn Gage. Në vitin 1870, ajo shkroi një ese të quajtur “Gruaja si shpikëse”, ku kundërshtonte pohimin e gjithëpranuar në shekullin XIX se gratë nuk zotëronin gjenialitetin për shpikje. Ndër shekuj, pozita e gruas në mjediset akademike përçmohej dhe përfshirja e saj në veprimtari shkencore, vështirësohej për arsyet e sipërpërmendura.

Një ndër shembujt më të njohur, mbase më i turpshmi në historinë e shkencës është ai i Rosalind Franklin, kontributi i së cilës në zbulimin e strukturës së ADN-së në vitin 1953 u mohua prej kolegëve të saj meshkuj. Fotografia 51 e shkrepur nga Franklin- prova ku dallohej forma e heliksit të dyfishtë të ADN-së, u mor prej Maurice Wilkins pa lejen e saj dhe iu tregua dy studiuesve të tjerë, që po punonin për identifikimin e ADN-së. Të tre së bashku, ata u nderuan me çmimin Nobel në Fiziologji në vitin 1962, katër vjet pas vdekjes së Rosalind Franklin. Vite më vonë, doli në dritë fakti se zbulimi i tre kolegëve u mbështet në raportin e shkurtër shkencor të hartuar prej saj, pak para largimit nga universiteti ku realizoi zbulimin dhe sidomos, fotografinë 51.

Veçmas diskriminit gjinor, në historinë e shkencës hasen shembuj ku janë ndërthurur përkatësia etnike dhe situata politike. Ndonjëherë, kjo e fundit ka qenë përcaktuese. Emmy Noether, matematikania gjermane me origjinë hebreje, bashkëkohëse e Ajnshtajnit  dhe e vlerësuar për kontributin e saj në algjebrën teorike, u pushua nga Universiteti i Gëtingenit në vitin 1933, kohë kur hyri në fuqi Ligji për Shërbimin Civil në Gjermaninë naziste. Ky ligj kishte si qëllim përjashtimin e kundërshtarëve politikë dhe hebrenjve nga jeta profesionale. Zbatimi i zellshëm i tij solli largimin e shumë akademikëve me origjinë hebreje. Më i njohuri ndër ta ishte Ajnshtajni, që i parapriu këtij ligji pasi vendosi të qëndronte në Sh.B.A sapo Hitleri erdhi në fuqi. Ai e ndihmoi me anë të një rekomandimi të veçantë Noether-in, e cila arriti të largohej drejt Sh.B.A-së,  ku dhe vdiq. Ajo konsiderohet si një ndër matematikanet më të mëdha të shekullit XX.

Viktimë e situatës politike për shkak të etnisë ishte dhe fizikantja e njohur austriake me origjinë hebreje, Lise Meitner. Pas aneksimit të Austrisë prej Gjermanisë në vitin 1938, ajo u detyrua të emigronte incognito drejt Suedisë, e më pas drejt Danimarkës, ku rinisi kërkimet shkencore. Prej letërkëmbimit me kolegun e saj Otto Hahn, ajo arriti të kuptonte se uraniumi, gjatë ndarjes së bërthamës, çlironte një sasi të madhe energjie. Në vitin 1939 së bashku me nipin e saj, Meitner-i botoi një artikull shkencor ku shpjegonte këtë proces që e quajti procesi i ndarjes së bërthamës. Energjia e çliruar njihet si energjia bërthamore. Në vitin 1944, një vit para mbarimit të luftës, Otto Hahn u nderua me çmimin Nobel në Kimi për zbulimin e ndarjes së bërthamës dhe çlirimin e një sasie të madhe energjie. Në vitet që pasuan, në këmbim të Nobelit të munguar, Lise Meitner u vlerësua me disa çmime të tjera.

Në Shqipëri, rasti i studiueses Sabiha Kasimati është shprehje e situatës politike që përjetoi vendi ynë pas luftës. Në vitin 1940, pas përfundimit të studimeve në Universitetin e Torinos, Sabiha Kasimati mbrojti temën “Fauna ittica d’aqua dolce dell’ Albania” (Fauna iktike e ujërave të ëmbla të Shqipërisë). Në tezën e saj përshkruhen llojet e peshqve të ujrave të ëmbla të Shqipërisë, pozicioni i tyre taksonomik si dhe jepen konsiderata për zhvillimin e iktiokulturës në vendin tonë. Me hapjen e Institutit Kombëtar të Shkencave, biologia e parë shqiptare ishte kërkuese shkencore, në seksionin e shkencave natyrore. Me iniciativën e saj dhe kërkuesve të tjerë shkencorë, ajo ishte një ndër themelueset e Muzeut të Shkencave të Natyrës, që hapi dyert për publikun në vitin 1948. Sabiha Kasimati përgatiti për botim monografinë shkencore të quajtur “Peshqit e Shqipërisë” por ngjarjet rrodhën tragjikisht. Ajo u ekzekutua pa gjyq në shkurt të vitit 1951. Monografia nuk u botua gjatë viteve të komunizmit dhe figura e saj u la në harresë. Pas rënies së regjimit, ajo u nderua me Urdhrin Nderi i Kombit ndërsa Muzeu i Shkencave të Natyrës mori emrin Sabiha Kasimati, për të vlerësuar kontributin e saj shkencor.

Në fillimshekullin XXI, prania e grave në mjediset akademike është rritur. E megjithatë, paragjykimet janë ende të pranishme. Këto qëndrime janë shprehje e kulturës dhe kryerja e veprimtarisë shkencore, lidhet ngushtë me tiparet e saj. Nxitja e tyre për të ndjekur studimet në një prej disiplinave të STEM-it (shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë) dhe vlerësimi sipas meritës janë thelbësore. Që nga koha kur Gage shkroi esenë e saj, mendimi se gratë nuk janë të përshtatshme ose të afta për punë shkencore nuk gjen më përkrahje. Por ende, ka shumë për të bërë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje