Carabao Cup/ Man. United eleminohet pas 16 penalltive. City kalon pa probleme Oxford

25 Shtator 2018, 23:20Sport TEMA

Frank Lampard arriti një fitore të jashtëzakonshme kundër Jose Mourinhos pasi skuadra e tij, Derby Coutny, eliminoi Manchester United nga Kupa e Ligës së Anglisë. Skuadra e kategorisë së dytë, e drejtuar nga legjenda e Chelseat, fitoi pas gjuajtjes së penalltive, pasi ndeshja përfundoi në barazim 2-2.

U duk se mbrëmja do të ishte e qetë për United kur Juan Mata shënoi që në minutën e tretë. Spanjolli mori një pasim fantastik nga Jesse Lingard dhe i pamarkuar nga askush dërgoi topin qetësisht në rrjetë. Pak minuta më vonë ishte po Mata që gaboi gjithçka edhe pse ishte në pozicion të shkëlqyer për të shënuar golin e dytë e për të “vrarë” ndeshjen.

Derby provoi të përgjigjej por United ishte gjithsesi më pranë golit. Romelu Lukaku dribloi të gjithë mbrojtjen e Derbyt por kur doli përballë portierit gaboi për fare pak më vonë humbi një tjetër mundësi të mirë me kokë.

Në fillim të pjesës së dytë Derby iu afrua shumë golit me Harry Ëilson, por Sergio Romero ia mohoi këtë mundësi. Nuk do të kishte të njëjtin fat portieri argjentinas në të 59’ kur Wilson shënoi një gol fantastik me goditje dënimi, nga ato që shënonte dikur Cristiano Ronaldo në “Old Trafford”. E si për të paralajmëruar një mbrëmje të zezë për United, Romero la të tijët me dhjetë vetë kur u ndëshkua me të kuq në të 67’ pasi preku topin me dorë jashtë zone.

United u përpoq të reagonte e madje goditi edhe shtyllën me Lukakun, por ishte Derby që fillimisht iu afrua golit me Jozefzoon, e më pas e gjeti atë me Marriott, i cili përfitoi nga grushtim i Grant në zonë dhe shtyu me kokë topin në rrjetë.

Kur të gjithë prisnin të fillonin sulmet ndaj Mourinhos, Maruane Fellaini shpëtoi turpërimin e United, përkohësisht. Belgu realizoi bukur me kokë golin e barazimit në minutën e pestë shtesë pas një krosim fantastik në zonë nga Diogo Dalot. Por nga pika e bardhë Phil Jones ishte i vetmi që gaboi për të dy skuadrat, duke i dhënë Derbyt kualifikimin e merituar.

City nuk vuan fare kundër Oxford

Kushurinjtë e United, Manchester City e patëm shumë më të lehtë kundër skuadrës së kategorisë së tretë, Oxford, të cilën e mundën 3-0 për të siguruar kualifikimin për në 1/8-at. Phil Foden shënoi golin e parë personal për Cityn ndërsa Gabriel Jesus dhe Riyad Mahrez kishin realizuar më parë për të siguruar fitoren e skuadrës së Pep Guardiolas.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje