Premtimi i Agnellit, një tjetër goditje e stilit “Ronaldo”

18 Shtator 2018, 14:46Sport TEMA

Pas Cristiano Ronaldos, tek Juventus po mendojnë një tjetër goditje të madhe në merkaton e vitit të ardhshëm.

Drejtuesit bardhezinj e dinë mirë se për t’u afirmuar si klub në nivel botëror është e nevojshme për të pasur disa kampionë të mëdhenj në skuadër.

Në një intervistë, Andrea Agnelli deklaroi se klubi i tij duhet të jetë në gjendje të marrë një tjetër Cristiano, por në moshën 25 vjeçare.

Tifozët e Juves kanë filluar menjëherë të ëndërrojnë, e, sigurisht, lista është shumë e gjatë. 

Më i përmenduri është sigurisht mesfushori i Lazios, Sergej Milinkovic-Savic, por nuk ngelet pas edhe emri i Federico Chiesas, i cili po magjeps çdo ditë jo vetëm Fiorentinën e tij, por të gjithë Italinë.

Por, ekipi torinez nuk po kërkon vetëm në Serinë A. Në Spanjë, emrat që pëlqehen janë ata të skuadrave madrilene, Marco Asensio e Saul Niguez. Edhe në Premier League nuk mungojnë mundësitë e zgjedhjes. Emra si Gabriel Jesus, Dele Alli, Leroy Sané apo Marcus Rashford, do të ishin blerje të shkëlqyera për “Zonjën e Vjetër”.

Gjithsesi, ëndrra sekrete e Agnellit flitet se është Kylian Mbappé, por rruga që të çon tek talenti francez duket më e pamundura.

Shumë emra, e sigurisht jo të zakonshëm, pasi flitet për futbollistë që mund të bëjnë diferencën në Itali e Europë. Juventus e ka vërtetuar se e ka fuqinë ekonomike për investime të mëdha, e, sigurisht, me kalimin e kohës, ndonjë nga këta lojtarë mund të vishet bardhezi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje