Spektakël pa gola në kryeqytet, Tirana e Teuta ndajnë nga një pikë

24 Gusht 2018, 21:48Sport TEMA

Tirana dhe Teuta ndanë nga një pikë në ndeshjen hapëse të javës së dytë të Kategorisë Superiore, duke mos shënuar asnjë gol. Të dy skuadrat nuk arritën të shënonin as në provën e dytë, por Teuta siguron pikën e dytë për këtë sezon, ndërsa bardheblutë të parën, pasi u mundën javën e kaluar nga Kamza.

Pjesa e parë nuk dhuroi shumë emocione me rastin e parë për të shënuar që erdhi vetëm në minutën e 27. Katër minuta më vonë Traore zbriti bukur dhe lëshoi një predhë të vërtetë në portën e tiranës të pritur në mënyrë spektakolare nga Abibi.

Në të 36-n Hoxhallari provon pa sukses nga distanca, ndërkohë që mund të kishte pasuar në krah të majtë te një shok skuadre që ishte i lirë dhe mund të kishte rrezikuar më shumë. Një minut më vonë Blazhevski provoi sërish në hyrje të zonës por pa shqetësuar Hidin.

Pesë minuta para fundit të pjesës së parë Uendi Vecaj zëvendësoi Kamara, i cili u dëmtua dhe Shkëmbi vendosi të mos rrezikonte. Në minutën e 43-të rasti më i mirë për Teutën, një krosim në zonë i Avdylit nuk u prek nga askush dhe përfundoi në traversë, më pas Osmani provoi me roveshiatë por Abibi bëri mrekullinë dhe i mohoi golin durrsakëve. Kundërpërgjigja e Tiranës erdhi thuajse menjëherë kur Hasani vetëm pak metra larg portës nuk u kordinua si duhet pas një aksioni shumë të mirë të Kobinah.

Pjesa e dytë i pa të dy skuadrat të hedhura pak më shumë në sulm për të gjetur golin, që sërish mungoi. Rastin e parë për Tiranën në pjesën e dyutë e pati Sentamu, i cili gjeti hapsirë në krah të djathtë por goditja e tij u prit nga Hidi. Vendasit rristën presionin pasi donin patjetër të shënojnë por zihen në befasi kur Kruja mori një top fantastik në krah të majtë, por devijimi i tij kaloi paralel me vijën fatale të Abibit dhe askush nga Teuta nuk është aty për ta shtyrë topin në rrjetë.

Në të 65-tën Kruja përsëritet duke futur një top fantastik në zonë, por Latif bëri më të vështirën duke dërguar topin jashtë edhe pse ishte një gol i sigurt. Një gafë spektakolare e sulmuesit…

Në të 74-n Sentamu pati jë rast të artë për të shënuar me kokë por e dërgoi topin mbi traversë. Kundërpërgjigja e menjëherershme e Teutës erdhi përmes Vecajt që vuri në provë të vështirë Abibin. Ndërsa pak sekonda më vonë ishte shtylla e majtë që shpëtoi portierin e Tiranës, pasi aty përfundoi gjuajtja fantastike nga distanca e Beqajt. Gjashtë minuta nga fundit Kërçiku goditi fuqishëm me kokë pas një krosimi të Grecës nga e majta, por Hidi i mohoi golin ish-skuadrës së tij.

Në fund, nga një pikë për të dy skuadrat, në një ndeshje të këndshme por ku mungoi protagonisti kryesor, goli.

1 komente në “Spektakël pa gola në kryeqytet, Tirana e Teuta ndajnë nga një pikë”

  1. Hosteni says:

    Ka akoma budallenj qe shkojne neper stadiume te shohin ndeshjet e trukuara ?!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje