Përfaqësuesja Shpresa vazhdon të dhurojë skandale të njëpasnjëshme sa i përket menaxhimit të lojtarëve.
Stafi teknik i këtij ekipi, i akuzuar vazhdimisht për klientelizëm në formimin e listave të futbollistëve, këtë radhë ka prekur një tjetër pikë të ulët, pasi ka arritur deri aty sa të mashtrojë një futbollist për ta larguar nga grumbullimi, teksa ka ftuar një tjetër në vendin e tij.
Situata në fjalë ka të bëjë me Alen Sherrin, portierin e Vllaznisë, si dhe Alesio Abibin, atë të Tiranës. Duke parë dëmtimin e Selmanit dhe kalimin e Kastratit te ekipi A, stafi mendoi të thërriste me shpejtësi një portier tjetër për të mbrojtur katërkëndorin në Estoni, pasi mbetej në dispozicion vetëm Dajsinani.
Sherri ishte emri i grumbulluar dhe portieri i cili ka qenë edhe më parë pjesë e Shpresave, u bashkua me ekipin e për më tepër zhvilloi stërvitje me të.
Por lojtari u kthye në mënyrë të pashpjegueshme në radhët e Vllaznisë një ditë para udhëtimit drejt Estonisë, në një situatë shumë absurde.
VIpSport ka mësuar se Sherrit i është thënë nga stadi i U21 se për ndeshjen ndaj Estonisë do të kthehej Kastrati.
Ndaj duke e falënderuar për gatishmërinë, i është bërë e ditur se emergjenca kishte kaluar dhe se tani mund të kthehej pranë klubit të tij.
Por sapo Sherri është larguar nga udhëtimi, me skuadrën është ftuar Alessio Abibi, portieri i dytë i Tiranës, i cili ka udhëtuar më pas me ekipin drejt Estonisë e me shumë mundësi sot do të jetë titullar në fushën e lojës.
Pa i hequr absolutisht meritat Abibit, një portier me të ardhme në futbollin shqiptar, mënyra se si është trajtuar Sherri tregon edhe një herë amatorizmin dhe keqmenaxhimin që stafi po i bën ekipin Shpresa.
Në radhët e janë bërë të zakonshme afrimet e largimet e lojtarëve sipas qejfi duke bërë që një nga brezat më cilësorë që ka pasur kjo përfaqësuese në dekadën e fundit, ta mbyllë pa shumë rezultate pozitive ciklin e tij.